Njoftimi i Colit

Kultura

Njoftimi i Colit

Nga: Fatmir Lohja Më: 17 janar 2019 Në ora: 09:09
Fatmir Lohja

Ku je ,o faqezi?- e pyet Loli Colin në telefon.

Jam në shtëpi.

Çfarë bën në shtëpi në këtë orë,o  dembel Stambolli?

Eja!Eja! Se ta tregoj këtu! Nuk është punë telefonash,- dhe Coli e mbylli bisedën shkurt.

Me një frymë Loli arriti në shtëpinë e Colit.Një dhimbje e madhe e shtrengoi në gjoks nga çfarë pa befasisht.Pesë fëmijët e Colit të veshur për gazep. Kalamajt mbanin  çorape të grisura,  në ngjyra të ndryshme. Coli e mbulonte shtatin  me një xhup të kohës se komunizmit, kur shkonte në punë.E shoqja nuk është parë ndonjëherë më keq e veshur.

-O mjeran! Pse nuk më ke treguar se je në këtë gjendje? Jemi apo nuk jemi miq të vjetër?Kujt duhet t’i tregosh më përpara se mua?- e pyeti Loli me shumë shqetësim.- E ka marrë vesh  e tërë Shqipëria njoftimin tënd në gazetë. Këto dyqind ero t’i dërgojnë dy bisnesmenë,për urgjencë.Pesëdhjetëmije lekë i ke nga unë. Kaq kam  mundësi të dhuroj për momentin. Për  nevojat që ke, kryetari i bashkisë  të pret në zyrë, për t’i dëgjuar nga goja jote.

- Dyqind erot po i marr me kënaqësi. Pesëdhjetëmijë lekshin futë në xhep! Ku e takove ti zotërinë?- e nderpret Coli me qetësi.- Në vazhdimësi na ka thënë se jam i zënë.Dëshirë ka të rrijë me ne,por punë nuk na kryen.

- Më thërriti me telefon,t’i shkoja urgjent në zyrë.Nuk më la gjë pa më thënë, se ti, shoku im i ngushtë,na ke turpëruar   qytezën me lajmërimin që ke shpërndarë në gazeta.

E la ta shkarkonte  dufin në gjoks.Coli me Lolin në njohje te dy duken të ngathët, pa gjak.Në fakt aventurat e tyre janë të shumta.Thjeshtësija e kulluar i ndan nga sarahoshat pështironjës.Kujtesa qytetare e tregon humorin e tyre,herë pas here,në ambiente e gëzueshme.Mburren që bashkëjetojnë në një qytezë . Gjatë kohës që Loli fliste i shqetësuar,Coli buzëqeshte me mirësi . Reagimi i Colit ia qukte nervat Lolit.Kur i mbaroi të gjitha Loli,filloi të tregonte ngjarjen Coli.

Përpara dy ditësh,në klubin e lagjes po qëndronte i vetëm.I vjen në tavolinë gazetari, djali i   ishtaksistit, që ka zënë shtratin. I kërkoi një lajm,që t’i porosiste një dopio raki. Nga mërzija e mungesës se parave, e prezencës së Lolit,për momentin, i ka ardhur ky njoftim.:”Shes një fëmijë,për të rritur katër të tjerët.”Nuk i ka shkuar në mendje se po bën  ndonjë mëkat me fëmijët dhe qytetarët.E lëshoi një SoS.Kush  dëshironte ta  ndihmonte,sevapë do të bënte. Fëmijët, dritën e syve të tij, ai me përkushtim do t’u dalë zot, deri në frymën e fundit.

Gazetari,e kush ka qenë i pranishëm në lokal ,kanë qeshur me zë të lartë.Nga gëzimi i lajmit humoristik, i ka dhëne Colit dhjetë mijë lekë të pathyera dhe  i ka  premtuar ,se do ta bëjë rehat.Me të ikur gazetari,Coli ka njoftuar Lolin,për të festuar.Loli si mik i mirë,ka ardhur menjëherë  për të pirë rakinë me meze të lirë.

Ti më the,  se papritmas,  ke fituar me mund, edhe me djersë dhjetëmijë lekë?- ia kujton Loli.

Nuk  të kam gënjyer.

Nuk më the si t’i ka dhënë gazetari, për paçavuren qe ke thënë,për të na turpëruar ne ,dhe tërë qytezën.Mua mos bëftë hajër ajo që kam  pirë atë ditë!

E ke pirë . E ke ngrënë me shumë deshirë. Atë të qeshur e mban mend e tërë lagjia.Dje ,me the,se jo vetëm që nuk të ka bërë dëm,tërë ajo pije, por  atë ndënje  do ta mbash mend për tërë jetën.

Trokiti dera e shtëpisë. Sipas provave të bëra më përpara, fëmijët u rreshtuan për një .Gruaja, hallemadhe, shkoi të hapte derën.Dy çifte ,të huaj, sëbashku me gazetarin që botoi  njoftimin e Colit ,në rrolin e  përkthyesit ,u futën brënda në shtëpi tepër të trishtë.Me kureshti  i shihnin fëmijet. Secili vriste mendjen se  kë ka   nxjerrë në shitje!?Fëmijët e veshur keq,janë secili më i bukur se tjetri. Dukej sikur ishin vënë në garë për pastërtinë trupore.

 Pas prezantimit të familjarëve, gazetari e prezantoi Lolin, si donatorin e  parë. Coli nuk është i pasur,por as ku flen qameti nuk qëndron.Eshtë në veshtirësi ekonomike,se fëmijët po rriten. Ende asnjëri nuk është për punë.Janë nga mosha pesë deri në pesëmbëdhjetë  vjeç.Eshtë mekanik duar artë.Me duart e veta e sheh se nuk po ia del dot më.Një ndihmë e madhe për shtëpinë, do të ishte   punësimi i gruas. Në këtë mënyrë do ta kishte më te lehtë të mbyllte muajin, deri sa njëri nga fëmijët të punësohej.Eshtë përpjekur t’i gjej një punë te shoqes,por nuk e ka çarë dot.E shoqja nuk e nxirrte një tingull. I vinte turp për njoftimin e të shoqit.E donte marrokun,se ndryshe nuk do t’a falte kurrë turpin,që ndjente,për nxjerren e varfërisë në publik.Fëmijët xixëllonin.Gazetari u kishte premtuar shumë lodra.Kjo ishte arsyeja që ata habiteshin me zemërimin e mamit ,dhe u afruan më shumë me babin.

Një shtëpi e varfër,por e qeshur.Ndashta ngaqë muret shkëlqenin nga boja e freskët. Divanet nuk janë të kohës së komunizmit.Dukej qartë se janë dhuratë e një kapitalisti,por  të përdoruara barbarisht nga pronari Televizori me ngjyra, është nga modelet e para të prodhimit të tyre.Frigoriferi,dy katesh,punonte për të zezën e Colit, në shlyerjen e faturave të energjisë elektrike.Brënda vetëm një kavanoz salce ngrinte e shkrinte.Karriget plastike, sëbashku me tavolinën e sojit të vet, qendronin në këmbë me pak marifete.

Ndonëse gazetari e   porositi disa herë,që të prezantohej sa më i varfër, Coli nuk mund ta pranonte, të mos bënte  adetet e mikpritjes  shqiptare.Bleu,për atë rast,kafe taze dhe dy shishe me lëngje frutash.Rakinë,e shoqja, ia fshehu te komshijtë.Kur i pyeti miqtë, se çfarë pëlqenin,nga ato që gjëndeshin  në shtëpi, gazetari vari turijt.Për ta nxjerrë nga  sekëlldia,ia bëri dalje Lolit.Si donatori i parë, i ka rënë derës me hundë, sepse i ka  pasur duart e zëna me dhurata.Me këtë përgjigje, mendoi se me një të shtënë , vrau dy zogj.

Të huajt, të trishtuar, kërkonin ta përshtjellonin situatën.Pas qerasjeve,  filluan  pyetjet breshëruese. E nisën me fëmijët.Të pestë, me sira,sipas gjuhëve që kërkonin mysafirët, recituan poezi nga më të bukurat, që dinin. Cicërimat e fëmijëve e përzunë trishtimin.Dy të vegjëlit zunë vend në prehrin e zonjave.Edhe Coli filloi ta marrë veten.  Ju  larguan  emocionet frenetike nga njohja me të huajt.Coli po mendohej:” Mjaft ndënja serioz!Deri tani e dëgjova gazetarin.Miqtë e huaj janë pa gjë në dorë. I humbur,se i humbur,ta marrin vesh, se Coli me Lolin janë sherbeti i qytezës.”

Pse bëni shumë fëmijë?- e pyeti zonja më e re nga miqtë,ndërkohë përkëdhelte kaçurrelat  e Elsit.

Në dimër ,nga që nuk kemi ngrohje, biem më herët në krevat.- e nisi humorin  Coli.- Duke ngrohur njëri-tjetrin biem në afsh.Meqë e pi një gotë raki,në vend që të terhiqem në çastin hyjnor,unë shtyj përpara.Nusja ime, për  pak e gjë mbetet shtatzënë.

Po këshillat e planifikimit familjar nuk i ndiqni?- pyeti zonja tjetër, me seriozitet maksimal, pas ilaritetit që u dha meshkujve përkthimi i gazetarit.

Planifikimi familjarë ka dalë vonë si teori dhe praktikë,- u fut në teori Coli.- Në kohën e komunizmit nënat më shumë fëmijë shpalleshin heroina.Me Manushaqen,  quhet gruaji ime, në fillim u nisëm me ngut  për atë destinacion, sepse edhe shteti paguante për çdo fëmijë, edhe ne nuk ngopeshim me dashuri. Nusja nuk ishte e nevojshme të dilte në punë. Familja  e jonë do të shpallej shtëpi heronjësh.Numri i shqiptarëve do të rritej. Ku ka më mirë për shoqërinë!?

Coli me Lolin humorin e kanë të lindur.Mosnjohja e emocioneve shtrëngues ua liron replikën.E pasurojnë edhe  me komikën që dëgjojnë në vazhdimesi,nga miqtë e tyre.Libra nuk lexojnë, thjeshtë për mungesë kohe.

Po shteti  i tanishem a ju ndihmon? – vazhdoi  i huaji me syze.

Shteti i tanishëm flë për shtatë palë qejfe .Nuk do t’a dijë për shtimin e popullsisë,-e preu shkurt Coli.- Për vjeljen e taksave e ka syrin pishë, si dikur ushtarët në kufi.

Në kushtet e reja, gruaja nuk mërr mësime për planifikimin familjar?- vazhdonte në të sajën e huaja.- Ka shoqata të ndryshme,jo qeveritare,që sponsorizohen nga BE-ja,për këtë qëllim.

Për këto që thoni ju ,ne nuk kemi dijeni.Kur dështoi Manushqja , rastësisht fëmijën e gjashtë,doktorit i thashë t’i mbyllte tubat,një herë e mirë, se me kapacitetin prodhues që ka,mi rreshton pesëmbedhjetë copë   në derë.Nuk kam asnjë mundësi që t’i rris.

Si ta përkthej fjalën copë?- e pyet Colin  gazetari me duar në bark.

Përtkheja fëmijë ,që mos t’i hutosh tërësisht. Kaq mend ke,sa mos të citosh   Lulashin fjalë për fjalë,në këshillat që i dha për të shoqen  sekretarit të partisë.- dhe Coli ndeshi gotat me miqtë.

Në sytë e të huajve dukej qartazi habija.Thënia e gjërave troç.Varfëri që përcillet me humor.Arsyetimi  i tyre,nuk ishte në gjendje t’i jepnte përgjigje pyetjes: “Çfarë janë këto njerëz që bëjnë humor edhe  me varfërinë?”Nuk ka të huaj që mund ta kuptojë trinitetin e ndarjes së kohës  nga  Coli edhe  Loli. Njëzetekatër  orët e ditës  ndajnë në gjashtë: tre për shtëpinë,dy për punën dhe një për mejhanen.Ka ndërhyrje destruktive për t‘u ulur orën e ndënjes në mejhane,por ata qendrojnë stoik në praktikën e tyre ditore, me arsyetimin:”Nuk është mirë që shqetësimet e punës t’i çojnë në shtëpi.Pasi t’I shkarkojnë në mejhane , me qetësi e dashuri,  shkojnë në ambientin e ngrohtë familjar.

- Do të ndihmojmë për ta futur gruan në punë. Çfarë profesioni ka?- e pyeti i huaji më i ri.

Çfarë profesioni?- pyeti veten Coli.-Të jetë  sanitare si në shtëpi.Meqë vajza e madhe është rritur,kolon ajo në detyrën e se emës,përkohësisht në shtëpi.

Nuk ka punuar  më përpara?- vazhdoi i habitur i huaji.

Manushqja është nga qyteti komshi me ne.Ishte; e bukur;me faqe të kuqe ngjyrë shege dividishe;e  gjatë;elegante; …..;për ta mbajtur në kupë,prandaj e mora për nuse.Ne qytezën tonë ra me njehëre në sy bukurija e saj.Shefat e kohës me dërgonin fjalë për ta futur në punë.Ju ktheje përgjigje: “E kam marrë ta shijoj vete,  e jo për ju.”

Përkthyesit i doli lëngu u frutave nga hundët.E zuri krejtësisht të papërgatitur, përgjigjja e Colit.Të huajt ,me habi ,prisnin përkthimin e tij.Gazetari i dha drejtim xhelozije,duke theksuar dashurinë e sinqertë të çiftit të ri.Ra në sy menjëherë te vendasit, se dashuria rinore e çiftit u respektua nga të huajt.” Kush e di se çfare u ka thëne ky zog   …..,” që ju bë qejfi aq shumë të huajve!?”- mendonin Coli e Loli,secili në hesap të vet.

Jeni të majtë apo të djathtë?- pyeti i huaji pas një qetësia e përkohshme.

Loli! Fole një fjalë,se  më të urtë, nuk të kam parë kurrë!- ju drejtua Coli me seriozitetin maksimal.

Loli e nisi me fare pak ndrojtje,natyrisht nga prezenca e të huajve.Kur u kurdis,vetëm përkthyesi ia ndërpriste fjalën,për të bërë punën e tij.Në fillim deklaroi, se nuk janë as të majtë e as të djathtë.Shikimi i rreptë i Colit, e bëri që të ndryshonte deklaratën e parë.Deklaroi se kanë  miq e shokë edhe të majtë, edhe të djathtë.Nuk dinë t’i dallojnë se, sipas tyre, të njejtat  sifate kanë.

Njëri nga të huaj këmbëngulte të dinte,se në ditën e votimeve,për ke parti kanë votuar. Përgjigja i erdhi e pabesueshme.Coli me Lolin, për të mos u mbetur hatri asnjerës palë,në ditën e votimeve  shkojnë për të gjuajtur peshk në lumë.”Loli ,me të veten,u mundua t’i sqaronte se nuk kishte aspak leverdi ekonomike,të mbanin krahun e njerës palë. Për Colin e Lolin,rëndësi ka që Zoti të mos i lërë pa miq edhe shokë.Të gjithë i qerasin për humorin e tyre brilant.Të huajt u entuziazmuan me deklareten e tij. Për mend e Colit edhe  Lolit ,nuk iu duk se u tha  ndonjë gjë, që të mbahet mend, sa të entuziazmoheshim  edhe meshkujt, edhe femrat e huaja.Përseri përkthyesit ia lanë meritat.

Një zile telefoni e nderpreu përkohësisht bisedën.Zonja më e vjetër fliste në gjuhë të huaj me marrësin.

Kanë ardhur ndihmat e para,- lajmëroi pasi mbylli telefonin.

I pari u ngrit gazetari.Pas tij  u vunë të gjithë në sira.Kuti të mëdha kartoni u zbarkuan nga një furgon. Duar -duar i ngritën lartë në shtëpi.Për mungesë kohe,të të huajve, palët u ndanë,për t’u takuar përsëri.Dy fëmijët e vegjël nuk ndaheshin nga tetat zemërmira.Tetave ju vesuan sytë kur u ndanë nga femijët.Ju mbeteti në hundë aroma  e çamarrokëve. Janë të varfër,por njëkohësisht janë   të pastërt. Nuk  mund ta   krahasonin me raste  të tjera, që kanë parë me sytë e tyre.Burrat i tokën duart,duke i premtuar njëri-tjetrit se do te takohen përsëri, dhe do ta gjenin kohën për të pirë edhe një gotë raki.

Protesta mediatike e bëri punën e saj.Shqiptarë edhe të huaj, ju gjenden Colit në krah. Shumë prej tyre janë bërë miq edhe me Colin,edhe me Lolin.Për fundjavë agjenda a tyre është e zënë për gjashtëmuaj, sepse si miqtë e vjetër,edhe të rinjt, duan ta dëgjojnë ndodhinë direkt nga goja e tyre.

Kryetari i bashkisë , pasi  e tjerri hollë – hollë, sëbashku me këshilltarët, u binden, që humori i Colit ,nuk i prishi punë as atij,e as qytezës.Me vendim të formës së prerë,  emëroi Manushaqen në bibliotekën e qytetit, kryesanitare. Nga kjo ndodhi edhe bashkija,edhe banorët ,janë bërë më të vemëndshem në dëgjimin e halleve të qytetarëve.Nuk është ndihma ekonomike mjerane,që  e zgjidh varfërinë. Punësimi dhe ndihma reciproke qytetare e zbukurojnë jetën hallemadhe.

Coli, duke shfrytëzuar famën e vet mediatike,ka kurdisur një plan, që të  punësojë gruan  e Lolit. Këtë histori do ta tregoj, kur nusja e Lolit të fillojë punë. Nuk dua ta ekspozoj më përpara,nga frika, se në këtë rast, mediat do t’i prishin planet Colit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat