Atdhetari dhe krijuesi që mbetet metaforë e fuqishme në lirikën dhe epikën tonë

Kultura

Atdhetari dhe krijuesi që mbetet metaforë e fuqishme në lirikën dhe epikën tonë

Nga: Mikel Gojani Më: 17 janar 2019 Në ora: 09:54
Jusuf Gërvalla

Jusuf Gërvalla, poet, mendimtar dhe veprimtar orëve të hershme të çështjes shqiptare, i takon profilit të personaliteteve të shquara të  kulturës, letërsisë, të shkencës dhe të historisë sonë kombëtare, të cilit posa t’u zihet ngojetë emri i tij,  të drithëron në  ndërgjegje, të mbush  me frymëzim dhe, që, me mesazhin e veprave të tij, të japin kuraje, për të punuar dhe angazhuar për të vërtetën, për të drejtën, paqen dhe  lirinë  e popullit të tij.

Pak biografi

Jusuf Gërvalla u lind  më 1 tetor 1945, në fshatin Dubovik, komuna e Deçanit, në një familje  atdhetare e liridashëse të njohur për kultivimin  e traditave përparimtare. Edukatën e parë, dashurinë për atdheun dhe për popullin e tij e mori në mesin familjar dhe në odën shqiptare.  Sidomos në odë ai njihet më për së afërmi me  heroizimin e masave  të gjera, me respektin që  gëzojnë mendjet e ndritura e të urta të popullit tonë, si dhe me nderimin që u bëhet  vravashkave  të dritës që flijohen  për lirinë e atdheut. Shkollimin fillore dhe gjimnazin i kryen në Pejë, ndërsa  Fakultetin Filozofik – Dega e Albanologjisë, si dhe studimet pasuniversitare i mbaron në Universitetin e Kosovë në Prishtinë. Qysh si student fillon të punojë në korin  e Radio-Prishtinës, pastaj si përpunues i teksteve  të këngëve po në këtë institucion, e më vonë edhe si sufler në  Teatrin Popullor të Kosovës. Punën e mirëfilltë në profesionin e përkthyesit  dhe të gazetarit e fillon në gazetën shqipe   “Flaka e vëllazërimit” në Shkup, për të punuar më vonë  si gazetar dhe redaktor në të përditshmen  “Rilindja” në Prishtinë. Fëmijëria rinia dhe pjekuria e Jusuf Gërvallës përkojnë me një  periudhë të trishtë me esencat e saja tragjike.  Në këto rrethana edhe vetë qenia e këtij atdhetari të devotshëm, qysh në  moshë të  re, do të mësohet të dëgjojë për  djegien dhe shkrumbimin e fshatrave të Kosovës, për kryengritjet e armatosura të  trevave të ndryshme të Kosovës, të udhëhequra nga patriotë të devotshëm e të paepur të kohës, për masakrat  në masën e pafajshme, për tmerrin e Tivarit, Trogirit dhe të Sremit; për pushkatimet dhe vrasjet misterioze, për burgosjet dhe rrahjet dhe për çnderimet masive  nën maskën e mbledhjes së armëve, për vajin dhe mallkimet e qindra – mijëra të të shpërngulurve me dhunë nga varat e tyre shumëshekullore, për ngritjen  fshehurazi të Flamurit tonë kombëtar, për vrasjen e çdo  pishtari që pretendonte dritë lirie në Kosovë. Bisedat, komentimi i ngjarjeve në rrethin ku jetonte dhe formohej ky atdhetar i flakët, do t’i lënë mbresa të thella në ndërgjegjen e tij të pastër.  Pikërisht në këto shqetësime edhe duhet të kërkohet zanafilla e veprimtarisë së gjerë të Jusuf vGërvallës, në planin shoqëror dhe politik gjithëkombëtar.

I frymëzuar nga shumë idealistë të epokave tona të hershme dhe të mëvonshme

Jusuf Gërvalla, i frymëzuar nga shumë idealistë të epokave tona të lavdishme, i përvishet punës dhe angazhimit me tërë  qenien e tij. Tashti po i vinte radha të shfaqej i plotë dhe personaliteti poliedrik dhe gjenia krijuese e tij. Tiparet e tij njerëzore, të kalitura shumë herët, qëndrimi i tij vertikal, ishin  dëshmia më autentike se  ky  atdhetar i devotshëm po hynte në qenien e popullit të tij. Ai punonte pareshtur në zgjimin e vetëdijes  kombëtare në masat e popullit. Pohonte  se vetëm arsimimi i popullit, si portreti më autentik i një kombi, krijimi i identitetit, vetëdijesimi dhe ngritja e ndërgjegjes kombëtare në shkallë të  duhur  do të bëheshin garanci e sigurt dhe instrument i fortë në duart  e popullit, që çështja e Kosovës të  mbetej në plan të parë deri në fitoren e saj të plotë. Në këtë kohë, Jusuf Gërvalla e shpalos mëtimin e tij prej një këmbëngulësi të pathyeshëm për ruajtjen  dhe forcimin  e identitetit kombëtar.  Ishte kjo kohë  kur para inteligjencies  sonë dhe para forcave të organizuara atdhetare po shtrohej si imperativ i kohës, qëndresa, vitaliteti dhe shëndeti i popullit tonë, emancipimi i femrës, barazia, drejtësia njerëzore dhe flijimi si akti më sublim i fitores. Në këtë kohë, i gjithë aktiviteti i tij atdhetar u zhvillua përmes lëvizjeve ilegale që  vepronin në atë kohë në Kosovë.  Pas zbulimit të këtyre lëvizjeve nga  organet e UDB-ës jugosllave dhe rënies në  burg të të shumicës së këtyre anëtarëve që ishin të rreshtuar në  këto lëvizje, Jusuf Gërvalla, në dhjetor të vitit 1979  arratiset në mërgim, përkatësisht në Gjermani, duke ia lënë përgjithmonë  lamtumirën  e fundit  Kosovës së tij të sulur e martire, larg së cilës, pas  dy vjetësh do t’ia derdhte  edhe pikën e fundit të gjakut.

Arratisja nga atdheu një nga aktet më të prekshme në jetën e tij

Arratisja, vendosja në dhe të huaj dhe larg atdheut, paraqet një ndër aktet më të ndieshme  në jetën e tij. “Netët dhe ditët e arratisë së hidhur”, siç shprehej Jusufi për atë pjesë të  padëshiruar, por të imponuar të jetës së tij. Ashtu sikur në atdhe, edhe gjatë aktivitetit të tij në mërgim, synimi i tij kryesor ishte të përqendrohet  në vetëdijesimin  e popullit dhe përgatitjen e tij për përballjen e paevitueshme  me armikun gjakatar serb. Kësaj radhe  këto hiena gjakatare duhej të ndesheshin  në Kosovën e pathyeshme, në unitetin e popullit shqiptar, në vetëdijen  e tij të lartë për luftën  dhe përparimin.

Lufta ishte në  portat tona dhe me të gjitha llahtarit  që do të sillte në vete, patjetër ajo do të kurorëzohej me fitoren e popullit shqiptar. Lidhur me këtë besim të pakontestueshëm flet bindshëm publicistika e  Jusuf Gërvallës e botuar në shtypin e kohës në mërgatë, si  “Lajmëtari”, “Bashkimi i lirisë”, “Liria”, “Zëri i Kosovës”  etj. Po ashtu, këtë argument e fuqizojnë tubimet e shumta dhe traktet e shpërndara në mesin  e mërgimtarëve  tanë, kontaktet e vazhdueshme me  organizatat patriotike dhe me miqtë e tij në atdhe, demonstratat e organizuara në perëndim dhe protestat antijugosllave në qarqet e opinionit  ndërkombëtar. Si reaksion i gjithë kësaj pune dhe angazhimi për kauzën kombëtare, pikërisht, sot,  para  37-vjetëve u vra  nga dora misterioze të shërbimit të  UDB-ës jugosllave, bashkë me të vëllanë e tij Bardhoshin dhe  shokun e  idealit e të veprimit,  Kadri Zeka, duke u përjetësuar. 

Vrasja e Jusuf Gërvallës, vëllait të tij Bardhoshit dhe  mikut dhe bashkëveprimtarit të devotshëm, Kadri Zeka, ishte një vrasje e shumëfishtë politike, sepse ajo vrasje ishte një grusht i rëndë ndaj organizatave politike të mërgatës që kishin orientime të qarta kombëtare, pasi që me eliminimin fizik të ideatorit Jusuf Gërvalla  dhe  të  këtyre bashkëpunëtorëve të tij, kishte edhe pasojat  e saj në tëhollimin e substancës së veprimit të lëvizjeve kombëtare në mërgatë. Mirëpo, fryma e tyre jetojë edhe më tutje tek bashkëveprimtarët e tyre të tjerë, të cilët shumica prej tyre u mbetën besnikë udhërrëfimeve të Jusufit dhe të tjerëve.

Vepra e tij ngërthen një drithërimë dhe zjarr të fuqishëm

Jusuf Gërvalla pas vetes ka lënë një veprimtari mjaft  voluminoze dhe me vlera të veçanta ideoartistike.  Pos  qindra publikimeve të shpërndara në faqet e thuaja të të gjitha gazetave dhe revistave në gjuhën shqipe, Jusuf  Gërvalla botoi edhe këto vepra letrare: “Fluturojnë e  bien”, poezi, Prishtinë 1985; “Kanjushë e verdhë”, poezi, Prishtinë 1987;  “Shenjat e shenjta”, poezi, Shkup 1979; “Bekimi i nënës”, poezi, Tiranë 1981; “Rrotull”, roman, Tiranë 1983; “Procesi”, dramë, Zvicër 1984. Jusuf Gërvalla ishte shqipërues edhe i shumë veprave letrare, si  “Klepsidra”, roman i Danilo Kishit,  “Legjendat e  Guatemalës, proza poetike të Asturiasit; “Amshimi  im i shkurtër”, poezi të  Ciril Zlobecit etj. Përktheu edhe pjesë të zgjedhura nga opusi letrar  I Mesha Selimoviqit, Egdar Alan Poes, Franc Kafkës, Xhems Xhojsit e shumë të tjerë.  Nga gjuha shqipe  ka shqipëruar sidomos poezinë  dhe prozën e shkrimtarit tonë të mirënjohur  Teki Dërvishi. Po ashtu, Jusuf Gërvalla është autor i dhjetëra këngëve, ndërsa interpretues  i qindra këngëve të tjera të adaptuara nga ai. Në veprat e Gërvallës vargu i tij i mbetet besnik kërkesave të kohës. Vargu i tij shprehet  me botën e pasur të një lirizmi të fuqishëm me një natyrshmëri  të thellë poetike; me qartësinë e shprehjes, me ngrohtësinë  dhe njomësinë e një ndjeshmërie të gjerë, aq sa me  një botë ideore të thellësishme  dhe asnjëherë të paqartë e të pakuptimtë.  Vargu i këtij krijuesi të shquar karakterizohet në kërkim këmbëngulës të gjurmëve të së kaluarës. Frymëzimi kryesor i vargut të tij është bota, shpirti dhe fati i popullit  të tij. Vargu i Gërvallës rrjedh në  trajtën e  parë tok me  ndjenjësinë, me detaje, kujtime, me mall dhe dhimbje. E gjithë kjo e ngërthyer brenda rrethit të çastit, në vargonjtë e gjatë e të rëndë të kohës, krijon ritëm, shpeshherë të rëndë të jetës; mallëngjim, drithërimë,  shkuarje dhe  ardhje të shpirtit, që diku në brendi  bart një zjarr i cili nuk e lë të qetë, ngase  gufon  në shumë  ngjyra të dhimbjes, në ngjyra të  mallit, bashkë me muzgjet e shpirtit të mërguar: Edhe una e fundit  a kallë në voter,/ po kangën ende  s’e kam mbarue,/ kangën për ty vendlindje /– burim i lotëve të mij të shtrenjtë!/ lotët po përcjellin kangën time  krenare,/ ndërsa unë shiqoj zjarrin që shuhet ngadalë;/ kujtimet janë të zjarrta, si grunajat me diellin e korrokut kallë… A thua do t’i shof ma?/ edhe lotin e fundit për ty kam me derdhë,/ nji ditë  ndoshta ka me rrjedhë prrue;/ prej kangëve  të mija ‘i barkë kam me mbarue,/ do të lundroj gjatë… E një mbramje,/Ka me të shurdhue, tue këndu ‘nji sorrë,/të nesërmen pritem,/ mysafir i pritun me mall kam me qenë/ për ty – vendlindja ime e dashtun! (Poezia, Mall për vendlindjen). Kështu që, frymën e ndjeshmërisë së thellë bart në vete i gjithë vargu i këtij poeti. Vargu i  Jusuf Gërvallës ngërthen  në vete  një botë  të veçantë të një realiteti të caktuar e të veçantë. Është ky varg që Gërvallën e ka vënë në piedestalin e letrave tona.

Kështu, lirisht mund të themi që emri dhe vepra e Jusuf Gërvallës, do të mbetet përherë në vlerë monumentale në rrugën historike dhe veprimtarinë letrare, artistike  dhe kulturore të popullit shqiptar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat