Alisa Baraku: E turpshme që studentët shfrytëzohen nga liderët politikë

Kultura

Alisa Baraku: E turpshme që studentët shfrytëzohen nga liderët politikë

Nga: Albert Z. Zholi Më: 19 janar 2019 Në ora: 20:55
Alisa Baraku

Flet artistja e njohur e muzikës lirike dhe bashkëshorte e këngëtarit të njohur Frederik Ndoci, Alisa Baraku: “Porosia e parë që u kam dhënë nxënësve të mi ka qenë që tek unë mësimi privat dhe mitmarrja nuk ekzistojnë, siç ndodh tek 80% e mësuesve që kusht për nxënësit janë mësimet private dhe lekët që fusin nëpër xhepa. Këtë problem e kam shtruar me zë të lart edhe në takim me Ministren e Arsimit Lindita Nikolla, në mbledhjen që ka organizuar me mësuesit e Liceut. Por fatkeqësisht ky fenomen kaq i shëmtuar vazhdon ende. Dhe unë do vazhdoj të flas përsëri me zë të lartë e të jem kundër padrejtësive që u bëhen nxënësve.”

E diplomuar në Akademinë e Arteve të Bukura në vitin 1995 dhe me një specializim në Itali, Alisa Baraku nisi një karrierë premtuese si soliste lirike. Sharmante dhe me një zë të kulluar, sigurisht që shpresa e saj e madhe ishte që të përqafonte skenat tona dhe jo vetëm. Por vështirësitë e kohës së atëhershme si dhe kushtet e vështira bënë që ajo të largohej për një kohë nga Shqipëria për t’u rikthyer përsëri, si pedagoge e kantos, si nënë e dy fëmijëve të mrekullueshëm dhe si bashkëshorte e këngëtarit të njohur, Frederik Ndoci. Ky është rrëfimi i saj ekskluziv për “Albanian Free Press”.

Protesta e studentëve tashmë ka kaluar dhe në vitin e ri 2019. Si do ta cilësoje këtë protestë. Cili është mendimi juaj si pedagoge për nismën e studentëve?

Është e turpshme që pikërisht epokat, në krizat e mëdha politike dhe kaotizmin qesharak të liderëve që frikësohen nga fundi tragjik i tyre, t’i ndryshojnë studentët, ku për ne, prindërit e tyre, më e pakta duhet të flemë në shesh! Ashtu siç është e turpshme, të shfrytëzohen më pas nga lider politik për të vazhduar vazhdimin e politikave të mbjella nga Ramiz Alia në vitet 1990! Shkaqet e tyre nuk janë thjesht tarifat studentore, kushteve të vështira në konvikte apo në shkolla ku kushtet janë të mjerueshme, por janë mitmarrjet ose gjobat e pedagogëve ndaj tyre. Fenomen ky mjaft i pështire dhe që është "aftësi" e 98% piratëve pedagog. Mendoj se asgjë nuk do ndryshoj nga protestat edhe me politikat e qeverive që shkojnë e vijnë, asgjë nuk do ndryshoj me protestat edhe më kërkesat e studentëve e as me jetët tona. Me pëlqen shprehja “Shqipërinë e bekoi Zoti me bukuri e pasuri, por e mallkoi me politikanët e saj”. Un i uroj atyre studentëve durim, kurajo, stoicizëm dhe largpamësi, do Zoti dhe e kupton qeveria se sa rrezik përmban në vetvete kjo lëvizje po të ngjasë kudo në botë. Por këtu si gjithmonë gëzohemi me sasinë e pjesëmarrësve dhe jo me konkluzionin e nismës.

Image

Si do të prezantohet Alisa para lexuesit një jetëshkrim të thjeshtë? Si nisi rruga e bukur por dhe shumë e vështirë e artit?

Kam mbaruar Akademinë e Arteve për kanto në Tirane dhe master po ne Tirane. Kam bere specializimin ne Itali. Karriera ime si artiste do kishte marrë ndoshta edhe majat, por vështirësitë ekonomike ku vetëm për 1000$ nuk munda të vazhdoj një vit specializim në Vjenë, Austri dhe trazirat e 1997 e ndërprenë ëndrrën time të madhe, që edhe sot plaga e shkaktuar prej saj po të gërvishtet rrjedh gjak. Por duke besuar shumë në Zot, e di se krijuesi im i kishte bërë planet e tij dhe mua si bijës së tij më mbetet të ngushëllohem me këtë fakt. U largova nga Shqipëria drejt Kosovës, pasi dhe në Tiranë nuk plotësoja kushtet e të qenit viktimë e korrupsionit te neveritshëm edhe pse kisha përfaqësuar vendin tim në shumë vende të Evropës ku dhe sot në sirtarët e mi ka shumë çmime. Kështu në Mars të 1997 largohem drejt Kosovës, në Prishtinë. Edhe atje sigurisht që karriera vazhdoi por kuptohet jo si i pat gjasat nëpër botë.

Jeni nënë por dhe një mësuese e përkushtuar. Si i keni marrëdhëniet me nxënësit dhe studentët tuaj?

Un jam nënë e dy fëmijëve Marilu dhe Nikolo dhe punoj pedagoge e kantos në Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë. Kam nxënës që i marr që nga viti i parë me një nivel kryesisht nën mesatar, jo si koleget e mia të cilat shpesh zgjedhin fëmijë me prindër goxha të majmë në kuletë, por që nuk arrijnë rezultatet e studentëve që kam nxjerr gjer më tani, të cilët sot këndojnë nëpër botë. Kërkoj ndjesë për mungesë modestie, por duket modestia e madhe që më karakterizon, deri tani më shumë më ka prishur punë. Ka ardhur koha të jem pak më e hapur ndaj arritjeve të mia. Unë jam jashtëzakonisht e lumtur që shumë nga studentët e mi kryen dhe vazhdojnë studimet e larta, e jo vetëm në Akademi tonë, por edhe në Norvegji, Rumani, Itali, SHBA, etj. Sigurisht që ka ndryshuar shumë me tre dekada përpara si niveli i studentëve, predispozita e tyre për të qenë i aftë dhe pedagogjia e mësimdhënies,ashtu edhe niveli i kërkesave të kohës. I kam trajtuar që në ditën e parë të takimit, në bazë të normave pedagogjike, por duke ia bërë të qartë kërkesat e mia si pedagoge dhe detyrat dhe të drejtat e tyre. Porosia e parë që u kam dhënë nxënësve të mi ka qenë: “Tek unë mësimi privat dhe mitmarrja nuk ekzistojnë, siç ndodh tek 80% e mësuesve që kusht për nxënësit janë mësimet private dhe lekët që fusin nëpër xhepa”.

Image

Këtë problem e kam shtruar me zë të lartë edhe në takim me ministren e Arsimit Lindita Nikolla, para se të largohej nga detyra, në mbledhjen që kishte organizuar me mësuesit e Liceut. Por fatkeqësisht kjo dukuri kaq e shëmtuar vazhdon ende. Dhe unë do të vazhdoj të flas përsëri me zë të lartë e të jem kundër padrejtësive që u bëhen nxënësve, nën premtimet e mëdha se do të bëhen yje të skenave botërore, por që shumica e këtyre viktimave të pafajshëm as dyert e universitetit të Arteve në Tiranë nuk prekin. Në klasën time funksionon ndryshe. Nxënësit mund të vinë në çdo orë dhe çdo ditë për të ndjekur mësimin edhe atëherë kur s’janë në orarin mësimor, edhe ne shtëpi, por në asnjë mënyrë nuk kanë detyrim pagese dhe kjo s’do ndodhë kurrë. Kemi vajtur me bashkëshortin tim edhe në konvikte weekend-eve për t’i marrë në shtëpinë tonë, pasi kushtet ishin si mos më keq dhe mendimi se ne jemi ngrohtë e ata vuajmë të ftohtin nuk na linin të qetë. Unë s’jam vetëm një mësuese, por mbi të gjitha jemi prindër së bashku me Frederikun për gjithë nxënësit e klasës sime dhe jo vetëm. Ata sot janë mirënjohës kudo që ndodhen. Janë shokët e mi, janë pasqyra ku shoh veten dhe ndjej krenari. Shumë shpesh më emocionojnë me mirënjohjen e tyre për arritjet që kanë.

Riku, siç e thërrasin njerëzit e afërt, është shpesh herë në lëvizje madje më shumë në Amerikë, e ndjen mungesën e tij?

Riku po bën një sakrificë kolosale prej shumë vitesh për të bërë të mundur një të ardhme më të mirë për fëmijët, sigurisht që edhe unë por që e ndjejmë shumë mungesën e njëri tjetrit. Për meritat e Rikut si bashkëshort kam dëgjuar se edhe ish gratë e tjera nuk e përflasin.

Keni në plan ndonjë duet të ri me Rikun?

Këto kohë nuk kemi realizuar tjetër duet të ri, pasi Riku ndodhet për periudha të gjata në SHBA. Por planet janë sapo të jepet mundësia e realizimit të tyre. Edhe Marilu edhe Nikolo kanë marre shumë gjëra pozitive nga të dy ne. Por është herët te flasësh për talentet dhe pasionet e tyre. Ne si prindër do mbështesim ëndrrat e tyre, e do mundohemi qe te bëjmë realitet sa me shume prej tyre.

A grindeni me Rikun?

Çdo jetë bashkëshortore ka unitetin dhe kontradiktat e veta... zihemi pa fund për thjeshtësinë e vet, për vlerat që ka dhe i anashkalon, për botën e tij të madhe në shkretëtirën e pafund të absurditetit artit bashkëkohor shqiptar. Për butësinë ndaj armiqve dhe për sakrificat filantropike që vazhdimisht bëjnë. Kjo na bën të duhemi edhe më shumë.

Cilat janë planet e së ardhmes? Mendoni të ikni në Amerikë.

E ardhmja eh! “Planet i bën Zoti, por shpesh me ndihmën tonë”, - më thotë Riku.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat