Fëmijët janë spektatorë të ashpër, por edhe të sinqertë

Kultura

Fëmijët janë spektatorë të ashpër, por edhe të sinqertë

Gani Mehmetaj Nga Gani Mehmetaj Më 23 janar 2019 Në ora: 08:42
Xhanfise Keko

Para disa kohësh në Kosovë ishte delegacioni i kinostudios “Shqipëria e Re” për të zgjeruar dhe thelluar bashkëpunimin me “Kosovafilmin”. Në këtë delegacion ishte edhe regjisorja Xhanfise Keko, individualitetin krijues të së cilës e kujtojmë nga filmat “Tingujt e luftës”, “Tomka dhe shokët e tij”, “Mimoza Llastica”, “Beni ecën vetë”  (fitues i çmimit më të lartë në Festivalin e Salernos dhe i “Kekecit” në Beograd), “Qyteti më i ri në botë” etj. Shfrytëzuam rastin të bisedojmë për krijimtarinë filmike, preokupimet dhe punën e saj si kineaste.

Veprimtaria juaj filmike kryekëput është përqendruar në trajtimin e botës së fëmijëve. Cila është specifika e kësaj bote dhe sa mund ta kuptojnë të rriturit mentalitetin e të vegjëlve?

- Fëmijët janë të rrethuar nga shumë ngjarje në familje, shkollë, rrugë e institucione shoqërore ku ata formohen, duke filluar nga hapat e parë e deri në fëmijërinë e ndërgjegjshme. Është detyrë e çdo kineasti të flasë për këtë jetë të gjallë shumëngjyrëshe që pasqyron çdo ditë e më shumë botën e tyre shpirtërore. Në punën me fëmijët më tërheq vazhdimisht fëmija krijues, që jeton jetën e heroit të vet dhe fëmija spektator, që i jep të gjitha ndjenjat e tij, çfarë e gëzon dhe e shqetëson. Fëmijët janë spektatorë të ashpër dhe të sinqertë, ata nuk pranojnë falsitetin, mungesën e vërtetësisë, prandaj në dramaturgjinë për fëmijë rolet duhet të jenë nga më seriozet e të besueshmet që t’u japin mundësi artistëve të vegjël të krijojnë figura sa më të plota.

Punoni me fatosa dhe pionierë. Në çfarë vështirësish hasni gjatë zgjedhjes së figurave për heronjtë e filmave, ambientimin e tyre me atmosferën dhe me personazhet e filmit?

- Në krahasim me artet e tjera, arti kinematografik në Shqipëri është më i ri. Trajtimi i temës së fëmijëve ka qenë gjithnjë në qendër të vëmendjes të kinematografisë sonë. Edhe atëherë kur prodhoheshin pak kino-zhurnale e disa filma dokumentarë jeta e fëmijëve zinte vend të veçantë. Në vitin 1958 u realizua filmi i parë artistik shqiptar. Filmi i dytë që u xhirua pas tij “Debatiku”, i kushtohej jetës së fëmijëve në vitet e luftës. Sot kinostudioja “Shqipëria e Re” realizon 14 filma artistikë në vit, ndër të cilët mesatarisht dy filma i kushtohen temës së fëmijëve, ku aktivizohen me dhjetëra fëmijë. Në çdo vepër kinematografike vendosja e roleve është moment tepër i rëndësishëm. Personazhet kërkohen kudo dhe kryesisht në shkolla. Ndërmjet mijëra fëmijëve që shikohen klasë me klasë, zgjidhen qindra tipa me të cilët punohet me kujdes vazhdimisht derisa rrethi i tyre ngushtohet e mbeten më të talentuarit, për të luajtur heronjtë e tyre. Para se të fillojë xhirimi studiohen me kujdes karakteristikat e secilit prej tyre, ne e dimë si reagon ai në momente të ndryshme, çfarë i pëlqen e çfarë nuk i pëlqen, kur qan e kur qesh. Duke e bërë të vetin individualitetin e aktorëve të vegjël dhe plastikën e tyre, regjisori ua kërkon atë pastaj me kujdes gjatë xhirimit të filmit.

Kusht i domosdoshëm gjatë xhirimit është miqësia e aktorëve të vegjël me aktorët e rritur. Kur kjo miqësi është krijuar natyrshëm, aktori i vogël gjatë xhirimit nuk e luan rolin, por e jeton. Aktorëve të vegjël u bëhet sa më e qartë atmosfera, rrethanat dhe ngjarjet e filmit të ardhshëm, bile që në momentin e parë ata thërriten jo me emrin e tyre, por me emrin e personazhit të tij, për ta futur kështu sa më mirë në botën e rolit të tij.

Dëshira e fëmijëve është që të shohin moshatarët e tyre në veprim sa më të natyrshëm, që ata në çdo gjë që thonë e veprojnë të jenë fëmijë. Kur materiali dramaturgjik është i vërtetë, kur ata janë ushqyer mirë me atmosferë, fantazia e të vegjëlve punon mirë. Regjisori e grupi realizues ndeshen me punën krijuese të të vegjëlve, me fantazinë e tyre që jep mundësi të mëdha për zgjidhje të reja krijuese. Gjatë procesit të punës ata e shfrytëzojnë me kujdes këtë jetë të gjallë që sjellin të vegjlit në sheshin e xhirimit. Kur aktorët e vegjël zgjidhen drejt, suksesi i filmit është i garantuar, ata me interpretimin e tyre të sinqertë vënë në pozitë të vështirë edhe aktorët me përvojë!

Sa kanë gjetur vend të vegjlit në kinematografinë shqiptare?

-Siç thamë më lart numri i filmave për fëmijë është rritur nga viti në vit. Fëmijët që interpretojnë janë të shumtë. Aftësitë e tyre krijuese me individualitetet e tyre shpërthejnë gjithnjë e më me forcë. Ky nuk është një shpërthim spontan, por rezultat i kushteve tepër të përshtatshme që u janë krijuar atyre në shoqërinë tonë, rezultat i punës së madhe për edukimin estetik që fillon që në kopshte, shkolla e shtëpitë e pionierit në çdo skaj të atdheut ku zhvillohet një aktivitet i gjerë artistik. Këta fëmijë me talent kanë mbajtur në dramaturgjinë e filmit për fëmijë role nga më seriozet si tek filmi “Debatik”, “Mëngjese lufte”, “Beni ecën vetë”, “Lulëkuqet mbi mure”, “Në shtëpinë tonë” etj. të cilët janë mirëpritur nga publiku i gjerë dhe jashtë vlerësuar me çmime të ndryshme.

Është bërë e rëndomtë që krijuesit në fund të pyeten për planet e tyre. A keni ju ndonjë plan konkret për ndonjë film të ardhshëm?

- Së shpejti do të filloj xhirimin e një filmi të ri me titull “Kur po xhirohej një film”, që do të trajtojë temën e edukimit dhe të formimit të fëmijëve nëpërmjet një jete aktive dhe të gjallë në shoqëri.

1980

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat