Disa fakte interesante për Ismail Qemalin

Kultura

Disa fakte interesante për Ismail Qemalin

Më: 24 janar 2019 Në ora: 11:17
Ismail Qemaili

Ismail Qemali lindi më 16 tetor 1844 në Kaninë të Vlorës dhe vdiq më 24 janar të vitit 1919 Sot janë bërë 100 vjet nga vdekja e Ismail Qemalit, kryeministrit të parë shqiptar dhe njeriut që shpalli pavarësinë e Shqipërisë.

Por, kush ishte Ismail Qemali? Cili është arsimi i tij. Cilat ishin detyrat e tij më të larta në hierarkinë e Perandorisë Osmane. Si ngriti në Stamboll klubin për pavarësinë shqiptare dhe si u internua nga pushteti turk. Përse sulltani e emëroi këshilltar të tij.

Ismail Qemali lindi më 16 tetor 1844 në Kaninë të Vlorës dhe vdiq më 24 janar të vitit 1919 në Peruxha të Italisë. Vetëm pas vitit 1990 është mësuar nga historiani turk me orgjinë shqiptare, Nexhip Alpan, që ditëlindja e Ismail Qemalit ishte në një ditë me atë të Enver Hoxhës. Por ajo është mbajtur e fshehtë, duke mos u shkruar në asnjë libër historie.

Në tekstet e historisë së Shqipërisë dhe tekstet mësimore datëlindja është shkruar më 24 janar 1844. Në fakt ajo është më 16 tetor 1844. Ismail Qemali, në fakt quhej Ismail bej Vlora. Emri i tij u ndryshua gjatë kohës së regjimit komunist mbi botëkuptime komuniste ndaj titullit “Bej”, por asnjëherë asnjë historian dhe personalitet nuk e ka shpjeguar këtë ndryshim.

Ai ishte një nga personazhet më të rëndësishme të familjes së njohur, Vlora një familje e pasur dhe me shumë tradita që ka nxjerrë shumë personazhe të rëndësishëm në jetën politike shqiptare.

Ismail Qemali jetoi 72 vjet, 3 muaj e 8 ditë ose gjithsej 2628 ditë. Ai kishte një shtat mesatar dhe me një trup me peshë po mesatare. Ismail Qemali mbante një veshje të kohës, me kostum të kohës, kravatë e kohës, flokë të thinjur të krehur me kujdes dhe me një mjekër të bardhë të krehur edhe atë.

 Ngjyra e kostumeve në përgjithësi ishte e zezë dhe në kokë mbante kapele. Ismail Qemali gjatë gjithë jetës së vet jetoi në këto shtete: Shqipëri, Greqi, Turqi, Itali, Bullgari, Siri dhe për pak kohë në Francë, Angli, Zvicër dhe Gjermani.

Ai u diplomua në gjimnazin Zosimea në Janinë dhe pas një karrierë të konsiderueshme në administratën turke. U arsimua në Paris për Shkenca Juridike dhe Ekonomike. Me këtë edukim ai ishte një nga më të arsimuarit në administratën turke të asaj kohe.

Ismail Qemali njihej dhe si një poliglot, një armë që atij i shërbente në të gjithë aktivitetin e tij politik për çështjen shqiptare. Ai njihte shkëlqyer gjuhën shqipe, osmanishten, turqishten e re, greqishten e vjetër, latinishten, italishten dhe frëngjishten.

Ai cilësohet si babai i kombit, duke qenë se ka kryer aktin më historik në të gjithë historinë e shtetit shqiptar. Ai ngriti flamurin e Pavarësisë në Vlorë, më 28 Nëntor të vitit 1912 dhe shpalli Shqipërinë shtet të pavarur duke i kërkuar fuqive ndërkombëtare ta njihnin këtë vendim.

Në asnjë rrethanë dhe në asnjë situatë, ai nuk e përdori këtë moment sublim për të përfituar dhe marrë vlerësime. Madje, në fjalimin e tij ditën e Shpalljes së Pavarësisë, ai është shprehur, se siç e donte Zoti që të ishte i pari të ngrinte flamurin e pavarësisë, ashtu të bëhej edhe hero i parë i shtetit shqiptar. Ismail Qemali, është kryeministri dhe kryetari i parë në historinë e shtetit shqiptar. Ai qëndroi në krye të qeverisë nga data 28 Nëntor e vitit 1912 deri në 22 janar 1914 për 12 muaj e 56 ditë. Në vlerësimet e punës që i kanë bërë drejtuesit e administratës turke për Ismail Qemalin janë shënuar këto fjalë: Vali i denjë, diplomat, deputet, udhëheqës shteti, mendimtar dhe kryetari i parë i shtetit shqiptar.

E nisi karrierën e vet politike si përkthyes në Ministrinë e Jashtme të Turqisë Osmane në vitin 1860. Detyra e dytë në administratë e Ismail Qemalit ishte në vitin 1868, drejtor i Sekretariatit në Zyrën Juridike në Sofje të Bullgarisë, që në atë kohë ishte pjesë e Turqisë Osmane.

Ismail Qemali, më pas mori detyrën e nënprefektit të rajonit të Rusçuk, një detyrë që e mbajti për pesë vjet. Në vitin 1873, ai jep dorëheqjen dhe largohet nga ajo detyrë, për emëruar sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme të Turqisë në vitin 1876, një detyrë që e ndihmoi shumë të njihte diplomacinë turke nga brenda, por edhe atë të huaj.

Në këtë detyrë qëndroi për një vit. Në vitin 1877, ai pëson një dënim në karrierën e tij, pikërisht për aktivitetin e tij patriotik ndaj Shqipërisë. Me arsyetimin se kërkoi autonominë e Shqipërisë, ai internohet për shtatë vjet në Kytahja të Anadollit. Por presioni i një pjesë të administratës turke, por edhe të patriotëve shqiptarë, bëri që sulltan Avdylhamiti t’i hiqte internimin dhe ta emëronte madje Vali në Bollu të Turqisë.

Ismail Qemali emërohet Vali në Siri, një detyrë shumë e lartë në atë kohë dhe për më tepër që bëhej fjalë për një krahinë që më vonë mori edhe ajo pavarësinë si shtet i pavarur. Këtë detyrë e mbajti deri në 28 qershor të vitit 1892. Për punë të mirë Ismail Qemali arriti të bëhej deri këshilltar personal i sulltan Avdylhamitit, në momentin kur Perandoria Osmane ishte në fund të saj. Një detyrë që e mbajti nga viti 1892 deri në vitin 1900.

Kjo e ndihmoi atë ta njihte nga brenda perandorinë. Më 1 maj të vitit 1900, sulltan Avdylhamiti për punë dhe cilësi të mira e emëron Vali i Përgjithshëm i Libisë, një detyrë mjaft e lartë e asaj kohe. Por Ismail Qemali u nis për në Tripoli, por rrugës kthehet dhe shkon në Paris, Londër e gjetkë, për të punuar për çështjen shqiptare.

Më 1908, me ndihmën e shqiptarëve të veriut të Maqedonisë, Ismail Qemali zgjidhet deputet i rrethit të Beratit, por në fakt ishte përfaqësues i gjithë Shqipërisë. Gjatë kohës që Ismail Qemali ishte deputet në Parlamentin e parë të Turqisë moderne, ai pati një peshë të konsiderueshme.

Fjalimet e Ismail Qemalit në Kuvend kanë qenë nga më oratoriket dhe më me mendim, duke nxitur kundërshtarët ta sulmojnë pa të drejtë. Ismail Qemali ra në sy në vitin 1871, pikërisht në zemër të Turqisë osmane, se paraqiti tre kërkesa të njëpasnjëshme për hapjen e shkollave shqipe në Shqipëri. Edhe pse punonte si pjesë e administratës osmane, mori pjesë në një mbledhje të rilindësve shqiptarë në Stamboll për të krijuar alfabetin shqip.

Në vitin 1865 Ismail Qemali nisi të punonte për pavarësinë e Shqipërisë, duke krijuar për këtë çështje një klub në kryeqendrën e perandorisë, Stamboll, bashkë me Konstandin Kristoforidhin. Shërbimi i sigurisë së administratës turke zbuloi se gjatë kohës që Ismail Qemali punonte për Turqinë, kishte hartuar një dokument për projektin e një Shqipërie të pavarur. Ky ishte edhe një nga shkaqet më të mëdha të përndjekjes që u ndërmor ndaj atij.

Ismail Qemali vdiq në rrethana misterioze në Peruxha të Italisë, pak momente para se të jepte një konferencë për shtyp. Deri më sot nuk ka në fakt një variant eksplicit të vdekjes së tij, por gjithmonë janë hedhur dyshime.

Dyshimi më i madh mendohet të jetë se ai është helmuar në ushqim nga qarqe greke dhe italiane antishqiptare, që e shikonin Ismail Qemalin si një personalitet me influencë të madhe për çështjen shqiptare. Kufoma e Ismail Qemalit është mbajtur në Peruxha për dy javë pas vdekjes, me idenë e balsamosjes. Por, kjo i shtoi edhe më shumë dyshimet për helmim, pasi i kanë nxjerrë të gjitha organet e brendshme për të zhdukur çdo shenjë për autopsinë.

 Ismail Qemali është varrosur dy herë. Herën e parë në shkurt të vitit 1919 në Kaninë, vendin e lindjes dhe të paraardhësve të tij, dhe herën e dytë më 28 Nëntor në Vlorë, viti 1932. Varrimi i dytë është bërë me urdhër posaçërisht të mbretit Ahmet Zogu, me rastin e 20-vjetorit të Pavarësisë.

Zogu dhe partia e asaj kohe i kanë bërë nderimet më të mëdha trupit të Ismail Qemalit, duke ia vendosur eshtrat në varrin që është edhe sot në Vlorë. Ceremonia për rivarrosjen e eshtrave të Ismail Qemalit është cilësuar si një nga ceremonitë më të mëdha që ka organizuar Ahmet Zogu gjatë gjithë kohës që ai ka qenë në pushtet. Ai i ka bërë nderimet më të mëdha atij që u quajt babai i kombit.

Ismail Qemali është nga ata personalitete politike dhe shtetërore që ka shkruar kujtimet e veta. Por kujtimet e tij nuk janë botuar asnjëherë të plota dhe kjo është çudia që e ka shoqëruar çdo gjë në jetën e tij. Pasardhësit më aktivë të Ismail Qemalit në ditët e sotme janë Darling Vlora, Nedim Vlora dhe Ariana Vlora.

Ndërsa shumica e pasardhësve të tjerë kanë vdekur, kurse pjesa tjetër është në emigracion prej shumë vitesh. Qamil bej Vlora (1895-1950) ishte djali dhe fëmija i fundit i Ismail Qemalit. Qamili ishte i vetmi djalë i Ismail Qemali që nuk u largua nga Shqipëria. Edhe pse nuk u mor me politikë, më 1946, pasi nuk pranoi bashkëpunimin me regjimin komunist, u arrestua me pretekstin “armëmbajtje pa leje”, pasi iu gjet një revolver, më shumë antik sesa funksional. Në burg u bë me tuberkuloz dhe vdiq në moshën 55-vjeçare.

 Ismail Qemali u martua dy herë dhe në të dy rastet me shtetase greke. Për herë të parë me një grua të  ndarë nga Konica, me të cilën nuk pati fëmijë, pasi vdiq gjatë lindjes së bashku me vajzën. Ndërsa për herë të dytë u martua në vitin 1886, me Kleoniqi Surmeli, vajza e një fisniku grek nga krahina e Edërnesë.

Ismail Qemali u detyrua ta rrëmbente gruan e dytë për arsye se ligjet e ndalonim martesën e një myslimani me një ortodokse. Siç shkruan në kujtimet e veta Ismail Qemali, me këshillën e vjehrrit e rrëmbeu nusen e ardhshme, ndërsa martesa u njoh zyrtarisht në 1886-n, ai ishte 23 vjeç. Nga martesa e dytë Ismail Qemali pati 9 fëmijë, tre vajza dhe gjashtë djem. Vajzat quheshin Myvedet, Alije, Ylvie. Ndërsa djemtë ishin Mahmud Bej, Tahir Bej, Et’hem Bej, Xhevdet Bej, Qazim Bej dhe Qamil Bej. Fjalimi i Ismail Qemalit në pasditen e 28 Nëntorit 1912, Vlorë, zgjati rreth pesë minuta. Fjalimi përmbante 450 fjalë dhe u ndërpre disa herë nga thirrjet e njerëzve që ishin mbledhur në sheshin e qytetit. Ndërprerja më e gjatë e fjalimit të Ismail Qemalit është në momentin që ai nxjerr flamurin dhe e valëvit atë në ajër dhe thotë “Rroftë Shqipëria e Lirë!”.

 Fjalimi i Ismail Qemalit në Shpalljen e Pavarësisë u lexua i gjithi në gjuhën shqipe. Në të përmendet Shpallja e Pavarësisë, lufta e Skënderbeut, vuajtjet e shqiptarëve dhe së fundi, një lutje drejtuar Zotit që të mbrojë shqiptarët dhe Shqipërinë e Lirë. Fjalia më e veçantë e fjalimit të Ismail Qemalit në Vlorë është: “Zotit të Madh,… të pranojë që këtej e tutje të jem unë dëshmori më i parë i Atdheut, ashtu siç pata nderin dhe fatin që të jem i pari ta puth e ta bëj të valëvitet i lirë.

 Flamuri i ynë, n’atdhenë t’onë të lirë”. Ismail Qemali e shpalli Pavarësinë për të gjitha trevat shqiptare. Në këtë akt hyn Kosova, një pjesë e Maqedonisë, Çamëria dhe pjesa që u shkëput më vonë nga Mali i Zi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat