Xhanfise Keko emër i madh në kinematografinë shqiptare

Kultura

Xhanfise Keko emër i madh në kinematografinë shqiptare

Më: 24 janar 2019 Në ora: 14:11
90 vjetori i lindjes së artistes, Xhanfise Keko u shënua edhe në Kosovë

90 vjetori i lindjes së artistes, Xhanfise Keko u shënua edhe në Kosovë. Në Kinemanë ABC të kryeqytetit u shfaq filmi dokumentar i cili i dedikohet regjisores Keko me titullin “Koha e pelikulës”, i regjisorit Mevlan Shanaj.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi u shpreh se mbetet  i përkushtuar që të shënojë ngjarje të rëndësishme kulturore që afirmojnë më shumë shoqërinë tonë.

Ai veprat e Kekos i ka konsideruar si pikë modeli dhe reference për të gjitha brezat.

Gashi: Me veprat e saj Keko i kaloi kufijtë kombëtar

“Filma ku ajo shkëlqeu me tërë forcën dhe talentin e saj. Konstatojmë se përpos tjerash imazhet e saj ndërtojnë atë forcë shprehëse të botës shqiptare e cila inkuadron për herë të parë në gjirin e vetë edhe botën dhe interesat e fëmijëve që të qojnë gjithnjë e më tepër drejtë lirisë dhe përparimit. Në vitet që pasuan filmat e saj u kthyen në analiza humane të marrëdhënieve familjare dhe shoqërore duke krijuar njëkohësisht tipa dhe karaktere të paharruara fëmijësh si qenie njerëzore që për herë të parë trajtohen në kinematografi, për të baraspeshuar me të rriturit. Kjo dhe zotërimi origjinal dhe përkushtimi i madh i artit kinematografik e bënë sot pas kaq shumë vitesh veprën e regjisores Xhanfise Keko t’i kaloj kufijtë kombëtar”, u shpreh ministri Gashi.

Kurse, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemajl Minxhozi duke e falënderuar MKRS-në për këtë organizim u shpreh se ka pasur obligim që të ia kushtojë një aktivitet të tillë një artisteje për filmat e së cilës kanë shfaqur interesim  edhe regjisorët e huaj.

Minxhozi: Interesit për filmat e Kekos iu shtua edhe Kosova

“Jam shumë i lumtur që interesi për filmat e saj kudo  që është shfaqur si në Amerikë, Kanada, Francë, Izrael, Britani e Madhe, sot i shtohet edhe Kosova ku po organizohet ky aktivitet dedikuar të vetmes regjisore grua të kinemasë shqiptare...10’55 Aktiviteti i sotëm për Xhanfise Kekon është edhe një obligim i imi i madh që në radhë të parë buron nga fëmijët e mijë të cilët megjithëse sot janë bërë burra e ndjekin me shumë kërshëri, me shumë qejf filmat që i kanë parë para 20 viteve”, ka deklaruar Minxhozi.

Për meritat e regjisores Keko foli edhe regjisori i dokumentarit “Koha e pelikulës”, Mevlan Shanaj i cili vlerësoi se regjisorja Keko konsiderohet themeluese e ekranit të madh shqiptar.

Shanaj duke folur për vështirësitë e përzgjedhjes së imazheve të filmave të kësaj regjisoreje tha se ajo është e paarritshme dhe e “çmendur“ për punën e saj.

Shanaj: Xhanfise Keko vazhdon të jetë regjisore e madhe

“Ata nuk janë filma për fëmijë, janë filma për të gjithë ne këtu të dimë si të sillemi, Xhanfiseja ka bërë filma vertikal, personazhet kanë qenë fëmijë, por mesazhi ka qenë për ne, dhe ne gjithmonë kemi për të mësuar nga mesazhet e Xhanfise Kekos, prandaj thash Xhanfise Keko është regjisore e madhe, jo ishte ajo është regjisore”, ka thënë Shanaj.

I biri i regjisores, Ilir Keko u shpreh se sa herë e shikon këtë dokumentar ka emocione sepse ka një marrëdhënie të dyfishtë me filmin.

Tha se ajo përmes fëmijëve i ka trajtuar dukuritë tabu të asaj kohë siç ishin divorci, demografia etj.

Keko: Mesazhet e saj i ka transmetuar përmes fëmijëve

“Vështirësitë që ka kaluar Shqipëria në të gjitha fushat edhe kuptohet në fushën e artit ka qenë akoma më e vështirë. Ajo është munduar i ka dhënë pak sigurisht dorë trajtimit të temës së fëmijëve sepse duke qenë filmi për fëmijë nuk kishte vëmendjen e duhur nga pushteti i kohës dhe ajo ato mesazhe që ka dashur t’i jap i ka transmetuar nëpërmjet syve të fëmijëve. Po të vini re në krijimtarinë e saj ajo e ka ulur kamerën në nivelin e kokave të fëmijëve, pra gjithçka çka shikohet, shikohet me sytë e fëmijëve”, ka shtuari ai.

Në dokumentarin “Koha e pelikulës” u shfaqen pamje të filmave të regjisores Xhanfise Keko, dhe mendime të shumta të aktorëve, regjisorëve, skenaristëve të huaj dhe shqiptar për regjisoren e parë shqiptare, Xhanfise Keko.

 Xhanfise Keko u lind ne vitin 1928 dhe vdiq në vitin 2007. Ishte një regjisore e shquar shqiptare e shekullit të 20-të. Ajo ishte regjisorja e parë e filmit shqiptar për fëmijë dhe konsiderohet si pionierja e atij zhanri filmi në Shqipëri. Keko është gjithashtu edhe kineastja e parë femër në Shqipëri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat