“(Zhgj)ëndërr erërash vjeshte” - (Ëndrra dhe funksionalizimi i saj si determinantë kyçe, në poezinë “Erërat e vjeshtës”, të O. Gashit)

Kultura

“(Zhgj)ëndërr erërash vjeshte” - (Ëndrra dhe funksionalizimi i saj si determinantë kyçe, në poezinë “Erërat e vjeshtës”, të O. Gashit)

Nga: Fatbardha Statovci Më: 25 janar 2019 Në ora: 12:34
Fatbardha Statovci

Diku brenda manifestit të famshëm surrealist, përpiluar nga Andre Breton, shkruan:

“Rrëfehet një histori, sipas së cilës Saint-Pol-Roux, çdo mbrëmje para se të flinte, vendoste një tabelë shënuese në derën e shtëpisë së tij në Camarete, e cila thoshte: POETI PO PUNON.”[1]

Kjo, për ta theksuar rolin e madh të ëndrrës në krijimet artistike dhe ndikimin e saj në psikën humane, si mekanizmi i parë i zinxhirit të prodhimit estetik. Ëndrra, si realitet psikik subkoshient, shihet nga surrealistët si gjendja e vetme në të cilën individi arrin lirinë e plotë të qenësisë dhe si shprehja më e sinqertë ideo-emocionale. Kësisoj, një raport ndërvarësie mes ëndrrës dhe veprës artistike paraqet një realitet të veçantë i cili tejbartet i tillë siç është në veprën artistike. Në të vërtetë, ëndrra ka qenë objekt hulumtimi i teologjisë, filozofisë e, përtej këtyre, edhe shkencës, për aq kohë sa ka ekzistuar njerëzimi. Duke qenë se asnjëherë nuk është dhënë qartazi ndonjë përkufizim lidhur me to, ëndrrat përherë kanë shërbyer si terren tejet joshës për eksplorim, sidomos nga shkrimtarët. Se ky fakt qëndron, e vërteton prania e saj edhe në “Epin e Gilgameshit”, që njihet si vepra e parë e shkruar e letërsisë, pastaj në “Iliadën” e famshme të Homerit, e deri në veprat e shkrimtarëve më modernë, si Dostojevski, Tolstoji, Oruelli, Dikensi, Borhesi, Sabato, etj. Pikëpamjet mbi ëndrrat marrin rëndësi të veçantë, sidomos me studimet frojdiane, të përmbledhura në librin e rëndësishëm “Interpretimi i ëndrrave”, ku interpretohen ëndrrat nisur nga baza e të pavetëdijshmes, teoritë e Jungut, pikëpamjet e Dekartit, shpjegimet e Shën Augustinit, etj.

Vetëdijshëm dhe me anë të një loje sugjestionuese, me ëndrrën si determinantë kyçe, poeti kosovar Osman Gashi, ndërton tekstin e tij poetik nën titullin “Erërat e vjeshtës”, ku formësohet lidhja inerte dhe e pashkëputshme mes praksisit fëmijëror dhe ëndrrës, si dy realitete krahasimisht të përputhshme.

Frojdi i lidh ëndrrat - të cilat i sheh si reagime ndaj stimujve psikikë - me periudhën e fëmijërisë, kujtimet dhe përvojat e saj, me të cilat lidhen edhe dëshirat e pavetëdijshme. Interaksioni mes këtyre dy kategorive prominente, në tekstin që kemi objekt trajtese, realizohet jo si rëndom dhe kjo për faktin se, shpesh, kufiri mes ëndrrës dhe zhgjëndrrës është aq i brishtë sa rrezikon të mos identifikohet. Pra, mes të kaluarës fëmijërore dhe ëndrrës futet edhe një gjendje zhgjëndrre, si urë lidhëse mes dy skajeve, njëra nga të cilat sjell materien dhe tjetra të përpunuar e bart në veprën artistike:

Image

Frojdi theksonte se ëndrrat e fëmijëve, në veçanti, lidheshin me eksperiencat ditore dhe ëndrra është një reagim i fjetur i jetës fizike mbi eksperiencat e ditës.[2] Sipas tij, ëndrra e fëmijës është një reagim ndaj ndonjë përvoje ditore, e cila i ka lënë një keqardhje, një dëshirë të madhe ose një dëshirë të papërmbushur.[3] Ai insistoi në faktin se ëndrrat e fëmijëve nuk ishin të pakuptimta; për më tepër ato ishin të plotkuptimta dhe shumë të rëndësishme. Proza poetike “Erërat e vjeshtës” shoqërohet nga një paratekst shpjegues “Copëza fëmijërie”, gjë që dëshmon menjëherë për përvojën e ndërfutur fëmijërore. Ndërkaq, për sigurinë e prezencës së ëndrrës nuk vërtetohemi deri në pjesën e katërt të tekstit, që është edhe pjesa e fundit e tij, dhe kjo, me gjasë, bëhet për ta mbajtur në nivel të lartë tensionin e përpjekjes së lexuesit për lidhje asociacionesh dhe revelim të semantikës tekstuale. Ëndërrimtari ynë, poeti në moshën e tij të fëmijërisë, manifeston psikozat e ndryshme ditore në një gjendje jokoshiente,  çfarë është ëndrra. Kështu, ankthi, mundimi, sëmundja, komplekset e mosrealizimit të veprimeve të ndryshme, dalin të gjalla në trajtat e tyre bruto. Në orbitën e ndërtuar nga Gashi, përplasen frikërat nga pësimi dhe vdekja, si diçka esenciale, dhe shpresa e shpëtimi, si elementë të dorës së dytë. Të gjitha situatat e dhëna në tekst mbështillen me doza të larta shqetësimi e preokupimi të subjektit, i cili, i gjendur mes situatash në të cilat i rrezikohet qenësia, por i paralizuar për shkak që mungon veprimi fizik si pasojë e gjendjes në ëndërr, dërmohet mes frikës dhe dëshirës, për shkak të  mendimeve që ia zënë frymën.

Dhe, këtu, në tentativë të shpërfaqjes së ankthit, kemi edhe futjen e thellë në botën ëndërruese e cila, sipas Frojdit, është gjendja e vetme e cila siguron gjumin, sepse truri nuk shpërqendrohet nga zhurmat e jashtme, i gjendur në botën e ëndrrës dhe realitetin e çuditshëm të saj. E ndikuar nga bota e vërtetë fizike, ku subjekti do të ketë qenë vërtet i sëmurë, gjendja e tij sillet mes përhumbjes dhe zhytjes totale në mbretërinë fantazuese që paraqet procesi i ëndërrimit. Lidhja mes dy realiteteve komunikon me anë të një gradacioni zbritës, ku niset nga njësia më e madhe për të shkuar deri tek ajo më e vogla. Kështu, po të shihet ky problem nga një prizëm deduktues, rezultati do të ishte ky:

Teksti nis në një gjendje makthi, që provon përvojën ëndërruese humane:

“Jam buzë një honi të thellë e të llahtarshëm, nga ku vetëm me një frymë mund të përplasem thepave tatëpjetë.”[4]

Procedimi vazhdon tutje me futjen ende më të thellë në strukturat e ëndrrës, duke shtuar këtu ndjesinë e etjes që diktohet nga realiteti fizik, përkatësisht nga zjarrmia që mund të ketë ndjerë subjekti ynë në një gjendje sëmundjeje:

“Po vdes për një pikë ujë. Po vdes.”[5]

Halucinacionet që i bashkohen tani ëndrrës, e çojnë akterin kah ankthi dhe tmerri:

“Një mijë duar zgjaten drejt meje, më çikin, më shtypin, më përkëdhelin. Etja ime shtohet. Unë digjem. Përflakem.”[6]

Kjo gjendje që rri pezull përherë mes dy skajesh, jetë-vdekje e ëndërr-zhgjëndërr, determinon gjithë rrjedhën e kësaj proze poetike. Tani, kalohet në një sferë tjetër. Ëndrra ndërron kahje dhe, ende e stacionuar krah ankthit, mundon personazhin me një enigmë që lidhet me numërimin e fletëve të një luleje jargavani:

“E shoh atje tej se si era një nga një i shpalon fletët një luleje jargavani. Ia numëroj, po s’arrij gjer në gjysmë, ato bashkohen të gjitha tok e shpërndahen e bashkohen sërish sa më topisin trurin.”[7]

Pra, vërehet qartazi një gjendje e kristalizuar ëndrre në të cilën përfundimi i një veprimi është i pamundur. Sipas teorive të ndryshme mbi ëndrrat, prezenca e një luleje në ëndërr do të thotë, ndër të tjerash, përpjekje për t’i bërë gjërat më mirë dhe shenjë që simbolizon sëmundjen, gjë që shpjegon dhe arsyeton se personazhi ynë fëmijë, sikur e paraqet teksti, është i preokupuar nga ndonjë mosrealizim i mundshëm veprimi ditor, sepse nëse ai tenton t’i numërojë fletët e lules dhe nuk ia del, kjo nënkupton mosrealizim edhe në jetën reale, dhe është i sëmurë.

Pjesa e dytë lidhet direkt me përvojat ditore, me historinë e gjyshit dhe praktikave të përditshme të tij, siç është shkuarja në mal për dru, për të vazhduar menjëherë me një lloj përmendjeje, ku ndihen qartë simptomat e sëmundjes. Vërtet, kjo është edhe pjesa qendrore e tekstit, pjesa ku mbikodohet gjithë bërthama semantike e tij: në tekst, era i shprish lulet, personazhi i kap ato me gjithë brishtësinë e tyre, ia ofron të ëmës dhe merr këtë përgjigje nga ajo: “Ja se ç’bën ERË E VJESHTËS!” Vjeshta këtu simbolizon një pragfund. Personazhi është i sëmurë dhe psikoza e vdekjes i është ngjitur në psikë sikur zam. Manifestimi i frikës nga fundi del shprehimisht, madje i sublimuar në raportin më intim, nënë-fëmijë:

“Ti duhet të kuptosh se unë jam tepër i vogël të ik nga kjo botë, kur fletët e jargavanit i kam, ja këtu nën jastëk në kutinë e xhamtë që më fali gjyshi.”[8]  

Në pjesën vijuese, njoftohemi me vazhdimin e historisë me gjyshin, e cila funksionalizohet si dromcë përditshmërie: tani, kemi prezencën e kungujve në ëndërr, imazh të cilin teoritë mbi ëndrrat e shpjegojnë si fat të keq, gjë që prapë na lidhet me vdekjen, kobin, zinë, për të vazhduar me minjtë të cilët simbolizojnë sëmundjen dhe shihen si reflektim i frikërave të brendshme dhe me gjarprin i cili, po kështu, simbolizon frikën e, në veçanti, ankthet e pavetëdijshme. Gjarpri i ëndrrës sonë është i verdhë dhe, specifikisht, këtij tipi të gjarprit i vishen konotime të shumta nga teoricienët psikologjikë të ëndrrave: gjarpri i verdhë përfaqëson dritën e brendshme e intuitën dhe ëndrra me gjarprin e tillë nënkupton se intuita provon të të udhëheqë drejt një përgjigjeje. Dhe, kjo shënjon fundin  e sagës së gjatë e të ankthshme të përpëlitjeve në ëndërr. Gjarpri, me plus zogun bilbil të inkorporuar në tekst si shtesë përforcuese e idesë, shënjojnë kthimin në jetë, në realitetin empirik dhe sigurinë për një shërim të mundshëm, zgjimin nga kllapia e shkaktuar nga ëndrrat. Subjekti deklarohet për mundimin nga ëndrrat (“Kurrë më parë s’kam parë kaq ëndrra”) dhe bunacën që ndjen tash (“Çdo gjë ka rënë në fashë”). Ndjesia se gjithçka është e përjetuar njëmend dhe nuk është ëndërr, shprehet në fjalinë “Ja edhe minjtë kanë pushuar”, fakt që shfaq kufirin labil mes ëndrrës e zhgjëndrrës dhe provon impulset e  brendshme të çdo njeriu pas përjetimit të ankthit. Vjen tani, si antipod, dëshmia reale e ekzistimit të sëmundjes, kur subjekti flet i zgjuar dhe koshient. Tani, lulet janë “nën jastëkun e tij në kutinë e xhamtë”, si mburojë hermetike nga “era e vjeshtës e cila në ëndërr do t’ia merrte me vete”. Kjo gjë shpërfaq idenë e qëndrimit ende në jetë të subjektit, i rrezikuar nga vdekja. E gjithë historia mbyllet me dëshirën e fëmijës që “atë t’ia rrëfejë të ëmës të nesërmen, kur t’ia ketë zbardhur drita dhomën e errët”, e kontrasti terr-dritë, këtu bëhet në llogari të idesë së kapërcimit nga ankthi në normalitet.

Kjo botë, e përbërë prej një trekëndëshi i cili mbështillet nga një tension i një mase tejet të lartë, bazën e së cilit e përbëjnë e kaluara fëmijërore e ëndrra dhe majën zhgjëndrra, funksionon mbi idenë e portretizimit të një gjendjeje amullie, ku subjekti luhatet mes ëndrrës dhe zhgjëndrrës, e para si shtrembërim i realitetit të njëmendtë dhe e dyta si impakt direkt mbi të parën. Bota reale përkon me botën e ëndrrës, veçse në ëndërr realiteti del i përçudnuar, mbushur me mundime e makthe. Kufiri i vendosur mes dyjave nuk bëhet i ditur dhe lexuesi gjithë kohën ka ndjesinë e mëdyshjes mes asaj nëse ndodhitë po ngjajnë në realitet apo jo: kështu, kemi rastin me gjyshin, i cili herë shihet herë jo; pastaj, njëherë është dimër, herën tjetër nuk është, etj. Përhumbja përforcohet si ide edhe me përfshirjen e togut “erërat e vjeshtës”, për ta përshkruar kështu ostrinë e cila shënjon endjen nga terreni real në atë metafizik. Kjo botë ëndrrash dhe zhgjëndrrash, kurrsesi monokromike, paraqitet në një mënyrë par excellence, si ekzaltim për shërim dhe si dramacitet i skajshëm, i prodhuar nga lufta e brendshme jetë-vdekje. Ekstatizmi për jetë, dhënë përmes një aporie të çuditshme që konsiston në ankthe të njëpasnjëshme, synon një ataraksi spirituale, e cila në fund duket se arrihet.

Kjo prozë poetike, ndër tekstet më të koklavitura të këtij autori dhe ndër të rrallat që trajtojnë topikën e ëndrrës në raport më zhgjëndrrën me ton të këtillë në gjithë letërsinë shqipe, mund të shihet në korrelacion me pikturën e famshme të Henri Rousseau-së, “Ëndrra”, e vitit 1910, njëherazi edhe piktura e fundit e tij, e cila formësohet nga elemente pothuajse identike, çka paraqet një komunikim interesant artistësh e veprash, parë në sensin e dikotomisë ëndërr-realitet: kemi gjarprin, zogun, lulet dhe një personazh-femër, e cila, në ëndërr, gjendet e rrethuar nga një botë shumëngjyrëshe elementësh, sikundër gjendet personazhi ynë fëmijë në botën e tij unike e të çuditshme.

Kështu, deviza e surrealistëve se sa fle “poeti punon”, është e padiskutueshme dhe kjo ide ka evokuar interesin e shkrimtarëve të cilët, të shumtën, i sjellin përvojat si një miksturë kakofonie, si afirmim i një bote ekzistente dhe atraktive për t’u parë si objekt frymëzimi. Vepra, si projeksion i tillë, del si përzierje faktorësh integralë realë e irrealë, dalë nga skutat më të thella të ndërdijes, nga ku edhe del ëndrra si fenomen i mjegullt, i lidhur me botën fizike dhe implikimet e jashtme.

Fenomeni “ëndërr” e përcjell poetikën krijuese të Gashit në masë të madhe dhe do të ishte me interes që ky tekst të shihej në raport edhe me tekstet tjera të librit, të cilat e përcjellin ëndrrën si shqetësim e frymëzim krijues.

[1] Manifesto of Surrealism, Andre Breton, 1924

[2] Sigmund Freud, A General Introduction to Psychoanalysis, Part Tëo: The Dream VIII. Dreams of Childhood, 1920.

[3] Po aty

[4] Osman Gashi, Lumenjtë qiellorë, Rozafa, Prishtinë, 2004, f. 72

[5] Po aty

[6] Po aty

[7] Po aty

[8] Po aty.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat