Boll një, për dy!

Kultura

Boll një, për dy!

Nga: Bajram Sefaj Më: 28 janar 2019 Në ora: 11:22
Bajram Sefaj

U lind djalë. Pa vakt a s’dihet çka dreqin u bë, u lind djalë, me vakt a pa vakt, mos pyet. Ç’t’i besh. Emrin ia ngjitën Gafurr. Unanimisht. Gati pa menduar fare e njëzëri, me plebishit. Pa menduar dhe debatuar fare, si ndodh  zakonisht, sidomos andej nëpër fshatra, ku deri vonë, nuk kishte as rrymë elektrike. Dritat akoma nuk kishim shkrepë. 

Që nga lindja nuk e  thirri kush, as nënë e babë, as vëlla, as motër, askush nuk e thërriste Gafurr por Gaxhurr. Gaxhurr sot, Gaxhurr nesër Gaxhurr, Gaxhurr pasnesër e përditë Gaxhurrr.

Gaxhurr se Gaxhurr!

Sipas te gjitha gjasave, si për të përligjur të  vërtetën se emri që njeriu e bartë me vete si lëkurën vet, sa të jetë gjallë, pos tjerash edhe, në një farë mënyre përcakton fatin e tij. Nuk janë të rralla rastet kur ai që ka emër disi të keq, jo të zakonshëm, të rrallë e të përçudshëm, siç është në ketë rast emri Gafurr, hala më keq Gaxhur, nuk mund të ketë jetë të mirë, as normale e jo më të lumtur, të lumtur aspak. Emri, pra, shumë herë del si përcaktues i fatit jetësor të individit. Sa ma i shëmtuar emri, aq e më e shëmtuar, me përjashtime të vogla e të rralla,  jeta dhe fati i bartësit të atij emri. Prandaj nuk thuhet rastësisht, mbase as pa një mbështetje, qoftë periferike shkencore se, në një farë mënyre, emri është njëfarë mallkimi. Emri si mallkim!

*     

Me emrin mallkues, Gafurri u rrit. Burrëroi. Veçse nuk u nis rrugës tatëpjetë. Tashmë iu harrua emri me të cilin e kishin regjistruar në ofiqari. Nuk e njihte kush me atë emër. Madje as të afërmit e farefisi i ngushtë, lere me dikush tjetër, më i largët. Mallkuese ishte edhe lëngata e varfërisë. Familja e Gafurrit  kërthi, ishte në fund të pusit sa i  përkiste pasurisë, të kamurit. Ishte skajshmërisht e varfër. Pa asnjë perspektivë se, ndonjë ditë, do t’i lind dielli mbi çati. Kjo ishte një rrethanë e keqe, vështirësues, rënduese, ndaj askush nga familjarët, nuk ia vente veshin emrit të djalit a vëllait, Gafurr. Le të quhet si të duash, si të duan të tjerët, Gafurr, Gaxhurr krejt një. Familja e tij kishte të tjera halle mbi krye. Halle e derte ekzistenciale. Te jetës në skamje e vobekësi të gjatë. Gjithnjë në luftë për ekzistencë!

 Askush nuk merrej me Gauxhurin!

 Madje as që ia numëronte kush vjetët e jetës. Askush, as ai vetë, nuk e dinte se ç’moshë kishte e as sa vjeç ishte. Kush dinte atëbotë për ditëlindje dhe festimin, kremtimin e tyre.

Vjetët e kishin bërë punën e tyre. Kishin ecur mbi leqet e kurrizit  e tij të dredhur. Kishin punuar pa ndalë, natë e ditë. Shtatin, asht e lëkurë, të Gaxhurit të shkretë e kishin ngarkuar me barrë të renda. Si dielli e hëna që rrotullohen rreth boshtit të vet dhe rreth sistemit diellor (diellit), ashtu edhe vjetët ishin sjellë e mbështjellë rreth trupit të tij të hajthëm, e, gjithnjë e me të lodhur dhe të kërrusur. Gjithnjë fytyrën kishte pa qehër,  të ngrysur e mbuluar me leshra të palara. Veç kur rrallë e për mall, gjendej dikush, ndonjë shpirtbardhë e bamirës, t’ia hiqte mjekrën, keq e për adalet, hiç pa e lagur.

Ky ishte Gaxhurri, kjo ishte jeta e tij!

Për martesën e tij as që bëhej fjalë. Askush nuk e përmendte as që e zëntë në gojë. Askush. Mundësia për një gje të tillë ishte absurde. E pa bazë. E pamundur. Ireale. Gaxhurrit vetë, aq me pak,  i ikte mendja drejtë një mundësie të tillë abstrakte.

Në anën tjetër, për besë, shumë e lakmonte nusen e komshiut të parë, Harunit, kur për pak ishin moshatarë. Me një ndryshim të vogël: familja e Harunit, (Haruni pakgjë ose hiç ishte me di mirë se Gaxhurri), por  se familja e tij, për një çikëz ishte më e pasur se ajo e Gaxhurrit. Ky niansim  sado i imtë dhe i padukshëm, kamje i kishte dhënë mundësi që djalit, sidoqoftë, t’ia gjenin një nuse!

Për mrekullinë Zotit dhe të të gjithëve bashkë, nusja e Harunit teveqel e qel, që as qurrat nuk ishte në gjendje t’i fshinte, kishte qëlluar shumë e bukur. Një bukuri perri...

Gaxhurri, në anën tjetër, vazhdonte të lakmonte. T’i lëpinte buzët maçorr i uritur, të digjej e piqej... Mbështetë për murin e pikëllimit dhe të heshtjes mur!

*

Një ditë fund vere, rastësisht dhe papritmas krejt, gjersa Gaxhurri, herët në sabah, si zakonisht përshurrte mbi një çufër hithëth, m’as shpije!, përmes birave te gardhit nusja e Harunit, ia pa matrakun e ngordhur e të madh sa s’dihet, me krye të kuq e dej të mbërthyer! Nusja ngel e stepur. Han shtatin e dredhet si përhumbur.  Iu bë se send më të bukur nuk kishte parë, në jetën e saj!

*

Atë ditë e sot, kurrë më nuk e kishte përmendur divorcin nga Haruni që, më së paku e duronte në shtrat e, aq më pak kur e kishte mbi vetë e shpurdhte sikur bënte diçka në yrnek seksi, me një luc (penis) sa grima që nuk e mëshilte as një birucë të vogël miniaturale e lerë më grykën e vullkanit aktiv mes këmbësh të nuses, përherë të gatshëm për kacafytje e dyluftim, trupi me trup!

Gaxhuri i shkretë, kur vinte puna andej nga martesa, e vartë buzën në gaz, tundte kokën tullace, përgjigjej se bënte idare dhe se arnohej disi...

Sa dëshirë kishte të thoshte dhe botërisht të pranonte se: Nusja e Harunit, po na del boll të dyve. Sa herë pëlciste të zbërthej e të plasë si tullumbace, megjithatë, nëse jo dy fije, një fije mend në krye i kishte.. 

(diku në Francë, janar 2019)

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat