Rruga për të qenë vetja

Kultura

Rruga për të qenë vetja

Nga: Remzi Salihu Më: 29 janar 2019 Në ora: 11:13
Remzi Salihu

‘’Kush je ti’’është libri i radhës, i Sheki Useinit, që na çon drejt sfidave të fuqishme jetësore, drejt atyre largësive dhe thellësive të kapshme dhe të mundshme të qenies njerëzore. Në këtë vëllim poetik hasim edhe dinamikën e gjuhës dhe rezymenë e meditimit spiritual konciz. Është dinamikë meditimi transformues shpirtëror, ku gërshetohen në të misteret e suksesit dhe ligjet universale të motivimit njerëzor. Natyrisht se këtu kemi të bëjmë me vlerat universale e individuale që qarkullojnë nëpër këtë rruzullin tokësor. Është libër i thuktë që ka shumëkuptimësinë e qasjes reale, që për nga brendia e frymës së mesazhit të dhënë, njëherë të jep nxitje për të forcuar veten dhe së dyti të hap shtegun kuptimor të njohjes së thellësisë së tjetrit në rrugëtimin e mundshëm të përvojës jetësore, për të qenë sa më i suksesshëm dhe sa më i lumtur në jetë. Aty në mënyrë meditative skalitet mjeshtërisht mesazhi i filozofisë së individualitetit.  

Fuqia e mendimit te vëllimi poetik ‘’Kush je ti’’ i Sheki Useini mundëson kërkimin e së panjohurës së strehuar në vete, kundrejt rrethanave përjetuese reale drejt botës që na rrethon. Në këtë libër ka shumë pyetje, por këto pyetje provokuese kanë edhe orientimin e tyre unik për të gjetur veten e humbur nëpër misteret e shumta të së panjohurës jetësore. Janë vargje mistike me një emocion të ndjeshëm real, që japin mesazhe optimiste të vetëdijesimit të vetes, për të mbërritur në tempullin e suksesit të arritshëm. Sepse jeta e secilit është një ‘’supermarket’’i pasur dhe i mundshëm për ta plotësuar dhe shpërblyer veten dhe të tjerët. Poeti jep alternativë jetësore, me një vizion të qartë dhe me një energji pozitive, për ta gjetur sa më lehtë rrugën më të përshtatshme drejtë të bukurës, të madhërishmes ekzistuese në vete dhe natyrë. Ai vazhdimisht na futë nëpër këtë lulëzimin jetësorë të lumturisë përsosmërisë së vetes, duke u shërbyer dhe kujdesur me të gjitha të mirat dhe alternativat e kapshme të kësaj bote. Prandaj mund të themi se nëpër ligjërimet e tij të vlefshme poetike, forcon karakterin individualist të njeriut dhe shoqërisë. Ai me këtë rrugëtim meditativ, e stil kreativ të veçantë, hap perspektiva sublime dhe optimiste njerëzore, për gjetjen dhe orientimin adekuat të vetes në shoqërinë moderne. Sheki Useini duke treguar bindshëm dritën e ndriçimit në brendinë e errësirës së penguar individuale, ai zgjidhë nyjën e pengesave të shumta njerëzore, sidomos ato ndalesa e kufizime shpirtërore, të cilat më vonë bëhen shkaqe evidente të dyshimit brengosësh për mossukses real. Sidomos autori na njofton dhe bindë për shumë anomali kufizuese të mundshme në vete, që janë të akumuluara dhe të ngarkuara nga shumë faktor të brendshëm dhe të jashtëm. Bile flet për atë ngërç të dukshëm të errësirës së panjohur vetjake, e cila është faktor i mistershëm që pengon zhvillimin dhe suksesin normal të njeriut në kohën e sotme. Ai mundohet me një vetëdije të lartë të gjejë shtegun dhe alternativën veprimit më të përafërt për harmonizimin e Mendjes Trupit dhe Shpirtit, drejtë një jete të re dhe më të begatshme në shoqëri.

Vetëm prania e të pasionuarve profesionist dhe dashuria e tyre për punën dhe veprimin e ndërmarrë, serioz, në ndonjë aktivitet të rëndësishëm shoqëror e njerëzor, jep veprim konciz të daljes me sukses të destinuar te qëllimi dhe te devotshmëria e ndërgjegjësuar, e cila fuqi dhe kondicion, më vonë bëhet energji pozitive për suportim perspektivash dhe vullnet të pa lodhshëm drejtë perspektivës jetësore. Sheki Useini mendon se çdo njeri normal i ardhur në këtë botë brenda vetes ka të strukur aftësinë dhe mundësinë për përparim e sukses real. Ngase vet fati i njeriut është i pranishëm në sferën e lirisë së vet bashkë me përgjegjësinë që ka brenda rrethit ku ekziston e vepron. Të kuptuarit drejtë të kësaj lirie individuale dhe shoqërore është arti i të mundshmes dhe i përsosjes së vetëdijes normale, për sukses në të ardhmen e tij.

Njeriu është përherë në luftë me kërkesat e brendshme dhe të jashtme. Brenda qenies së tij krijohet një dramatizim i madh dhe i përhershëm, për sukses dhe mossukses. Pastaj kjo gjendje e krijuar brenda vetes nuk mund të jetë absolute, sepse ajo ndryshon nëpër etapa të ndryshme kohore, sipas qëndrimit konsekuent që merr individi gjatë përvojës dhe rrugëtimit, apo sipas vullnetit që ndjek për ta ndryshuar veten. Suksesi gjendet brenda nesh, por sa investojmë ne për këtë përkryerje që kemi dhe sa bëjmë brenda vetes këtë transformim sublim njerëzor. Kjo vlerë zhvillimi përherë mund të vërehet nga distanca kohore që kemi kaluar. Dhe këtu bëhemi të qartë, po qe se dëshira dhe vullneti e ka fuqinë e destinacionit tonë në drejtim të duhur, dhe po ky drejtim i synuar, serioz, po të bëhet me zemër dhe pa frikë, suksesin sigurisht se do ta kemi në duar tona të vlefshme. Prandaj guximi merr forcën e veprimit sipas qëndrimit që kemi marrë gjatë përvojës jetësore, duke u bazuar në suksesin e drejtë dhe të merituar.

Në shoqëritë ‘’moderne’’ njeriu është i detyruar të dal nga lëvozhga shoqërore totalitare, sidomos, të asaj pritjes së lumturisë nga të tjerët, e cila lumturi mund të ekzistoj përkohësisht, por ajo mundësi e përkohshme, e dhënë nga të tjerët, në kohën e sotme e ka suksesin e kufizuar. Prandaj atë të mirë çka ta japin të tjerët dhe ti atë e pranon me lehtësi të madhe, nuk e ka atë vlerën e qëndrueshme dhe të gjatë, brenda miratimit të saj të gëzueshëm afatshkurtre në qenësisë tënde. Ky peshqesh i dhuruar dhe i pranuar shpejtë, të themi kështu lehtë, gjatë këtij rrugëtimi jetësor të gjatë, nuk mund të merret si sukses i përjetshëm, sepse diçka e dhënë, sot, nga të tjerët edhe mund të të merret me kalimin e kohës. Vetëm zbulimi i fshehtësive avancuese te individi mund të bëhet forca garantuese e perspektivës së suksesit. Hapjen dhe rrëzimin e këtyre barrierave penguese të mos suksesit, mund ta bëjmë vetëm duke e fuqizuar burimin e energjisë personale dhe duke e shkurtuar kohën e dyshimit dhe krahasimit të qëllimit të ndërmarrë, me fjalë të tjera të bëhet koordinohemi adekuat me energjinë tonë të qëllimit të mirë, kryesisht duke ndërprerë, mundur, rrethanat penguese, me bindje dhe me vendosmëri vetëdijesimi,  sidomos mundjen e asaj pjerrtësie të pa kapshme të rrugës së frikës. Trashëgimi i të mirave të gatshme bëhet ngarkesë mendore e njeriut të sotëm, e cila nga prania e lehtë e saj, tanimë, mund ta futë njeriun e ri në rrugën e më tejshme të mossuksesit individual. E bën atë parazit për t’i dhënë fuqi neglizhencës vetjake për mosveprim. Njeriu nuk duhet të pres, se suksesin dhe fatin e lumturisë së vetes mund të t’ia sjellin të tjerët, se ajo ‘’dhuratë’’ e gatshme është e pa mundur për zhvillim, pastaj nuk ka efektin pozitiv të gjatë në këtë botën e sotme, që është stresuese dhe mjaft dinamike. Nëse dikush nga të afërmit e tu në të kaluarën e ikur, ka qenë i suksesshëm, nuk do të thotë se edhe ti do të jesh i suksesshëm në jetë tënde me të mirat e trashëguarat e gatshme të tij, ky veprim, gjoja komod, nuk ka garanci të përhershme. Ne të gjithë në jetë kemi shembuj të këtillë të ndodhive dhe sukseseve njerëzore. Sot pengesë kryesore e këtij disponimi është mosveprimi dhe zhgënjimi në kohë dhe afat të caktuar. Nëse duam ta largojmë këtë gjendje të mjerueshme, të vështirësive ekzistuese, të strehuar në ne, duhet t’ia bëjmë këtë pyetje vetes: ‘’Kush je ti’, që frymon në këtë botë? Është pyetje që na çon drejt brendisë dhe rrënjës së zgjidhjes së problemeve dhe ngatërresave të mundshme. Një zgjidhje e drejtë, alternative, na afron me meditimet e tij edhe Sheki Useini. Ai në librin e tij na tregon shkaqet dhe pengesat që njeriun e mbajnë të lidhur për mossukses. Nuk them se libri është një ‘’Hajmali’’ i çlirimit të atij ngërçit të madh individual, që sapo i hap kopertinat dhe mesazhin e dhënë, mund të çlirohemi menjëherë nga pengesat e mundshme që kemi ngarkuar në vete, sidomos nga komplekset dhe karakteri që kemi ndërtuar nëpër kohë. Mbase libri është një udhëzim i mbarë, për çlirim, në qoftë se atë e kuptojmë drejtë dhe me vëmendje të posaçme. Por posaçërisht duhet kuptuar këtë mesazh drejtë, sepse ky libër, mund të themi lirshëm se është një absorbim idesh të përjetuara dhe të gërshetuara me kujdes në qasje personale, sidomos nga ajo shkrirja e përvojave të shumta të spiritualistve dhe njerëzve të suksesshëm në botë.  

Prandaj ne duke i pranuar këto përvoja dhe vlera të dhëna, mund të themi bindshëm se secila kohë e ka suksesin dhe mossuksesin e vet. Individi si pjesëmarrës dhe dëshmitar i kohës së vet mund edhe ta diskriminoj veten me mosveprim adekuat, të mosnjohjes së vetes. Fuqinë e suksesit ai e ka të strehuar në vete, por ajo fuqi nuk mund të duket dhe të dal në skenë, pa vepruar dhe pa eliminuar neglizhencën e krijuar nga frika dhe pa përvoja adekuate e veprimit. Njeriu pa krijuar autonominë personale nëpër rrugën drejtë të suksesit, nuk do të ketë rezultate pozitive të gjata. Nga kjo bindjeje del se pamaturia e veprimit vjen nga moskuptimi i konstruktivitetit kauzal dhe i mos integrimit të saj në realitetin kohor. Shëndeti, frika, mburrja, janë faktorët kryesor për mossukses. Prandaj duhet kërkuar ‘’çelësin’ e vërtetë të kohës së sotme, për hapjen e derës së vërtetë dhe kërkimin e shkaqeve, që do ta gjejë rrugën e vërtetë dhe do ta eliminojmë pengesën e shkaqeve ekzistuese për mossukses. Madhështia dhe suksesi janë në zenitin e brendisë tënde, por këtë mundësi të arritshme, mendja e fiksuar në frikë dhe mburrje, është ajo ndalesa madhe dhe kryesore e mossuksesit, që nuk lejon, në të shumtën e rasteve, t’i tejkalojë këto grila dhe barriera të vetes.

Në fund mund të themi se vëllimi poetik ‘’Kush je ti’’ia vlen të lexohet, se është një mesazh burimor, interesant, për t’u çliruar nga burgu dhe izolimi i vetes, gjegjësisht për ta gjetur rrugën e suksesit dhe praninë tënde brenda kësaj shoqërie ekzistuese, të sotme.     

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat