Vetmini

Kultura

Vetmini

Nga: Albert Z. Zholi Më: 30 janar 2019 Në ora: 09:30
Albert Z. Zholi

Ndalova në autostradën e lagjes Nea Zmirni (Athinë), përballë një dyqani të madh e të bukur, ku në vitrinë të prishnin sytë paisje qelqi e porcelani me artin e bukurisë brenda…

- Zotin Dhimitër dua, pronarin, ju luta një mesoburri që rrinte tek dera në pritje të klientëve.

- Ja tek është, më tregoi ai me dorë një burrë të shëndoshë e mbi 70 vite mbi supe.

- Eca me kujdes se mos rrëshqisja nga shkëlqimi i qelqeve, që ndjeja sikur më shikonin mua dhe iu prezantova pronarit: 

- Zoti Dhimitër, jam miku i Janit, erdha për atë punën.

- Oh shumë mirë,- dhe më dha dorën pastaj vazhdoi.

- Nga je mor djalë?

- Jam nga Shqipëria – dhe e pashë në sy pronarin, që do më punësonte. 

- Shqiptar safi ? – më foli ai me një shqipe disi të deformuar.

- Shqeto, pa sheqer ...-ia kthej unë duke qeshur para fytyrës së tij babaxhane.

Ai u kënaq nga përgjigja ime dhe foli: 

- Edhe unë rrënjën andej e kam, dhe nisi të më tregojë greqisht, për të folur më rrjedhshëm. – Stërgjyshi im ka ardhur këtu para 200 vjetësh. Është histori e gjatë ajo e stërgjyshit tim, por unë do ta them shkurt se do punojmë apo jo?!

- Po.

- Stërgjyshi im ishte djalë i ri atëherë - Nuk i kishte bërë të njëzetë vjetët. Donte të ikte në kurbet siç i thonë të ikurit. Priti një javë në skelën e Durrësit sa erdhi një vapor nga përtejdetet. Vapori ishte nga Spanja, por se ku vente nuk dihej. E le të vente ku të donte, stërgjyshi im djalë ishte e donte të vente matanë botës. Priti sa u ngarkua vapori dhe fshehur e fshehur, iu ngjit si kërmill. Kur iu mbush mendja se duhej të delte, doli në guvertë. Shqyen sytë ata të vaporit . Ca donin ta mbanin në vapor, ca ta hidhnin në det. Por kapiteni nuk bëri as njërën dhe as tjetrën. “Nuk është barbar ky, jo- tha kapiteni – është djalë i bukur dhe nuk e tregoi atë që kish vendosur në trurin e tij.

Sa erdhi anija në molin e Pireut e zbritën “djalin e bukur”. Anija vazhdoi rrugën e saj ai mbeti i vetëm në Pire. Punën e donte. Hop këtu e hop atje deri sa erdhi në këtë vend e nguli themelet. Kjo lagje ka qenë ferra, gurë e baltë e kuqe. Erdhën të ikurit nga turku, që e donin jetën dhe kush e do jetën e bën që të jetohet. Edhe stërgjyshi im ishte i vetëm pa nënë e pa baba, pa motra e pa vëllezër (ndaj vuri atë mbiemër). Por halli të bëhet shok … Dhe bëri familje stërgjyshi im, e bëri fëmijë, e ja tek jam unë tani pas kaq brezash. Nga ajo kohë e deri më sot ne mbajmë emrin e fisit VETMINI. Edhe mua Dhimitër Vetmini më thonë. Edhe dyqani VETMINI e ka emrin, e sheh?- më tërhoqi nga krahët deri tek sytë e dyqanit, ku shkruhej me gërma të mëdha VETMINI. Hë do punojmë apo jo ?- foli pastaj miqësisht dhe më tregoi se ku do të punoja.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat