Portreti artistik i Xhanfise Kekos

Kultura

Portreti artistik i Xhanfise Kekos

Nga: Gani Mehmetaj Më: 31 janar 2019 Në ora: 07:40
Xhanfise Keko

Xhanfise Keko ka lënë gjurmë në kinematografinë shqiptare me filmat artistikë për fëmijët. Mënyra e trajtimit të temave, qasja e ngrohtë, stili i veçantë, shpirti prej artisteje, njohja e psikologjisë fëmijërore, ka bërë që shikuesit e të gjitha moshave e të shtresave sociale ta duan, ta pranojnë në shtëpitë e tyre dhe ta marrin model. Xhanfise Keko u prit mirë në kohën kur i shfaqi filmat, u prit mirë dhe u vlerësua edhe nga kritika jashtë Shqipërisë, ndërsa këtë fakt sikur të mos e përjetësonte në shiritin e celuloidit (pelikulës) Mevlan Shanaj, pak njerëz e dinin, përkatësisht pjesa më e madhe e shikuesve nuk e kishin të njohur, ndërsa i kishin shikuar me ëndje filmat e saj. Intervistat me kritikë në festivale ndërkombëtare ia shtuan peshën filmit dhe sollën risi për rrumbullakimin e krijimtarisë artistike të regjisores.  

"Koha e pelikulës", film dokumentar i Mevlan Shanajt, nxori në pah jetën artistike të kësaj kineasteje, shpalosi raportet  me personazhet- fëmijë, dha në ekran marrëdhëniet me bashkëpunëtorët e filmave, si edhe nxori pjesë nga jeta e saj familjare etj. Kishte edhe çaste dramatike që të emociononin deri në lot, por ishte ndjenjë e veçantë kur e shihje Xhanfise Kekon ashtu sikurse nuk ishe mësuar ta shihje, sepse fati i regjisorit është se gjithnjë qëndron prapa kamerës, i mëson të tjerët si të sillen, e realizon filmin dhe në fund dalin aktorët në ekran.

M. Shanaj (aktor e regjisor i filmave artistikë) tashmë dokumentarist i thekur, ka bërë portretet e disa prej aktorëve më të njohur, ku spikat portreti i Ndrek Lucajt e ai i Vangjush Furxhit. Ai ka realizuar edhe dokumentarë - dëshmi të një kohe e mënyre të jetesës që po shuhet nga jeta moderne e ndërtimi kaotik i kryeqytetit shqiptar .

 Shanaj, në "Kohën e pelikulës", kryesisht u përqendrua në krijimtarinë artistike, por nuk e la anash as kohën e studimeve të kryeprotagonistes Xhanfise Keko në Moskë, fillimin e punës në kinostudio dhe përcaktimin për një lloj të veçantë të filmave.

Qëndrimin e regjisores ndaj familjes e vë në pah disa herë, sepse filmat e saj ishin model i edukatës  e i qasjes ndaj fëmijëve. Jeta artistike e publike ndërthurej mirë me jetën private e familjare, pra ishte ajo Xhanfise që rrezatonte ngrohtësi e pozitivizëm në mënyrë të vazhdueshme. Shanaj përqendrohet në figurën e Xhanfise Kekos, në preokupimet e saj, dhe në mënyrën se si e kuptonte ajo psikologjinë e të vegjëlve, si u qasej që nga fillimi për të kapur pastaj jetën e tyre në raport me njëri-tjetrin dhe me të rriturit. Ishte emocionuese kur protagonistët – fëmijë, të filmave të saj, flasin sot pas tridhjetë ose dyzet vjetësh.

Filmi u shfaq në kino "Abc" në Prishtinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat