Sytë që të shërojnë

Kultura

Sytë që të shërojnë

Nga: Manushaqe Halili Më: 1 shkurt 2019 Në ora: 11:21
Manushaqe Halili

“Dhe më pëlqen ta them, se  vura re që fytyra e saj jo vetë transmetonte buzëqeshje dhe gatishmërinë, por tek sytë e saj pashë, atë më të rëndësishmen, “anën njerëzore”, që të gjithë kemi aq shumë nevojë për të, veçanërisht kjo i duhet pacientëve”

Në njërën nga sallat e mëdha të tre palestrave, të pajisura me vegla të shumta e të ndryshme , mbushur plot e përplot me pacientë,në mes të djemve dhe vajzave punëtore dhe të heshtura fizioterapiste, që u shërbenin me përkushtim pacientëve, më ra në sy edhe një instruktore e fizioterapisë. Jo vetëm fiziku i saj: një trup i gjatë, e hijshme dhe elegante, por njëkohësisht  dhe shumë e shpejtë, në të ecur por edhe në të folur. E pashë që kalonte nga vegla në vegël, shkëmbente biseda të shkurtra me pacientët duke i instrukturuar, këshilluar dhe ndihmuar. Po, mbi të gjitha më ra në sy, që fytyra e saj shpërndante profesionalizëm të shoqëruar edhe me buzëqeshje të ëmbël.

Edhe unë, ju afrova dhe desha këshillat e saj. Si me të gjithë, edhe me mua, u tregua shumë e gatshme; më vuri dorën në sup, e me ngrohtësi më tregoi dhe këshilloi si duhet të veproja. E kisha shumë pranë kur ajo më instruktonte dhe pse jo edhe më ndihmonte kur më duhej ndërhyrja e saj. Dhe nuk e kisha të vështirë ta sodisja. Dhe më pëlqen ta them, se  vura re që fytyra e saj jo vetë transmetonte buzëqeshje dhe gatishmërinë, por tek sytë e saj pashë, atë më të rëndësishmen, “anën njerëzore”, që të gjithë kemi aq shumë nevojë për të, veçanërisht kjo i duhet pacientëve. Dhe në moment, më lindi mendimi :

”Sy që të shërojnë”.

Kështu mu dukën sytë e saj. Dhe e tëra, me një shkathësi për ta patur zili, mu duk se e mbushi sallën e madhe me gjallëri dhe pse jo dhe me një atmosferë kënaqësie. Nuk e di pse fytyra dhe shkathtësia e saj, më ngacmuan të mësoja më tepër për të. Dhe ky ishte shkaku që hodha në letër këto pakë reshta me emocionet që përjetova.           

Dilja, është nëna e katër fëmijëve. Ajo ka kryer shkollën e lartë për fizioterapi. shtë fizioterapistia e parë në këtë institucion, në banjat “Nëna Naile” në Kllokot të Kosovës, që është një qendër shumë e madhe. Pacientët, në qoftë se mund ti quajmë kështu, ose më mire frekuentuesit e kësaj qendër ihabilitimi, vijnë duke u shtuar. Ata vijnë jo vetëm nga krahina ndryshme të Kosovës, por edhe nga Shqipëria,  Maqedonia e sidomos nga mërgimtarët kosovarë që  jetojnë në Zvicër, Gjermani, Suedi, Angli, Francë e vende të tjera. Për, këtë qendër kaq të kërkuar, pronari saj, Z.Sabri Maxhuni ka investuar dhe krijuar këtë ambient fantastik, që pret dhe shëron një numër shumë të madh pacientësh. Nuk gjen fjalë për të vlerësuar organizimin dhe mbarëvajtjen e kompleksit “Nëna Naile”, të cilën e drejton vetë Z. Sabri Maxhuni. Në këtë qendër,që kanë dispozicion aparatura të sofistikuara, mjekohen sëmundje treumatike, neurologjike, gjendjet pas traumave, rehabilitimin pas frakturave, sëmundjet kardiovaskulare, sëmundjet e lëkurës siç janë ekzemat, psoriazi etj,si dhe sëmundjet gjinekologjike siç është steriliteti, etj. Pra siç shihet, është një gamë e gjerë diagnostikimi dhe kurimi e cila ndiqet nga një personel shumë profesional. Gjithashtu, ujët e këtij kompleksi, sipas analizave që janë bërë në Kosovë e në Gjermani, është vlerësuar mjaft cilësor dhe thuhet se mund të krahasohen me ujrat e Karlovivarit në Çeki.

E, Dilja ka rreth 12 vite që punon tek banjat “Nëna Naile”, pra që me krijimin e saj. Por, disa vite më parë, ka punuar edhe në banjat e vjetra, atëherë kur ishin ende shtetërore. Pra, ka një eksperiencë goxha të gjatë si fizioterapiste.

 Bisedën Dilja e nisi disi ndryshe, ndaj të them të drejtën më bëri  përshtypje fjala e saj, prandaj po e riprodhoj.

“Jam e vetmja punonjëse në këtë qendër të madhe dhe shëruese, që i takoj një feje tjetër, asaj katolike”- kështu e nisi bisedën Dilja, që disa e thërasin Fadile e të tjerë Adile. “Por, edhe pse i takojmë feve të ndryshme, mbi të gjitha, ne të gjithë jemi shqiptarë, dhe këtë dua ta nënvizoj fort”. Por, më pëlqen të tregoj, për diçka që më ka mbetur në mend -vazhdon  Dilja-

“Ditën kur u prezantova tek drejtori i kompleksit,   ndërmjet të dhënave të mija, i thashë që jam katolike”. Dhe Z. Sabri Maxhuni, mu përgjigj:  “S’ka asnjë problem që je e fesë tjetër. Ishalla, e bën punën mirë. Kjo ka rëndësi”. Dhe për mua-thotë Dilja- këto ishin fjalët që jo vetëm nuk i kam harruar, por më nxitën  të jem edhe më tepër e mobilizuar”.

Z. Maxhuni, jo vetëm që nuk ka paragjykime të tilla, por kur lexon shkrimet e tij, për një personalitet të fushës së letërsisë, jo vetëm flet me superlativa për të, por e ndjen se është i dashuruar me figurën e tij. AI të reciton përmendsh vargjet e tij. E, ky është “katoliku” Gjergj Fishta. Pra, Z. Maxhuni jo vetëm që nuk ka komplekse, por tek ay mbizotëron dukshëm “ toleranca  fetare”.

“Falë punës sime, -vazhdon Dilja- kam pasur gjithmonë përkrahjen e kolektivit. Edhe drejtori, Z. Sabri më ka vlerësuar para kolegëve, por edhe në sytë e pacientëve. Kjo, më ka dhënë krah. Më ka bërë që të jem më e përgjegjshme për punën që kryej ndaj pacientëve, të cilët jo vetëm që i respektoj dhe i dua, por hera-herës, më duket se i kam njerëzit e mi. Dhe, për mendimin tim, ky duhet të jetë parimi i punës sonë, mbi të gjitha të jemi profesionistë të mirë, por dhe humanë, ndryshe puna e jonë do të jetë e cunguar. Dhe përpos kësaj, ne duhet të japim dashuri, edhe pse nganjëherë, kemi edhe ne hallet tona, sepse jemi njerëz, jemi familjarë. Por, na duhet që jetën tonë personale ta lëmë në shtëpi. Pacienti shpreson tek ne, dhe ne duhet ti shikojmë jo vetëm në sy, por, sytë tanë të përcjellin butësi, ëmbëlsi, t’u flasim me qetësi e pa nervozizëm. Ata, kur marrin nga ne buzëqeshjen, edhe terapia për ta është më me vlerë. Jo vetëm të kemi duar që lëvizin, gishtërinj që prekin trupin e tyre, por këto lëvizje të jenë të shoqëruara me shikim të ëmbël, pse jo dhe me buzëqeshjen tonë, e cila u jep atyre siguri në profesionalizmin tonë”.

E, duke e dëgjuar Dilen të shprehej kështu, e pashë që sytë e saj, u lagështuan. Ishin dy pika loti. E kjo, më bëri ta dëgjoj me vëmendje. Dhe Dilja tregoi: “Për një gjë jam e lënduar e më vjen keq: kam babanë në moshë mbi tetëdhjetë vite, të sëmurë nga tromboza dhe unë s’mundem që me duart e mija si fizioterapiste por edhe si bijë ti shërbej, ti fërkoj trupin, ta masazhoj edhe pse jo edhe ta përkëdhel e ta puth. Ai është jashtë Kosove. E, duke menduar babanë  tim, që duar të tjera profesioniste, i shërbejnë atij, më duket se edhe kjo më motivon të jem më e përkushtuar ndaj pacientëve të mi”.

Dhe unë, edhe pse kam pak kohë që jam larguar nga ay kompleks i madh e i mrekullueshëm, tani në shtëpinë time, në Tiranë, ende e ndjej shërbimin nga duart dhe gishtërinjtë e vajzave dhe djemve  profesionistë, dhe të Diles në veçanti. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat