Sarmet e hallës Fatime

Kultura

Sarmet e hallës Fatime

Nga: Sinan Kastrati Më: 3 shkurt 2019 Në ora: 12:57
Sinan Kastrati

Në mbrëmjet e gjata të dimrit, nëpër odat e Turjakës, tuboheshin burrat dhe rrinin e bënin muhabet, hajgare. Tregonin mahi, mesele e luanin lojën ndër më populloret “Kapuqça”, “Filgjana”, “Me e mshef kokrrën”, “Cicimic” e lojëra të tjera, që luheshin edhe nëpër katundet e tjera.

Por edhe këndonin me sharki e qiteli (qifteli). Sharkisë i m`shonte Ukë Imeri (baba im) e Zyber Haxhia, një klusheri e qitelisë Imer Seferi (babëgjyshi) im ndërsa këndonin në grup: Ukë Imeri, Zyber Haxhia, Asman Cufa e Amrush Bajrami.

Por këta që i përmenda, nuk ishin këngëtarë “profesionistë”, këta këndonin vetëm për  me e berë atmosferën më gazmore dhe kur ishin “pateklif”.

Por Turjaka dhe Zatriqi, i kishin shahirat më të njohur në tërë Kosovën. Vallet me qifteli dhe Sharki që luheshin në odat e Turjakës, ishin të “mekamit” (meslosit, melodisë ) nga Zatriqi, ndërsa këngët, gjithashtu nga Zatriqi por shumica që i këndoheshin Shkodrës dhe trimave të Shkodrës, si Oso Kukës e trimave të tjerë të Veriut.

Më i njohuri, nga të gjithë këngëtarët e kohës, ishte Mixha Sylejman, Sylejman Kastrati i Damanekit, Muhamet e Xhelir Islami nga Turjaka, Beq Jaha i Zatriqit (vetëm ka këndua, sikurse edhe) Ali Paci i Drenofcit, Ajet Nura i Cerovikit, Lam Tapalli i Astrazubit, Dul Zenuni i Lubizhdës e ndonjë tjetër.

Më vonë do të dalin në “Fushë të Mejdanit” edhe Salih Bajram e Feriz Ramadan Krasniqi.

Sot do të flas pakëz, vetëm për Turjakën dhe “Shahirat” ( 1*) e Turjakës.

E odat ku tuboheshin katundarët e Turjakës ishin ajo e Hamid e Shaqë Tushës, Imer Seferit, Xhemajli e Cufë Brahimit, Elez Dylybashit, Shaqë Kamerit, Smajl Zenelit, Imer Mullamuqës, Sahit Mstafës, e më vonë, e Din Haxhisë, Jup Rexhepit, Ali Nurqit e ndonjë tjetër e në Mahallën e Vogël, ishte ajo e Mulla Halitit dhe e Dergut Halilit.

Në Turjakë kur vinin mysafirë, e mysafirë kishte çdo natë në Turjakë, për me e båerë natën sa më të gëzueshme e të hareshme, e thirrnin Xhelir Islamin me sharki.

Por Xheliri, përveç që këndonte e m`shonte më mirë së gjithkush tjetër Sharkisë, ai edhe “Cicimic” e “Kapuqa”, luante mirë.

Xheliri, Muhameti e Avdyl Kajtazi 2*) ishin shumë të kujdeshëm kur këndonin nëpër odat e Turjakës, përgjithësisht dhe te Ali Agët, veçanërisht pasi që më mirë se Mahalla e Ali Agëve, nuk i kuptonte kush këngët. Ka ndodhur që Met Xhemajlia i ka ndërpre këngëtarët nëse ata nuk e kanë këndua këngën ashtu qysh është këndua. Për këtë kanë qenë të vetëdijshëm edhe Salih Bajrami, këngëtar më i madh i këngëve të trimërisë por edhe të atyre të arshikive të Zatriqit, Gjakovës dhe Shkodrës.

Mahi e mesele turjakase

Sa t`më thirrin para darke, mas darke, s`e kam njet me shkue

Njëherë kur i kish pas ardhur një mysafirë i madh Imer Seferit, ai e kish pas qu ni mashkell me e thirrë Xhelirin.

-O Xhelir, m`ka qu bab me ardh sonte në darkë se kemi mysafirë. Xheliri, menxi që priste me shkua, kur e thirrte dikush 3*). Ishte kënaqësi dhe nder i madh i këngëtarëve kur dikush e thirrte me këndua psh kur mysafirë ishte Ramë Bllaca, Shaban Polluzha apo ndonjë tjetër.

Në ndërkohë, sa ishte Xheliri me djalin e Imer Seferit, vjen dikush tjetër e i thot: -O Xhelir, m`ka qu baba, hajde sonte, me sharki, mas darke se kemi mysafirë.

E Xheliri i thotë: - Vallahi sa ka qi m`thirrin para darke (me hëngër darkë), mas darke s`e kam njet me shku.

70 pjeshka i kam hanger, sa për kamish

Një zatriqak, kur ish pas qu herët n`sabah, kojshia po i thotë: -A munu qove? Hajde e marojmë ka ni cigare o kajshi 4*)! -Po a e ke prish me naj sèn 5*? Po Vallahi, i kam hânger 70 pjeshka, sa për kamish.

Amân mara burra, qysh pa muni me nejt pa i ngu lajmet!

Rexhep Goqi, i Mahallës së Goqëve, ni vit ish kân rragtar me i rujt arat e fushat e Turjakës. Ai e kish pas ble edhe ni radie (tranzisor) dhe kah shkonte e merrte radien me veti.

E niherë kur ishin kân tuj mih kallamoq argatët e Mahallës së Madhe (Ali Agëv), Salih Xhemajlia, Asman Cufa, Reshit Imeri, Dan Hamidi, Sadri Shaqa. Rexhepi masi iu thotë, O puna marë, iu drejtohet: -

Amân mara burra, qysh pa muni me nejt pa i ngu lajmet.

Oh, m`hanger ni plesht

Vesel Pagarusha,baba  Nexhmies, këngëtares së njohur ish kân burrë dai e atdhetar i cili kish pas shkep abetare, me Kadri Minushin e Damanekit e ndonjë tjetër 6*.

Ai njëherë, paska pas shkua, me një shoq të vetin në odën e Imer Seferit. I zoti i shtëpisë nuk i kish i kân aty e Shabani, vëllai i vogël ish kân i detyruar me ndejt me mysafirë. Ai ishte bujk e qaban i mirë por më me qef do ti k`qyrte kit e mi kreh kualt se sa me i prit e me bâ  llaf me mysafirët.  

At natë, s`kish pas qare pa nejt me mysafirë.

Masi e hanë darkën, at folnin por dikur Veseli po thotë: - Oh, m`hanger ni plesht 7*). Pasi e kishte përseritur disa herë, “Oh.më hanger ni plesht, me hangër edhe ni plesht”, dikur, Sahaban Seferi i thotë: Qyre ti shoq, ku ta gjen ma mirë shko e banum zâ edhe mua!

-Uh po mirë ja bâne, tha ai shoqi i Veselit.

Mashalla sa kallamoq i mirë

Avdullah Imeri, ish kân shumë i zgjuar. Niherë ish pas hi në kallamoq të baces Midë (Hamid Tushe). Hamid Tusha thonë se a kân rojtar i mirë dhe e zen bacen Dulë. -Dulë, shka pa bân k`tu? -Mashalla, sa kallamoq i mirë! Baca Mid thonte: “Me lân Dulen me fol, shuplakë s`un i m`shon”!

Sarmet e halles Fatime nga Rahoveci

Pazari në Rahavec ishte të shtuneve. Rahaveci është i njohur me ”Pazarin”. Bëhej Pazar shumë i madh. Shiteshin gjâja (bagëti të vogla e të mëdha), shtazë e shpezë. Gjakovarët dilnin me të gjitha zanatet që i kishin, jargana, këpucë, gërqej, saqa, sandaka (kuti) për nuse etj.

Ndodhte që dimrit binte borë e madhe e rahavecasit dilnin te Rrasa e Rahavecit e i k`thenin pazargjitë në darkë e me fjet.

Ukë Imeri e Sadri Shaqa ishin pas shkua te halla Fatime.

Halla Fatime nuk ish pas gëzue kur i sheh Ukën e Sadri Shaqën sepse për darkë i kish pas pritur bacën Cufë e Ilaz Bajraktarin e Astrazubit.

Dikur ishin pas ardhur të ftuarit dhe ishin ulur në Ballë të Axhakit.

Dikur vjen edhe Bajra, djali i vetëm e i hallës Fatime. Ai sh kân babaxhan por shumë i dashur dhe i pasherr. Kur hynë në odë, n`vend se me iu folur atyre që ishin më të vjetër e të ulut ma nelt, ia nis te Sadri Shaqa e Ukë Imeri e masandej përshëndetet me Cufë Brahimin e Ilaz Bajraktarin.

Kur e bjen darkën halla Fatime, me të tana të mirat ulen të gjithë rreth sofrës, sipas moshës e (bab) Ukë ulet në mes të Sadri Shaqës e (bacës) Cufë. Halla Fatime e kish mush ni sahan me sarme të Rahavecit per 20 vetë. I kish mush me mish e i kish mlu me fletë të rrushit. Baca Cufë, me dy sarme e kish hangër ni copë bukë e Sadri Shaqa, ish kân nazeli e hante krejt pakë.

E baba Ukë, ni kashore bukë, me nisarme. Dikur i thotë baca Cufë:- Bre ti djalë, keq ki hangër sonte e ai ia k`then: -Baca Cufë, n`krah tândin se nuk e kishum kërkua ma me pas ardh ti se halla Fatime, edhe pse e pam që kish gri mish, na tha: - si gjith si seni huj.

Uki pa han krejt

Ni oxhë i Perzerenit (Prizrenit) vinte për Ramazan në Turjakë e në Natën e Katragjegjeve e përcillte dikush deri në Rahavec e mandej me autobus shkonte në Perzeren.

Shaban Shaqa ish pas nis me hoxhën me shkua se ai nuk e dinte rrugën. Kur dalin në krye të bjeshkëve, në mes të Turjakës, Zatriqit dhe ... Carravranës, ujqit ulurojshin e hoxha, veç që nuk i hinte nën palltë Shabanit, nga tuta (frika).

Dikur i thotë Shabani hoxhës: - O hoxhë, mas u tut se nuk ka vorr pi uqve (ujqëve)! Hoxha i thotë: Po uki, pa han krejt, nuk len kurrgja për vorr.

 1*) “Shahirat” e Turjakës. Fjala “Shahir” nuk e ka kuptimin vetëm si këngëtar por edhe si njeri i gojës, që din me fol mirë.

2*) Xheliri, Muhameti e Avdyli, ishin nga Kravaseria, por kishin ardhur si qipqi në të Ali Agëve të Turjakës.

3*) Muhamaeti, Xheliri por më parë edhe mixha Sylyman, Bajram Sadiki e ... Ali Paci, kanë shkua në Dasma dhe kanë këndua pa pare. Nëse dikush ka tentua ti “paguaj”, ata i kanë thënë:- Ne nuk jemi defatore.

4*. Zanorja “O”, në të folmen e Turjakës dhe rrethinës, gati në të gjitha rastet, shëndrrohet në “a” psh: Arllat, Kamaran, Kajshi , Kasovë.... në vend të “Orllat”, Komoran” ....

5* A e ke prish ... a ke hëngër diça.

6* shkep abetare, shpërnda abetare e libra shqipe për lexim-këndim.

7* Plesht. PLESHT m.1. zool. Parazit i njeriut e i kafshëve, me trup shumë të vogël e në ngjyrë kafe të errët, që kërcen shumë, pickon e thith gjak. Pleshtat e dhive (e qenve, e shpendëve, e maces). Bar pleshtash. Sa një plesht shumë i vogël. Kishte zënë pleshta. Kërcen si plesht (nga Flalori Gjuh. Shqipe)

Vazhdon

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat