Femra bën bashkë artistët e njohur shqiptarë

Kultura

Femra bën bashkë artistët e njohur shqiptarë

Më: 4 shkurt 2019 Në ora: 14:42
Foto

Nga Ibrahim Kodra tek Lasgush Poradeci

Imazhi i përbashkët që i bën bashkë këta artistë është perceptimi për femrën. Autorë të brezave të ndryshme të artit shqiptar të Nëntëqintës, që nga fillimet, periudha e vetizolimit e deri te shprehjet bashkëkohore të ditëve tona do të paraqesin vepra në pikturë, skulpturë, fotografi, vizatime etj që kanë frymëzimin nga gruaja.

Një ekspozitë kushtuar figurës së femrës ku nga nëna tek vajza, nga aksionistja tek inovatorja, nga modelet në studiot artistike tek shoqja e jetës, gjejmë të pasqyruar në letër imazhin e saj, nga skicat e thjeshta e deri tek emërtesa buçitëse e dheut tonë me emrin “Nënë Shqipëri”.

“Latinët e quanin Mater Matuta, gjallëruese e jetës, Nëna e madhe, e cila konsiderohej Perëndesha e pjellorisë. Këto pamje i shikojmë të derdhura në ritmin e historisë dhe të jetës sonë, ritëm ky që vjen i pazbukuruar në secilën vepër, “me harmoni vijash të bindshme”, nga më romantiket gjer tek ato më të përligjurat nga ngarkesa e ideologjisë së kohës; nga portretet më zhbiruese gjer te lëkura e trupave të vizatuar deri në poren e fundit të dëshirës.

Gjithçka ngelet e fortë si era kundërmuese e vajit të linit në velaturat e fundit të portretit femëror, vaj mbi pëlhurë i vendosur diku në dhomën-studio, mbathur nga aroma tipike e tubetave “Mussini””, thotë kuratori Artan Shabani.

Sipas tij, imazhi femëror është një vijimësi e krejt artit pamor, lëvruar prej artistëve të dy gjinive. Femra ngelet ndër subjektet më të trajtuara dhe më të ngarkuara me domethënie simbolike të të gjitha kohërave.

Mënyrat e paraqitjes së figurës së saj kanë ndikuar “variablin e tharmit artistik” mbi të, duke ndjekur hap pas hapi zhvillimin e teknikave artistike, ndryshimin e shijeve estetike dhe përthyerjet etike të lëvizjeve të ndryshme të artit si dhe, element jo më pak i rëndësishëm, ndryshimin e mënyrës së konceptimit të rolit të gruas në shoqëri.

”Veprat e para me subjekte femërore i gjejmë tek Pjetër Marubi, Ndoc Martini, Kol Idromeno, Simon Rrota, Zef Kolombi, Spiro Xega, Sofia Zengo, Androniqi Antoniu etj. “Motra Tone” (1883) mbetet emblematike për trajtimin të portretit të femrës shqiptare, në pikturë, plot bukuri dhe hijeshi, një punim i përkorë i mjeshtrit Idromeno, i cili, përtej pikturës, la gjurmë edhe si arkitekt, urbanist, fotograf dhe skenograf.

Ky artist e bën atë figurë një ndër veprat e para dhe më domethënëse të pikturës laike shqiptare. Jo më pak të arrira janë portretet, nudot, kompozimet e figurave femërore, realizuar nga artistët e tjerë të asaj periudhe si Andrea Kushi, Vangjush Mio, Janaq Paço, Kristina Koljaka, etj.

Këta autorë mbeten të rëndësishëm për artin e pjesës së parë të Nëntëqintës shqiptare edhe për frymën europiane që i dhanë atij në Shqipëri, meqenëse ishin formuar kryesisht në akademitë e Romës, Firences, Athinës. Veprat e tyre janë më së shumti figura njerëzore, portrete, peisazhe, natyra të qeta, etj. dhe meritojnë studime të veçanta për tematikat e trajtuara dhe për rëndësinë e kohës që dëshmojnë.

Në ditët e sotme ato bëjnë pjesë të trashëgimisë të patjetërsueshme kulturore të vendit tonë”, thotë Shabani. Sipas tij, nisur nga këndvështrimi kohor, në ekspozitën “L’eterno femminino” gjejmë një vepër të pikturuar në vitin 1925, vaj mbi kanavacë, nga Simon Rrota, ku shfaqet figura e gruas malësore me veshjen tipike tradicionale, plot kolorit të spikatur. “Zadrimorja” vjen e ngrohtë dhe plot dritë, ashtu si ishte edhe vetë natyra e artistit.

Shpeshherë në tablotë e tij mjeshtri Rrota shfaqet i tërhequr nga figura e femrës së trevave të Veriut, kompozuar e veshur me kostumin karakteristik të zonave të Nën-Shkodrës dhe të Malësisë së Madhe. “Elementi femëror dhe kostumet tipike, si pjesë e pandarë e imazhit kolektiv të gruas, zënë një vend qendror në krijimtarinë e autorit.

Veprat e Simon Rrotës  janë pjesë e fondit të Muzeut Kombëtar të Arteve të Bukura,  ish- Galeria Kombëtare e Arteve në Tiranë. Po ashtu ato gjenden edhe në disa koleksione private, si në atë të koleksionistit Kozma Dashi, i cili i ruan me një përkushtim fanatik. Falë pasionit të koleksionistëve, u bë e mundur që veprat e Rrotës të ishin pjesë e ekspozitës “Visione di confini” dhe “L’eterno femininno”, në hapësirat e Rezidencës Italiane në Tiranë”, thotë Shabani.

Me mjaft interes është portreti laps mbi letër i Sofia Zengo Papadhimitri, përfaqësuese e denjë e grupit të artistëve të traditës. Ndihmëse e zellshme e të atit, Vangjelit, edhe ai piktor, dhe nxënëse e talentuar e mjeshtrit Vangjush Mio, Sofia së  bashku me motrën, Androniqi, të dyja të diplomuara në Akademinë e Arteve të Athinës, lanë një trashëgimi të pasur dhe përkujtohen si piktoret e para profesioniste në historinë e artit pamor shqiptar. Vepra e pranishme në këtë ekspozitë sjell ëmbëlsisht një portret femre, që mbart gjurmët e një kohe të largët, e cila shpesh troket akoma me tharmin e saj.

“Një surprizë jo e paktë është prania e portretit femëror realizuar në vaj nga poeti-piktor Lasgush Poradeci. Qetësia dhe uniciteti i veprës së Poradecit, portret i një dashnie te pathënë, na intrigon pafund. Punuar në stilin impresionist, portreti mahnit veçanërisht me shprehjen e zhbirimit të syve, si ato të një Madone të destinuar të heshtë me lotët e gjakosur si stigma kujtese! Brenda asaj shprehjeje mund të shohim imtësisht, një botë disi të panjohur, “ashtu dhe akordi i heshtjes frytin e ambël të marrveshtjes”, dhe kjo e bën edhe më intriguese këtë vepër të rrallë nga një artist po aq i rrallë”, thotë Shabani.
 

Image

Sipas tij, pas viteve ‘60 dhe deri në rënien e murit të Berlinit, në prezantimin e figurës dhe të rolit të femrës në artin shqiptar, kemi një qasje tjetër. Një pjesë e mirë e artistëve shqiptarë deri në fillimin e asaj periudhe studiuan në “I.E.Rjepin” në Leningrad, sot Shën Petërsburg, në Pragë, në Bukuresht, Sofie, Varshave, Beograd, Zagreb etj. Kthimi i tyre në Shqipëri solli ndjeshëm stilin dhe mesazhet e një qëndrimi që përfshinte artin lindor.

Kjo frymë ndihej qartë në të gjitha shprehitë artistike dhe kultivimi i atij qëndrimi ndaj formimit të “krijesës së re” arriti madje edhe të sanksionohej me ligj, aty ku neni 32 i Kushtetutës së Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë të vitit 1976 parashikonte se: “Shteti zhvillon një veprimtari të gjerë ideologjike e  kulturore për edukimin komunist të punonjësve, për formimin e njeriut të ri”.

”Në artin e realizmit socialist që mbizotëron pas viteve ’60 hasim tre elementë bazë. I pari është ai i dëshmorëve të luftës, ku një pjesë të veçantë i kushtohet heronjve dhe heroinave, që ende sot i gjejmë në shumë qendra të banuara; i dyti procesi i ndërtimit të socializmit, me prioritet rolet e luajtura nga femra; i treti mbrojtja e atdheut, si detyrë mbi detyrat. Ndërtimi i “parajsës së premtuar” është motiv qendror frymëzimi për “njeriun e ri”, si qëllimi suprem për epokën e re, për garancinë e një ideali të përsosur me ngarkesë vlerash atdhedashurie.

Gjatë artit të periudhës së realizmit socialist të shumta janë veprat kushtuar pozicionit të arritur nga gruaja shqiptare, e cila ngrihet artistikisht në piedestal për kontibutin e dhënë në ndërtimin e shoqërisë së re. Jo më kot konkursi kushtuar femrës, në ato vite, quhej ”Shqiptarja e Re”, si për të dëshmuar forcën e saj në ndërgjegjësimin e masave. Figura e gruas shqiptare në pllakate, piktura apo skulptura, shfaqej e re, e shëndetshme, shpatullgjerë, me vështrim të mprehtë. Ajo spikat në çdo fushë të jetës së emancipuar, një femër me karakter triumfues, me funksione dhe status të barabartë me mashkullin”, thotë Shabani.

Në shtypin dhe revistat e kohës, ashtu si tek parrullat në hapësirat e ndryshme publike, gjejmë intensitet të personalizuar propagandistik dhe riprodhim të shumëfishuar imazhesh ikonografike: nga skulpturat e shesheve, te posterat e kinostudios dhe pllakatet unike të Safo Markos, Pandi Meles, Ibrahim Çezmës, Shyqyri Sakos, Ksenofon Dilos etj. Asaj kohe ekspozoheshin vepra me dimensione muzeore të artistëve Fatmir Haxhiu, Çlirim Ceka, Hasan Nallbani, Bashkim Ahmeti etj. me përmbajtje sipërfaqe objektesh, të trajtuara në funksion -pop-art socialist.

Ndërtimi i modeleve të “Njeriut të ri”, sipas parimit“Në njërën dorë kazmën, në tjetrën pushkën”, ishte i pranishëm në çdo shprehje artistike dhe përjetohej si një ndër misionet kryesore të artit të angazhuar.

Ajo periudhë vazhdon të konsiderohet si një ndër momentet më interesante dhe më të diskutueshme. Ndoshta ende sot, emocionalisht, reflektimi i mesazheve nëpërmjet gjuhës artistike të kohës nuk shihet ende i shkëputur nga ndjesitë e përjetuara në një situatë të ngurtësuar nga pjesa tjetër e botës.

Shabani tregon se në ekspozitën “L’eterno femminino” arti i realizmit socialist përfaqësohet nga vepra si “Duhet të fitojmë”, e Robert Përmetit, një pikturë ku të rrëmben kompozimi i vajzave dhe energjia e tyre rinore; portretet dhe kompozimet e Fatbardha Shkupit, nga përshëndetja e aksionistëve tek figura e vajzës me grykësen e shkollës; skulptura në dyll “Penelope” e Arben Bajos, trajtuar me shumë ndjeshmëri dhe plot karakter për qëndrimin e gjetur të vajzës, që e bën ndër punimet më të pëlqyera; përkushtimi artistik i Qazim Kërtushës, i cili shkrihet bashkë me veprën e tij të quajtur “Pjelloria”; qëndrimi i lartë mjeshtëror i Janaq Paços me portretet femërore, të cilat mbartin dëshminë e kohës për thyerjet e pjesës së trupave nudo nga vetë artisti, aspekt ky që do të meritonte ndoshta  një studim të plotë dhe një ekspozitë më vete.

Një tjetër artist i kësaj periudhe, ekspozuar në Muzeun Kombëtar të Artit Bashkëkohor dhe në Muzeun Benaki të Athinës, është Pandi Mele, këtu paraqitur me një portret femre, e cila mban një bukë rrumbullake në duart e saj plot muskuj. Trajtimi i ngrohtë dhe ngjyrat në tempera dhe pastel e bëjnë atë një vepër shumë intime. Fuqia mjeshtërore e artistit Guri Madhi me “Ujitëset”, ku figurat e femrave marshojnë me vrullin revolucionar që shpien ujin e jetës, duken si një imazh biblik.

Freskia koloristike e punimeve të Jozita Shkrelit vjen me një harmoni kromatike tipike të kostumografisë shqiptare. Veshje të traditës trajton edhe piktura e Qamil Prizrenit, që sjell natyrshëm femrën shqiptare plot nur dhe hijeshi. Kujdesi dhe shija e hollë e pikturës së Skënder Milorit mbizotëron në tablonë dedikuar vajzës së tij, Mirela, një figurë e bukur, ku notat e solfezhit harmonizohen në koloritin e tërë tablosë.

Mjeshtëria e Zef Shoshit në portretin e vajzës malësore mbetet po ashtu një ikonë koloristike. Skulptura në bronz e artistes dhe studiueses së artit Suzana Varvarica Kuka, vajza me lahutë apo me titull “Lahuta e Malësisë”, mbështetur tek gjuha e mrekullueshme e poetit të famshëm Gjergj Fishta, është një vepër mbresëlënëse dhe domethënëse për traditën e lashtë të këngës, që përshkon mitologjinë shqiptare e ballkanase. Bukuria e figurës vjen së bashku me instrumentin e lashtë e të vyer.

Isuf Sulovari paraqitet me portretin e vajzës, trajtuar me harmoni ngjyrash dhe ku sfondi kthehet në botë intime. Me kolorit të spikatur na jepet figura e nënës me fëmijën në djep, e trajtuar mjeshtërisht nga piktori Vilson Kilica.

Gjithmonë e këndshme figura e vajzës, pikturuar në kohë nga Llambi Blido, freskia e kolorit të bukur të së cilës duket sikur ka ardhur në vallëzim bashkë me Georgia O’Keeffe. Të njëjtën ndjesi transmeton piktura konseguente dhe e ekuilibruar e Pëllumb Bylykut, që në një çast befason me qëndrimin piktorik të “Motrës së Motrës Tone”, me një gjestikulim minimal dhe shikim të kristaltë.

“Ndyshimet epokale në rendin politik dhe ekonomik të vendit në vitet ’90 pasqyrohen ndjeshëm edhe në veprat e artistëve bashkëkohorë, që thyejnë tabutë ikonografike të paraardhësve, duke arritur më së fundi të trajtojnë tema deri atëherë vetëm të imagjinuara, por akoma pa imazhe. Rifitimi i lirisë së shprehjes bën të mundur që figura femërore të përfaqësohet në kompleksin e esencës së saj simbolike dhe trupi i saj të vazhdojë të shikohet si burim i pashtershëm frymëzimi, duke prekur aspekte, që për shumë kohë, kishin ngelur në skajet e prodhimtarisë artistike.

Nga kjo pikëpamje, figura e gruas arrin tëshprehë jo vetëm sensualitet apo bukuri, apo të kthehet në një objekt, mbi të cilin projektohen ëndrrat apo shpresat për të ardhmen, por edhe një çelës i mirëfilltë leximi i mendimit të njeriut bashkëkohor. Këto zhvillime të artit shqiptar i gjejmë në shpërthimet plot ndjenjë të veprave të Adrian Çenes, penelata me rraptus të fortë në kanavacë, që e bëjnë pikturën e tij të fuqishme dhe ekspresive.

Fotografia plot muzikë bashkëkohore e Greta Dhaskali Lamit është një vepër që hap siparin e kësaj ekspozite, si një akt i fillimit të një performance. Delikatesa dhe poezia piktorike e Brikena Bërdos të fut në një higjienë mendore, koncepti i saj bashëkohor ështe pertej imazhit në sipërfaqe të kanavacës. Piktura plot fantazi e Albana Shoshit mbetet domethënëse për një artiste profesioniste si ajo. Kërkimi artistik i Ardit Boriçit, në qëmtimin sensual të femrës dhe trajtimin e kujdesur me skrupolozitet, godet për lirikën ekstazuese. Shumë unike gjithashtu piktura bashkëkohore e Ornela Gjocaj, e cila flet me gjuhën e kohës, duke sjellë një stil të veçantë në diptikun e saj.

Lumturi Dhrami, një mjeshtre e grafikës dhe e subjekteve të kërkuara nga historia e femrës-heroinë.  Figurat tipike të abstraguara të Lekë Tasit të fusin në një botë fabulash të imagjinatës së tij prej artisti me shije te hollë dhe çdo befasi është në fakt befasi e fabulës. Kristanja Çene vjen me një autoportret të fortë alla Botticell”, thotë Shabani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat