Myzeqeja, martesa historike e Skënderbeut

Kultura

Myzeqeja, martesa historike e Skënderbeut

Më: 4 shkurt 2019 Në ora: 16:45
Foto

Nga toponimet tek emrat e kishave dhe njerëzve, deri tek gjurmët e dasmës me Dionikën, ja lidhjet e Skënderbeut me krahinën e Myzeqesë. Betejat me turqit me në Myzeqe, prijësit që e nisën luftën para kthimit të Gjergj Kastriotit

Nuri Plaku

Epoka e Skënderbeut ka qenë një burim i madh frymëzimi dhe krenarie kombëtare për popullin ton në shekuj dhe e tillë vazhdon të mbetet për brezat e sotëm e të ardhshëm. Ashtu si shumë krahina të tjera të vendit, edhe treva e Myzeqesë ka lidhjet e veta me Skënderbeun dhe periudhën e tij të lavdishme që përbërhet nga një sistem i larmishëm shenjash të cilat rrezatojnë në popull energjinë e pashtershme patriotike të kësaj epoke. Të tilla janë datat e ngjarjeve historike, gojdhanat, toponimet, legjendat, emërtimet e objekteve të kultit e të njerëzve, etj., të cilat krijojnë konturet e një marrëdhënieje të prekshme dhe solide me këtë periudhë. Kur flasim për kontakte të tilla, kemi parasysh një frymëmarrje më të gjerë gjeografike, në përputhje me dominimet dhe zotërimet e asaj kohe e cila na lejon në mënyrë të natyrshme të fokusohemi në krejt rajonin e Beratit, Mallakastrës, Myzeqesë e Kaninës.

Ndeshja e turqve me Balshajt

Sipas përshkrimit të Eqrem bej Vlorës, krahina e Myzeqesë e njohu inkursionin osman që nga beteja e Savrës më 18 shtator 1385. Ushtria turke e përbërë nga 5000 forca, e udhëhequr nga një figurë e njohur ushtarake e kohës, Timurli Pasha, Bejlerbeu i Rumelisë, e theu ushtrinë shqiptare e cila përbëhej nga 1000 forca të drejtuara nga Balsha i II, kundërshtar i Karl Topisë. Ndërsa mbas 500 vjetësh, në vitin 1913, si për për ironi të fatit, ishte po Myzeqeja ajo, që përcolli nëpërmjet portit të Semanit edhe ushtarin e fundit të Perandorisë së gjysëmhënës. Në këto 500 vjet, kjo trevë, ka pasur rrugëtimin e saj me gjurmët, dihatjen dhe djersitjen e vetë historike. Në këtë rrugëtim periudha e Skënderbeut është, natyrisht më e lavdishmja dhe më gjurmëlënësja.

Në fillim të shek. XV. krahina e Myzeqesë e cila kishte në këtë kohë një marrëdhënie të zhvilluar tregëtare me perëndimin nëpërmjet portit të Pirgut, filloi të ndjente mbi vete kthetrat e pushtimit osman. Sipas një dokumenti venedikas që mban datën 24 prill 1412, zona e Vlorës, nga frika e turqve apo për shkaqe të tjera, ju ofronte për shitje venedikasve fortesën e Pirgut të Myzeqesë. Po sipas këtyre burimeve më 1416 Myzeqeja u pushtua nga turqit. Në vitin 1417 turqit zotëronin Beratin, Vlorën, Kaninën, Pirgun e Spiranicën.

Fitorja e Muzakajve

Por rezistenca gjithashtu do të vazhdonte. Tashmë pas Balshajve do të ishin Muzakët ata që do përballeshin me turqit. Në vitin 1421 në Myzeqe shpërtheu kryengritja e parë antiosmane e cila ngriti lart pishtarin e rezistencës dhe tregoi shpirtin e paepur, vetmohues të kësaj treve. Pas Muzakajve këtë pishtar e ngriti lart Gjergj Araniti. Në vitin 1432 ai nisi një kryengritje që përfshiu pjesën më të madhe të Shqipërisë së mesme. Ndërsa pak kohë më vonë, midis viteve 1433 – 1435 Teodor Muzaka (i riu) u hodh në një kryengritje tjetër, mori Beratin dhe ringriti sërish principatën e tij. Kjo qe një kundërvënie serioze dhe poshtëruese për turqit. Në vitin 1438 ata erdhën me një ushtri tjetër më të kompletuar me armatime me komandant Turhan Pashën dhe e mbajtën Kështjellën e Beratit 7 muaj të rrethuar. Por Teodor Muzaka rezistoi me heroizëm dhe nuk e lëshoi kështjellën. Në shenjë hakmarrje për disfatën e tij, Turhan Pasha zbriti në Myzeqe dhe masakroi popullsinë civile. Pikërisht në fushën midis Ardenicës dhe Mbrostarit turqit ngritën si shembull tmerrues, piramidën e kokave të prera, metafora e së cilës është konfigurimi i imazhit më makabër të pushtimit osman. Kjo ishte vula e hordhisë së tërbuar aziatike që po shtrinte kthetrat e saj të përgjakura në dherat e butë të anëdetit. Më të rëndë akoma e përshkruan këtë tragjedi Gjon Muzaka në “Memorien” e tij. “Përpara se tu prisnin kokat këtyre fatkeqëve, – thotë ai, – jua thyenin kockat me çekan.”

Suksesi i arritur nga Teodor Muzaka u pasua nga ai i Gjergj Arianitit i cili, pasi theu turqit, mori në zotërim teritoret që shtriheshin midis lumenjve Shkumbin dhe Vjosë. Të dy këta feudalë të fuqishëm do ta vazhdonin edhe më tej luftën e tyre kundër pushtuesve turq. Pikërisht në këtë realitet historik për trevën e Myzeqesë, në Krujë më 28 nëntor 1443, Gjergj Kastrioti Skënderbeu ngriti flamurin e lirisë dhe filloi përpjekjet për bashkimin e princërve shqiptarë dhe krijimin e një ushtrie të rregullt, të aftë tju përgjigjej  me vendosmëri sulmeve të armikut. Në këtë periudhë, krahina e Myzeqesë shfaqet mjaft aktive në mbështetje të Gjergj Kastriotit. Të dhënat e para historike na vijnë për pjesëmarrjen e tyre në Kuvendin e Lezhës mbajtur në mars të vitit1444. “Shumë erdhën edhe nga Muzakajt siç quhet ky fis, – shkruan Barleti në veprën e tij të njohur Historia e Skëndebeut, – Këta kishin dëshira dhe ndjenja të njëjta me Skënderbeun, prandaj dhe sundimin e tyre nuk e kishin të shkëputur apo të ndarë nga ai.”Sipas kujtimeve të Gjon Muzakës, Gjin Muzaka i ati, mbante titullin despot dhe mori pjesë në Kuvendin e Lezhës si përfaqësues i derës fisnike të Muzakëve dhe përkrahu bashkimin e princëve shqiptarë nën flamurin e Skënderbeut. Të dy këta zotër të mëdhenjë, Gjini dhe Gjergj Araniti luftuan krah për krah me Skënderbeun dhe u bënë mbështetja e tij kryesore. Gjini ishte kunati i Gjergj Aranitit. Motra e tij Maria Muzaka ishte gruaja e parë e Gjergjit, nëna e Andronikës. Me Marien, Gjergj Araniti pati 6 vajza: Donikën, Gojsavën, Anën, Helenën, Dhespinën dhe Komitën. Me gruan e dytë Pietra Franko pati 8 fëmijë 4 vajza dhe 4 djem. Gjini ka vdekur mbas vitit 1451 dhe pas tij principatën e udhëhoqi i biri, Gjoni, autori i “Memories” së njohur. Edhe Gjoni i qendroi besnik Skënderbeut dhe është ndër princat shqiptar që u largua i fundit nga Shqipëria, më 1479 kur ra Shkodra në duartë e turqve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat