Fredi – Magjia e ngjashmërive - Bota Sot
Fredi – Magjia e ngjashmërive

Kultura

Fredi – Magjia e ngjashmërive

Nga: Xhahid Bushati Më: 8 shkurt 2019 Në ora: 14:13
Xhahid Bus

 1.

Një nga miqtë e tij të ngushtë të poetit shkodran Frederik Rreshpja ishte dhe poeti Moikom Zeqo. Nuk kam parë poet më erudit se Moikomi! Poliglot! Ca më kujton Nolin, ca më kujton Konicën, ca më kujton De Radën, ca më kujton… Më tej. Ca më kujton hieroglife të botës, ca më kujton mall shkretëtire, ca më kujton mbibotën shpesh absurde, ca më kujton misteret e botës nënujore,  e misteret e botës reale. Ca më kujton... dhe mençurinë, udhën e urtësisë, librat enciklopedikë të tij. Po, Moikomi është një enciklopedi! Nuk më ka rastisur të njoh poet të tillë, me të tillë universalitet!..

Moikomi, në një dialog me Frederikun, ndërton një imazh të tillë rreshpian, ja, si ky që po e shënjojmë:

”Moikomi: - ... shpesh mendoj se në lirikat e tua të holla, Frederik, ka disa fanitje, ndoshta halucinacione nga poetët klasikë kinezë. Të jetë e rastësishme?

Frederiku: -Ti e di, Du Fu dhe Li Bo janë për mua kryemjeshtra. Ashtu si De Rada ynë. De Rada e ka kuptuar, së pari, mjeshtërinë imazhiniste. Si askush. Kujto, p.sh.: vargun madhështor ”Lisa bota kish ndëruar...”.

Moikomi: -Ke të drejtë. ... Figurat dhe metaforat e De Radës kanë një transparencë kozmike. De Rada flet për Diellin që, kur perëndon, duket sikur fshihet nën tokë si nënat, që kënduan valle para shumë shekujsh. Te balli i një vajze hijeshon një mendim. Bie bora mbi det dhe mbi leshterikë, duke zbardhur krahët e pulëbardhës. Kur ëndërron, poeti thotë: ”Thua se trupi po më largohet”. Ja dhe këto vargje të pashembullt: ’Luleje e hapur / Një të hëne plot hare, / Të enjten duke u bërë e bardhë / Thua se po e sheh të dielen?’

Frederiku: -Duket sikur këto vargje janë shkruar në shekullin e artë të poezisë klasike kineze. De Rada është i mbushur plot mrekulli të tilla. De Radën me poetët e vjetër kinezë e lidh natyra, deti, era, stinët. Lëvizjet ciklike të Diellit dhe të Hënës. De Rada është një poet i madh, që vjen nga natyra. Nga konkretja. Edhe metaforat e tij më abstrakte, janë plot.”  (Zeqo, Moikom: Magjia e ngjashmërive, Albania e vogël (mozaik), 15.03. 2009. Edhe titulli i kësaj pjese, është i huazuar nga titulli i shkrimit të Moikomit. Kam bërë një analogji. Shkrimi mban shënimin: Tiranë, korrik 2004).

2.

Ai që zbërtheu kodet e vërteta të përrallave të Fredit, ishte poeti Moikom Zeqo. Ai e njohu në thelb Fredin. Përcaktimi i tij, që sigurisht vjen nga kulturologjia hapësinore, mbetet parësore e rrezatuese. Askush më mirë se Moikomi nuk i studioi përrallat e Fredit. Moikomi shprehet kështu: “Çdo shkrimtar i mirëfilltë, është përralltar. Shkrimtari i vërtetë është vetvetiu përralltar i madh.. Frederik Rreshpja është shkrimtar i vërtetë. Vetkuptohet se çfarë përralla di ai të shkruajë.

Frederiku është ngjizur në Mbretërinë e Fëmijërisë ashtu si ata princat e panjohur por që nuk mund t’i harrojmë asnjëherë. Në çfarëdo moshe, pavarësisht nga thinjat, vuajtjet dhe sëmundjet, Frederiku nuk arrin të mplaket. Ai nuk është i fuqishëm t’i kapërcejë sinorët e Mbretërisë së Fëmijërisë, sepse është më i plotfuqishëm brenda kësaj Mbretërie. Ai bisedon me kafshët dhe shpendët sepse e njeh gjuhën universale të tyre. Ai është i trishtuar sepse e çmon shumë gëzimin njerëzor. Frederik Rreshpja përzien fjalën me pikturën dhe na çudit ne të tërëve me disa koleidoskopë prej ëndrre. Nuk ka jetë më të ndërlikuar dhe më të vrazhdë, nga të gjitha pikëpamjet, se sa jeta e Frederik Rreshpjes. Si një kampion i kontrastit në përrallat dhe në poezitë e tij, ai projekton një botë delikate si ato qelqet e tejdukshme dhe të mrekullueshme veneciane. Pikërisht finesa e Frederik Rreshpjes, është ajo që të trondit më shumë. … Amen! (Tiranë, më 21 maj 2002). (Zeqo, Moikom: Portat pa epilog (proza në muzg), Sh.B. Fan Noli, Tiranë, 2014.; f. 120).

***
Përrallat e Fredit ngjajnë si piktura, që i flasin përjetësisht ëmbël fëmijërisë. Fredi nuk plaket se është fin…, pavarësisht se e mbështolli gëzofi i vetmisë. “Ai (Frederiku, shënimi im Xh. B.) është i trishtuar sepse e çmon shumë gëzimin njerëzor.” Ky është postulati përrallor që miku i tij i besës Moikom Zeqo, kësaj here (si gjithëherë), e ka pikëzuar çmueshëm lirikun e letrave shqipe, rrezatuesin Frederik Rreshpja. 

Përrallat e Fredit që u përmblodhën në librin e fundit “Aventurat e fundit të Gishtos” (përralla, Florimont, Tiranë, 2002) nuk janë gjë tjetër, veçse një testament i tij, kësaj here… për fëmijët e fëmijërinë e tyre, për të moshuarit dhe fëmijërinë e tyre. Vetëm një talent si i Fredit na e fali çdo tekst përralle me kaq hapësira të mëdha vezulluese e të ylberta! Nderim!

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...