Njeriu i mirë Dritëro Agolli

Kultura

Njeriu i mirë Dritëro Agolli

Më: 9 shkurt 2019 Në ora: 16:13
Foto

Duhet të ketë qenë viti 1976 kur e takova për herë të parë. Në Tiranë, në Lidhjen e Shkrimtarëve, të cilën asokohe e drejtonte ai. Ne, një grup pedagogësh të Universitetit të Prishtinës, kishim shkuar për një qëndrim studiues në Tiranë dhe një ditë prej ditësh, unë dhe njëri nga kolegët e mi, studiues i letërsisë, kërkuam të bënim një vizitë në Lidhjen e Shkrimtarëve. Dritëroi na priti në zyrën e tij në katin e dytë me gotat me konjak në tryezë. I thjeshtë dhe i qeshur, por edhe i menduar, thithte cigaren dhe bisedonte me ne lirshëm, pa protokoll. Ma dhuroi poemën e tij të famshme, “Nënë Shqipëri”, botimin e dytë, që kishte dalë një vit më parë (1975) në 100 mijë kopje (një rekord kombëtar), me një përkushtim të thjeshtë, por të shtrenjtë: “Agimit, me dashuri. Dritëroi”. Kaq. Kështu më drejtohej mua, një poeti të ri, që mezi kishte botuar ndonjë përmbledhje të hollë vjershash, njeriu që kishte bërë emër në letërsi.

Në mbrëmje, te hotel “Tirana”, ku ishim vendosur ne pedagogët e Prishtinës, e takova sërish Dritëroin në shoqëri me një grua, poete nga Franca. Më prezantoi me të dhe i tha se isha poet nga Kosova, duke shtuar fjalët “i ri dhe i talentuar”. Francezja më pa, sikur po më maste me sy dhe më pyeti se çfarë poezie shkruaja. Në çast nuk dita si t’i përgjigjesha. T’i thosha: “poezi lirike”, nuk më dukej gjë; t’i thosha: “poezi të angazhuar”, më dukej e sforcuar. Më nxori nga situata Dritëroi, i cili i tha francezes: “Comme Prèvert” (Si Preveri). Zhak Preveri ishte, pa dyshim, një nga poetët e mi të preferuar, por ishte kompliment i madh krahasimi me të./Agim Vinca

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat