Emine Hoti. Çikë Dardanie

Kultura

Emine Hoti. Çikë Dardanie

Nga: Kadri Tarelli Më: 10 shkurt 2019 Në ora: 19:02
Emine Hoti

Emine Hoti, moj çikë Dardanie,

Në dorë e në shpirt, flamur shqiptarie.

Nga larg po na sjell, aromë Norvegjie,

Futur nëpër vargje, si frymë magjie.

Emine artiste, Emine poete!

Rinia me halle, jeta plot me derte.

forcën ku e gjete, kokën ku mbështete,

Kur kalove male, kur kalove dete?

S’të thyen zakonet, të egra, fanatike.

U bëre e fortë, shqiptare kreshnike.

Kalove furtuna, moj grua fisnike!

Jetën përballove, veten bëre mike.

Shpirti yt i ndjeshëm dhe plot mirësi,

Porsi Nënë Tereza, në dhimbje, dashuri.

S’kursehesh për komb. Na jep porosi:

Mos lëshojmë tokën, dheun plot lavdi.

Mos harrojmë gjuhën, dhuratë perëndie,

Ardhur që nga shekujt, me frymë lirie.

Ushqyer me gjak, si qumësht fëmije.

Shqiptarë të mbetemi, siç na ka hije!

Gjilpëra dhe kënga, nuk t’u ndanë kurrë,

Kur qep kostume, kur qëndis flamurë,

Lulëkuqe Kosove, në arat me grurë,

Në krahë shqiponje, mbi malet me gurë.

Veshur shqiptarisht. Oh, se ç’mrekulli!

Bajroni, Konica, ç’të kanë zili.

Ç’do t’u thash vallë, kur i ke karshi?

-Jam çikë shqiptare, bota le ta di.

Shënim:

1. Lord Bajroni, Poeti i mirënjohur anglez, u vesh shqiptarisht, kur u kthye në Londër.

2. Faik Konica, letrar i njohur dhe ambasador i Mbretërisë shqiptare në SHBA, herë pas here vishej me kostum kombëtar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat