Faik Konica: Si i erdhi fundi Shqipërisë së Zogut

Kultura

Faik Konica: Si i erdhi fundi Shqipërisë së Zogut

Më: 11 shkurt 2019 Në ora: 15:19
Faik Konica

Të premten e zezë të 7 prillit 1939, ndërsa mbretëresha Geraldinë ishte e sëmurë në shtrat, pasi dy ditë më parë kishte lindur një djalë, fashistët, pa kurrfarë paralajmërimi, pa asnjë provokim paraprak dhe pa shpallur luftë, e pushtuan Shqipërinë, një vend i paarmatosur dhe gati pesëdhjetë herë më i vogël se agresori.

Kjo vepër “e lavdishme” ndezi zilinë e mbretit Zog të Shqipërisë, i cili plot me dëshirë për të kryer një heroizëm të ngjashëm, që në krismën e parë, ia mbathi me të katra, duke i lënë shqiptarët të luftonin kundër hordhive të panumërta.

Përbuzja e botës së qytetëruar për agresorët qe më e madhe se tmerri përpara tyre, përderisa ajo botë e përmbajti veten, dhe e shtyrë nga mëshira, nuk e shfaqi opinionin e vet për dezertorin shqiptar.

Në atë kohë unë isha përfaqësuesi diplomatik i Shqipërisë në Uashington, ku isha emëruar që në vitin 1926, si i deleguari i vendit tim, për rilindjen e të cilit kam punuar që në fëmijëri. Qeveria amerikane, që nuk i njihte ndryshimet territoriale, të bëra me “metoda gangsterësh”, vazhdonte të më quante mua si përfaqësuesin e ligjshëm të Shqipërisë. Për më tepër, ky qëndrim në lidhje me pozitën time, lehtësohej edhe më shumë nga fakti se fashistët, të cilët në fillim luajtën pjesën e “çlirimtarëve” të Shqipërisë dhe jo të shkelësve të lirisë së saj, u përkujdesën të krijonin një qeveri kukull shqiptare, me përfaqësitë e saj diplomatike.

Porse italianët, të cilët, megjithëse kanë zënë një vend nderi të shkëlqyer në historinë e kulturës, nganjëherë të krijojnë përshtypjen se janë më tepër të shkathët sesa të zgjuar. Të njohur siç janë për padurimin e tyre, nuk e duruan më gjatë një gjendje të maskuar, e cila ishte në dobi të tyre, pasi e mbulonte me një vello dhunën që i kishin bërë Shqipërisë, dhe kështu, në mes të qershorit, qeveria kukull e Tiranës mori urdhër t’i mbyllte të gjitha përfaqësitë dhe konsullatat shqiptare jashtë shtetit.

Në të njëjtën kohë, edhe përfaqësuesit e kombeve të ndryshme, të akredituar në Tiranë, u njoftuan papritur se nuk u njihej më statusi i tyre diplomatik. Pak më vonë, dhe për të qenë të përpiktë, më 24 qershor 1939, më thirri në Departamentin e Shtetit Sekretari i Shtetit dhe më njoftoi se, në bazë të reciprocitetit, ishte i detyruar ta quante të kryer misionin tim.

Mister Kordell Hulli, që po tregohej edhe më i njerëzishëm se sa është zakonisht, u duk sikur po e lexonte në sytë e mi çudinë për diskriminimin e hapët që i bëhej Shqipërisë, në krahasim me Çekosllovakinë, përfaqësuesi i së cilës vazhdonte të njihej si përfaqësues i ligjshëm i kombit të vet. Mister Kordell Hulli e shpjegoi këtë trajtim të diferencuar, duke thënë se “ndryshimet në Çekosllovaki kishin ngjarë në mënyrë të papritur”, ndërsa, në Shqipëri, ndryshimi kishte ardhur duke u bërë shkallë-shkallë.

Nuk dyshoj që ky shpjegim mund të ishte i mbështetur, por po e rrëfej që nuk e kuptoja dot një gjë të tillë. Megjithatë nuk e quajta me vend të kërkoja sqarime. Pasi e dëgjova në heshtje, që nga fillimi, e falënderova Sekretarin e shtetit për të gjitha lehtësitë që më kishte bërë gjatë shërbimit tim dhe u largova.

Duhet thënë se ky epilog melankolik më trishtoi për të ardhmen e vendit tim, por duhet ta pranoj, se në të njëjtën kohë, e ndjeva veten të lehtësuar. Pozita e një njeriu që njihet si përfaqësuesi i ligjshëm i një vendi, pa përfaqësuar qeverinë reale të tij, të nxjerr shumë telashe. Më sillte në mend atë aktorin e Shopenhauerit, i cili vazhdonte të luante pjesën edhe pasi ishte mbyllur perdja. E ndjeva veten edhe më të lehtësuar, për shkak se lidhjet e mia me Zogun ishin këputur me kohë.

Asnjëherë Zogu nuk kishte qenë një sundimtar i lehtë për t’u duruar, por në vitet e fundit ishte bërë i padurueshëm. I pajisur nga natyra me disa veti të shënuara, në fillim pati aftësinë t’i maskonte të metat e veta të shumta, derisa sukseset e njëpasnjëshme e bënë të humbiste vetëpërmbajtjen dhe atëherë doli në shesh si një barbar endacak dhe i pabesë. Por, duam a nuk duam ne, ai mbetet një karakter interesant dhe enigmatik, një përzierje pa kriter kontradiktash të ndryshme, gjysmë hero dhe gjysmë bufon, për të cilin do të interesohen si grumbulluesi i fakteve historike të çuditshme, ashtu dhe studiuesi i psikologjisë.

Më kanë nxitur vazhdimisht që të shkruaja një libër për këtë personalitet interesant. Unë jam lëkundur për një kohë të gjatë, kryesisht sepse isha i zënë, duke shkruar një histori të Shqipërisë, e cila kërkonte gjurmime të mundimshme edhe nëpër dorëshkrimet e pabotuara të bibliotekave të Evropës.

Megjithatë, në kohën e lirë, u hidhja një sy autorëve elizabetianë (siç e kam zakon, herë pas here, edhe tani). M’u duk sikur gjeta një portret të Zogut te Mbreti Xhon i Shekspirit ose te “Martineri i Ri” i Marlout, a te “Çifuti i Maltës”, i po këtij autori. Me pak fjalë, Zogu, që nuk më kishte tërhequr kurrë si burrë shteti, më në fund ma zgjoi interesin si një subjekt anatomie. “Zarja u hodh”. E ndiej se duhet të shkruaj diçka për atë.

Ndoshta lexuesit mund të mendojnë se unë fillova ta kritikoj Zogun meqë ai ra nga fuqia. Supozimet nganjëherë dalin me vend, por në këtë rast, një supozim i tillë është krejtësisht i gabuar. Unë e kam kritikuar Zogun edhe kur ishte në fuqi;: këtë punë e kam bërë pa pushim, që nga viti 1922 deri në vitin 1939, me biseda të hapura dhe në shtyp, madje edhe atëherë kur isha ministër i tij, dhe aq shumë, saqë çdo ditë prisja pushimin nga puna, dhe kushdo çuditej si më duronin. Sa për të ilustruar sa thashë, po sjell këtu disa fakte.

Në shkurt të vitit 1934, Zogu, për fat, shpëtoi nga një atentat në Vienë. Nuk do ta lodh lexuesin dhe veten, duke sjellë këtu të dhëna statistikore. Ata që kanë një kujtesë të mirë, mund ta kujtojnë kryeartikullin, me shkronja të mëdha, në shtyp. Unë shpreha mospëlqimin tim për këtë atentat të poshtër, megjithëse mund të ishte i frymëzuar nga një atdhetarizëm i gabuar.

Kur u hap procesi, mbrojtja përdori citate nga shkrimet e mia, ku thuhej se Zogu nuk ishte tjetër, veçse një despot i vogël injorant. Të shkëputura nga konteksti i përgjithshëm, që kishte si qëllim ta kthente mendjen dhe veprimtarinë e Zogut në një drejtim më të mirë, duke i bërë kritika konstruktive dhe të llogaritura mirë, thuhet, se ato citate i ndihmuan të akuzuarit të shpëtonin me një dënim të lehtë.

Në vitin 1938 bënë një vizitë në Shtetet e Bashkuara tri motrat e mira dhe tërheqëse të Zogut. Unë bëra çmos, si shoqërues, si filozof, dhe si mik i tyre. Përpara se të ndahesha prej tyre, plaku shtatëdhjetëvjeçar Abdurrahman Salihu, një mik i vjetër i shtëpisë së Zogut, që kishte ardhur si shoqërues i princeshave, shprehu mirënjohjen e vet për kujdesin tim.

As vetë mbreti, tha ai, nuk do të mund të bënte më tepër për të motrat. Pastaj plaku shpirtmirë më tha se, po të dëshiroja, mund t’i jepja një mesazh me gojë për mbretin; “a më premtoni se do t’ia transmetoni mesazhin tim, pa i bërë asnjë ndryshim?”, e pyeta unë. Plaku më dha fjalën se ishte i gatshëm. “Mirë atëherë”, thashë unë, “bëji të ditur mbretit se kritikat e mia do të mbeten të kufizuara brenda qarqeve shqiptare; jashtë këtyre qarqeve unë do ta mbroj regjimin me të gjitha fuqitë e mia. Do të vazhdoj t’i shërbej me besnikëri dhe me zemër, sepse jam përfaqësues i tij dhe ai është koka e shtetit shqiptar. Por personalisht, unë ndiej përbuzjen më të madhe për karakterin e tij”. Abdurrahman Saliu mbeti me gojë hapur.

“Vërtet dëshironi t’ia përsërit të gjitha ato që thatë?” -, pyeti ai. – “Më premtuat dhe duhet ta mbani fjalën”, qe përgjigja ime; “Fjalën do ta mbaj por…” -, shtoi plaku pas një pauze “a mund të më thoni pse keni një mendim kaq të keq për mbretin?” – “me gjithë qejf”, – iu përgjigja unë me qetësi. “E përbuz mbretin për këto arsye: e kam ndjekur që kur ishte tetëmbëdhjetëvjeçar, por s’e kam dëgjuar një herë të thotë të vërtetën. S’e ka mbajtur kurrë fjalën e dhënë. Nuk ka kurrfarë ndjenje përgjegjësie.

Është i pangopur, egoist, zemërgur, i pandershëm. I Urren të gjithë ata që kanë diçka, qoftë kjo kulturë, prejardhje familjare, pasuri, ndonjë aftësi në çfarëdo fushe, ose vetëm e vetëm pse janë atdhetarë të ndershëm. Ai nuk i vlerëson gjërat kryesore, por u jep rëndësi disa punëve boshe. Përpara, Shqipëria është njohur gjithmonë si një komb me njëfarë dinjiteti tragjik; ai e ka ulur Shqipërinë deri në nivelin e një farse muzikore pa vlerë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat