U nda nga jeta, akademik Idriz Ajeti, mjeshtër i madh i përdorimit të fjalës shqipe

Kultura

U nda nga jeta, akademik Idriz Ajeti, mjeshtër i madh i përdorimit të fjalës shqipe

Nga: Mehmet Halimi Më: 14 shkurt 2019 Në ora: 17:27
Idriz Ajeti

Më 13 shkurt 2019, u nda nga jeta,shekullari ynë,akademik Idriz Ajeti,në moshën 102 vjeçare.Ai si një rrap shekullor u shkul me rrënjë e gëdhenjë nga gjiri familjar,shoqëror e kombëtar,duke lënë prapa si një meteor shkëlqimin e tij të ndritshëm me vepra të vlefshme e punë të mbarë,që një komb të tërë na bënë krenar. Ai ishte,jo vetëm si një lis që bënte hije për një fis,por  bënte hije për një popull e për një komb,nën hijen e të cilit breza të tërë,u rritëm,u edukuam,u shkolluam dhe u aftësuam për jetë,ndaj personalitetit të rryer e të vyer,strumbullarit e prijatarit të intelegjencës dhe shkencës shqiptare, akademik Idriz Ajetit i kemi borxh të përhershëm,ta nderojmë e ta respektojmë si babain e gjuhës shqipe,si njeri me dinjitet e autoritet dhe si vlerë të përjetshme të kulturës dhe shkencës shqiptare,i cili do të kujtohet gjatë ndër breaza në vijim.

 Gjuhëtari ynë i njohur,albanologu e ballkanologu i shquar,studiuesi e kultivuesi i dalluar i gjuhës amtare  e mjeshtri i madh i përdorimit të fjalës shqipe,akademik Idriz Ajeti,ishte njëri ndër dijetarët e rrallë,në fushën e shkencave albanologjike,i cili vuri themelet e kësaj dijeje në taban të fortë e të shëndosh shkencor. Ai përvijoi e trasoi hullinë e parë në udhë të mbarë të njësimit të gjuhës shqipe në Kosovë si udhëzues,frymëzues e organizues i Konsultës Gjuhësore të Prishtinës ( 1968), e cila i paraprini Kngresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe(1972).  Si “Dijetar i rysur,kërkues dhe mbrojtës i palodhur e i paepur i së vërtetës shkencore,prijatar në shumë fusha të albanologjisë dhe prind shpirtëror i nxënësve dhe studentëve të tij të shumtë,mik i dashur i zemrës i kolegëve e bashkëpunëtorëve” (E.Lafe). Idriz Ajeti ishte njohësi më i mirë i të folmeve shqipe në Kosovë,i të folmeve të shqiptarëve jashtë shtetit zyrtar të Shqipërisë,në veçanti, dhe i të folmeve shqipe,në përgjithësi. Ndaj,ai duke i studiuar dialektet dhe të folmet shqipe,për të formuar një unitet kombëtar,angazhohet me mish e me shpirt edhe për një  gjuhë të  njësuar e të standardizuar kombëtare,duke  shtruar  qartë pyetjen çuditëse,që vetvetiu  nënkupton edhe përgjigjen:  “Ç’ është më e natyrshme se një popull – edhe pse i ndarë në bashkësi të pavarura shtetërore,të ketë një gjuhë të përbashkët letrare ? ! – thekson ,ky burrë i madh, i mendimit shkencor shqiptar,i cili çështjen e njësimit të gjuhës e studioi në tre rrafshe:

Në rrafshin kulturor,në rrafshin shkencor dhe në rrafshin kombëtar. Frymën e bashkimit kombëtar që,Idriz Ajeti, e mbolli në Konsultën Gjuhësore,krijoi moton moderne shqiptare që tingëllonte dhe tingëllon edhe sot -  Një komb – një gjuhë, si ide e fuqisë së bashkimit dhe si veçori dalluese nga etnitë tjera në Ballkan.

Idriz Ajeti si mjeshtër i madh i përdorimit të fjalës shqipe,në këtë kuadër të pastërtisë gjuhësore,ai shton se pa gjuhë të pasur e të pastër,s’ ka as ide e mendime të larta . Qysh në vitet e tetëdhjeta të shekullit të kaluar,atë e brengoste dhe shqetësonte mungesa e kultivimit të kulturës gjuhësore,ndaj me të drjetë tërhiqte vërejtjen:  “Me përjashtime të rralla,gjuha e shtypit dhe e publicistikës sonë në Kosovë ende është e varfër, stereotipe,e thatë,e paqartë,e mbytur në skema të modeleve të gjuhëve të huaja.Në veprimtarinë e kulturës së gjuhës nuk mund të ketë sukses po nuk u edukua dashuria për gjuhësn amtare,ndjenja e përgjegjësisë dhe qëndrimi i ndërgjegjësimit ndaj saj “. Në këtë drejtim ai gjithnjë u përpoq të jap këshilla e sugjerime,shembuj konkretë në përdorimin e drejtë të fjalës shqipe,me pastërti e veçanti gjuhësore si një Aleksandër Xhuvan i ditëve tona.

Sipas mendimit tim  fuqinë dhe mjeshtrinë e përdorimit të fjalës shqipe të Prof.Idriz Ajetit mund ta kuptojmë më hollësisht e më gjerësisht po ta kundrojmë atë në katër rrafshe kuptimore,semantike e stilistike: l.Në rrafshin e qartësisë :  i saktë,i qartë dhe i kuptueshëm;  2. Hulumtues e kërkues i fjalëve popullore dhe përdorimit të tyre me shije logjike e me hije estetike – një Kristoforidh i ditëve tona; 3. Sipas analogjisë semantike,ai e pasuron dhe e zgjeron kuptimin semantik të fjalës së përdorur në tekst; 4. Idriz Ajeti bëri  vek pa yrrnek,sepse ai krijoi një stil të vetin të veçantë,që nuk i gjason asnjë stili,një stil origjinal e unikat ,si tipar karakteristik vetëm për Idriz Ajetin. Ai e shkroi shqipen me fjalë të përzgjedhura,me gramatikë e sintaksë në kuptimin e vërtetë të fjalësit të përdorur që të tërheq ta lexosh çdo vepër të tij. Deri më sot  “askush nuk e ka shkruar shqipen  më mirë se Ai” (Q.Murati).

Prof.Idriz Ajeti ishte një hulumtues e kërkues i pasionuar i fjalëve popullore dhe i përdorimit të tyre – një Kristoforidh i ditëve tona,gjithnjë dëgjonte e vëzhgonte ligjërimin e të folmeve popullore nga pleq e nga plaka dhe në momente rasti e çasti i shënonte këto fjalë dhe i përdorte e i aktivizonte në shkrimet e veta,duke u dhënë atyre funksione e kuptime të caktuara në veprat e tij shkencore.Ishin këto fjalë që nuk ishin përdorë prej askujt më parë ose ishin përdorë,por jo me kuptime dytësore e tretësore,siç i përdorte dhe u jepte jetë Prof.Idriz Ajeti.Po zëmë ngoje këtu një numër të konsideruar fjalësh të këtilla ,si: kaçubet,ledh,mbetëz,m’u la shteç,në kërthizë të gjuhës,,pikatë,spikatë,në krye të herës,në ballë të kohës,ngërthen,u shalakat,rrotull moteve,në rrymë të moteve,në rrjedh të kohës,në kapërcyell të shekujve, rrekem, mëtoj,zgrip, pisk, lik,kumt, zhbiroj, bubërroj ,furem,m’u furë,kaptoj,këndellem,kërleshem,mrizoj,mbarshtoj,ngurroj,prangoj,shitoj,tufoj,trupoj,vrujon,bunon, e shumë të tjera.

Në këtë frymë Prof.Idriz Ajeti shprehet: “Një ballafaqim i shqipes me sisteme gjuhësh përrreth në një rrafsh tërësor e të kodifikuar me stile funksionale të përpunuara i jep mundësi shqipes letrare të nxjerr në dukje të gjitha aftësitë shprehëse dhe zhdërvjeltësinë në punë të pasurimit me zhvillime e krijime fjalësh me ngjyrime të reja dhe të ngrejë në një shkallë më të lartë stilet shkrimore”.Në këtë drejtim ai sjell fjalë të rralla dhe i shpjegon ato,duke i përdor me mjeshtri e veçanti gjuhësore,ndërton stilin e vet origjinal e unikat.

Po t’i qasemi me kujdes e po të vëmë re stilin e veçantë të  akademik Idriz Ajetit,vërtetë shihet qartë se ai dallohet me veçoritë e veta nga çdo stil tjetër.Ai nuk i gjason kurrnjë stili,ai është unikat dhe i veçantë,siç është i veçantë edhe vetë Prof.Idriz Ajeti,si njeri e si shkencëtar.Këtu qëndron mjeshtëria e përdorimit të fjalës shqipe dhe madhështia e stilit të Idriz Ajetit,me ind e petk të një teksti shkencor të poetizuar,që lexohet me ëndje e kureshtje të madhe,siç lexohen edhe veprat gjuhësore të klasikëve tanë: Aleksandër Xhuvanit,Eqrem Çabejt,Selman Rizës,Shaban Demirajt,Mahir Domit,etj.

Prof.Idriz Ajeti gjithmonë pati parasysh qëllimin e tij parësor për rolin  e tij gjuhësor  për fjalët dhe stilin e përdorur në shkrime,ndaj spikatë: “Si çdo gjuhë letrare bashkë me drejtshkrimin e saj,edhe kjo jona, është rezultat i natyrshëm i proceseve të zhvilluara,sidomos nga Rilindja e këndej,në krijimin e së cilës shumë breza veprimtarësh specialistë e patriotësh zelltarë,pareshtur,kanë vënë gurë për të ngritur ngrehinën e saj aq të nevojshme për të çuar përpara kulturën e popullit dhe emancipimin e gjithanshëm të tij”.

Duke qenë i pajisur dhe i përgatitur mirë me dijet filologjike e albanologjike iu rrekë  me përkushtim një fushe sa të vështirë,po aq sfiduese,i dalë nga mësimet e linguistëve të shquar Karlo Taljavinit,Henrik Bariçit,etj. i thelluar në studime krahasimtare në romanistikë e sllavistikë dhe  në studimet e albanologëve me emër,si Holger Pedersenin  e Norbert Joklin,  atij i takoi të merret sa me dialektologjinë aktuale historike,po aq edhe me historinë e gjuhës së shkruar,sa me morfologjinë historike dhe me problemet e diskutueshme të saj,po aq edhe  me historinë e leksikut,sa me interferencat e dyanshme gjuhësore shqiptaro-sllavojugore,po aq edhe me onomastikën mesjetare,sa me normimin e shqipes,po aq edhe me çështjet e kulturës së gjuhës.(B.Kryeziu). Veprat e Idriz Ajetit  janë vek pa yrrnek  se si duhet të shkruhet shqipja standarde apo shqipja –shqip.Ai e ka shkruar shqipen me fjalë të përzgjedhura,me gramatikë e sintaksë në kuptimin e vërtetë të fjalësit të përdorur që të tërheq ta lexosh çdo vepër të tij.Deri më sot  “askush nuk e ka shkruar shqipen më mirë se  Ai”(Q.M.). Ai si njohës i mirë i dialekteve dhe të folmeve shqipe,të cilat janë si prroska që me prurjet e tyre,derdhen në lumin e madh të gjuhës letrare kombëtare,ndaj gurrën e tyre të pasur,prof.Idriz Ajeti e shfrytëzoi për mrekulli,në pasurimin e gjuhës letrare.Sepse  lidhjet e ngushta të gjuhës letrare  me të folmet popullore,janë si qumshti e ajka.Sepse nuk mund të ketë ajkë pa qumësht,por edhe qumësht cilësor pa ajkë e vlerë të çmueshme nuk ka. (M.Halimi).

Ndaj,Prof. Idriz Ajeti, në këtë frymë e rrugëtim, ka luajtur rolin kryesor në kultivimin e kulturës gjuhësore,duke e përdorë fjalën shqipe me mjeshtri e veçanti gjuhësore,me artin e fjalës së tij i ka dhënë shkencës së gjuhësisë sonë dhe gjuhës sonë amtare ,në përgjithësi, një vend nderi,sepse e ka ngritur gjuhën tonë  letrare  kombëtare të standardizuar në shkallë të gjuhëve më të përparuara të botës. Dhe sot ,me rastin e lamtumirës fizike të këtij shekullari mund të  shprehemi  me kënaqësi e respekt të veçantë se te Idriz Ajeti shohim një hulumtues e gjurmues,një lavrues e përpunues të gjuhës shqipe,i cili aq bukur e ka gatuar e hijeshuar gjuhën standarde në shkrimet e veta,duke përdorë shprehje me kripë e shije,në shtegtimet e tij të dijes,ai mendimet dhe idetë e veta i shprehu saktë e qartë,duke e ngritur të vërtetën shkencore në shkallë arti.

 Idriz Ajeti është dora e mbarë,e rryer dhe e vyer,mjeshtër  që ka mbrumuar e gatuar me  aq  shije e mjeshtri fjalë me miell brumi të truallit tonë,duke i përdorë ato  në kohë të duhur e në vend të duhur,me logjikë e kripë,me rend e me vend,saktë e qartë,rrjedhshëm e këndshëm në shkrimet e veta,ka ngritur lartë kultivimin e  kulturës së pastër gjuhësore,krijoi e ndërtoi një stil origjinal e unikat, të paarritshëm e të papërsëritshëm nga të tjerët,por gjithnjë të çmueshëm e të lakmueshëm nga çdo intelektual e dashamirë dhe  “Të gjithë ata që shqipen e quajn gjuhë të tyre të nënës,të mos heqin dorë nga mbrojtja e saj...!”(Sh.Demiraj)) dhe nga mënyra e të shkruarit ,përdorimit të fjalës dhe stilit të Idriz Ajetit,personalitetit me dinjitet e autoritet të çmuar e të nderuar,i cili diti gjithmonë ta drejtojë anijen në limanin e caktuar,ndaj çdo  erë i fryni mbarë e çdo nismë e synim qëllimmirë e  kurorëzoi me sukses.Si i këtillë,Idriz Ajeti  u bë vlerë kombëtare,sepse puna dhe  ndershmëria janë vlerat e tij shkencore,janë zbukurim dhe stolisje  i titullit të tij më të lartë akademik e shkencëtar,me të cilin ai një popull e një komb e nderon dhe e bën krenar.

Palla e Idriz Ajetit ishte  pena me të cilën ai i shërbeu gjatë gjithë jetës së tij shekullore, me vlerë e nderë, me fisnikëri e dashuri të madhe,popullit e atdheut të vet  të shenjtë e të shtrenjtë. Sepse arma më e fuqishme e përparimit dhe diturisë së një populli  është  gjuha amtare . Ndaj është detyrë jona që këtë thesar  të çmuar: “Ta ruajmë e ta kultivojmë, ta pasurojmë e ta kristalizojmë aq sa është e mundshme,duke ia përcjellë brezit që vjen pas nesh ashtu siç na e përcollën të tjerët neve sa më të lartësuar,të përpunuar,të normëzuar e të kodifikuar sipas standardeve më të avancuara të gjuhëve më të përkryera botërore”.(M.H.)

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat