Alush Canaj - shembull i vetëflijimit në letërsinë shqipe

Kultura

Alush Canaj - shembull i vetëflijimit në letërsinë shqipe

Nga: Ragip Ramaj Më: 14 shkurt 2019 Në ora: 19:50
Alush Canaj

Diku në fund të viteve të gjashtëdhjeta e në fillim të atyre të shtatëdhjeta, qarqet letrare të kohës dhe ne që po bënim hapat e parë në krijimtari letrare, kishim vërejtur se në qiellin letrar po lindte një yll, një yll që fatkeqësisht do të shuhej që në shkëlqimin e tij të parë, që në agun e jetës së tij prej poeti e shkrimtari. Ky yll quhej Alush Canaj, i cili me krijimet e tij poetike e artistike, sikur imponohej bindshëm, jo vetëm para lexuesve, por edhe para elitës letrare.

Ne njohim shumë akte tragjike në atë pjesën e letërsisë që e quajmë dramë e letërsisë shqipe. Kësaj drame, në mesin e shkurtit të vitit 1972, do t´i shtohet edhe një akt, që do të quhej Alush Canaj. Në pak vite, saktësisht brenda 5-6 viteve, letërsia shqipe që krijohet në Kosovë do t´i humbte tragjikisht, përveç poetit Alush Canaj, edhe dy poetë të tjerë: Shaip Hoxhën dhe Rexhep Elmazin. 

Tani shtrohet pyetja: në letërsi krijuesi hyn për të krijuar apo për t´u vetëflijuar. Apo ndoshta për të dyja. Edhe për të krijuar, e nëse e lyp nevoja, edhe për t´u vetëflijuar. Mesazhin që poeti e çon përmes vargjeve të tij se në emër të të përgjithshmës, akt bëhet vetëflijimi, tek Alush Canaj e gjejmë si binom vetëflijues, edhe në vargje, edhe me aktin final të flijimit fizik. Shembulli i vetëflijimit të poetit, na vjen si mesazh për lexuesin, se atdheu u dashka deri në flijim.

Temën e vetëflijimit e kemi edhe te poetë të tjerë, e kemi edhe te Naimi në poezinë “Fjalët e qiririt”.

Do të tretem, të kullohem,

Të digjem, të përvëlohem...

Përse, lind pyetja?

Që t'ju jap pakëz dritë,

Natën t'jua bëj ditë. - thotë poeti ynë.

Përmes aktit të vetëflijimit, poetët me vargjet dhe krijimtarinë e tyre, ngrisin vetëdijen dhe frymëzojnë masat e gjëra për një qëllim fisnik e të lartë, siç është çlirimi i vendit dhe i njeriut. 

Poeti Alush Canaj hyn në mesin e atyre poetëve që me vargjet e tij, jo vetëm frymëzon për këtë qëllim fisnik e të lartë, por edhe vetë bëhet ushtar lirie, duke sakrifikuar edhe jetën e tij për qëndrimet e tij të paepura para hetuesve të sigurimit shtetëror, këtyre ruajtësve besnikë të robërisë.

Pra, poeti Alush Canaj, është i paepur, nuk dorëzohet dot para kamxhikut të sigurimit shtetëror, që në të vërtetë është kamxhiku i robërisë, dhe pa u trembur e hamendur fare - i vë gjoksin:

Ma tregojnë kamxhikun,

s`e luaj dot qerpikun,

as s´shkoj në shtegtim,

rri në vendin tim. (Vjersha “Harabeli”).

Poeti qëndron, është stoik, nuk jepet dot, sepse e ka një forcë, e mban një shpresë, sepse Mbrëmë e ka puthur Lirinë, edhe nën lehjen e qenve që e kanë përcjellë hap pas hapi, edhe nën shtrëngimin e prangave.

Cilave pranga?

Atyre prangave që hetuesit e sigurimit shtetëror do t´ia vënë në duart e tij të njoma, në ato duar që kishin lindur për penën e muzës poetike e jo për prangat e robërisë, tradhtisë; prangat e disa shqipfolësve që po e ujitnin robërinë me torturat dhe gjakun e bijve e bijave më të mira të Kosovës. Ato pranga që do t´ia zgjidhnin vetëm atëherë sa për ta ngritur gotën e helmit në një natë të ftohtë shkurti.

Ato pranga, ata (pra, hetuesit) nuk do t´i varrosin së bashku me trupin e njomë të poetit, sepse do t´i ruajnë edhe për poetin tjetër të familjes Canaj, për vëllain e tij Avdushin, tani të vetmen dritë e shpresë në familje, edhe për prindër, edhe për motra. 

Ato pranga, në burgun ushtarak jugosllav të Sarajevës, pesë vjet të plota tani do t´i shtrëngojnë e gozhdojnë duart e Avdushit, këtij “...irredentisti që aq fuqishëm e kishte rrezikuar vëllaznim-bashkimin dhe shtetin jugosllav”, ashtu siç e kishte rrezikuar dikur vëllai i tij, Alushi.

Sa e tmerrshme: dy poetë të një familjeje - që të dy në pranga, njëri pesë vjet burg të rëndë ushtarak e tjetri madje me fund akoma ma tragjik.

Poeti Alush Canaj na e la një fond të konsiderueshëm vjershash e tregimesh për fëmijë dhe, që në krijimet e para, ai na paraqitet si poet i talentuar dhe me vokacion. 

Kur marrim parasysh se ai vdiq i ri, nëntëmbëdhjetë vjeç, dhe krijimtarinë që na e la, e shkroi si gjimnazist dhe në fillet e jetës studentore, atëherë fare lehtë mund të konkludojmë se ai kishte talent të rrallë dhe ishte një emër që premtonte shumë në letërsinë shqipe.

Vjershat e tij kanë thellësi mendimi, trajtojnë dhe prekun aspekte të jetës reale, por edhe shpesh i jep hapësirë e liri fantazisë, që në krijimtarinë për fëmijë, është shumë e rëndësishme dhe vargu poetik fuqizohet akoma më shumë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat