Një shembull i shkëlqyer i një gazete dinjitoze

Kultura

Një shembull i shkëlqyer i një gazete dinjitoze

Nga: Bardhyl Bejo Më: 15 shkurt 2019 Në ora: 07:17
Bardhok Rajta`

Këto ditë gazeta “Bota Sot” ka botuar një intervistë me mikun e shokun tim, ing. Bardhok Rajta. Çfarë shembulli i shkëlqyer i një gazete, e cila mer nisma të tilla, që në vend të reklamojë milionerë që i kanë fituar pasuritë e tyre duke grabitur, flet për “heronjtë e heshtur” të punës, të cilët të vetmen pasuri që kanë fituar në këtë jetë është bekimi që marin nga njerëzit e mirë të këtij populli halleshumë, për veprën e tyre në shërbim të tij.

Nuk ka gjë më atdhetare, kur organet e medias, si “Bota Sot”, jo vetëm kujtojnë, por dinë të përshkruajnë jetën e shoqërisë, nëpërmjet jetës të intelektualëve, aktiviteti i të cilëve ka qënë e është karakteristikë e kohës. Por, karakteristikë e mrekullueshme, që në shumë raste ka kaluar nëpërmjet përpjekjeve të mundimshme, për të aritur deri nivele të larta, për ta bërë kohën më të mirë e më të përparuar.

Ja siç është jeta shembullore, krejt vështirësi, mveshur kudo me dashurinë e jashtëzakonëshme për prindërit, të afërmit, mësuesit dhe shokët, e Bardhok Rajtës, e këtij dibrani afro 70 vjeçar që i bën nder jo vetëm krejt Dibres e dibranëve, këtij populli punëtor, të pastër e të ndershëm, por krejt brezit të vet anë e mbanë ku ka e jetojnë shqiptarë.

Të lindësh në Krej-Lurë të Dibrës, të fillosh të mësosh me libra mbuluar me çanta lecke, mes acareve me borë për të vajtur në bangon e largët të shkollës, të përfundosh me rezultate të shkëlqyera inxhinierinë elektrike, më tej të kalosh një jetë të tërë në mes të punëve për dreq të rënda të periferive e të fshatrave, të arrish një rezultat të tillë sa të organizosh e të drejtosh një ndërmarje me 1.700 punëtorë, puna e të cilëve shkëlqeu e ndriçoi një rreth të tërë, është një punë, që siç më duket mua, nuk mund të bëhet në kushte normale. Bëhet vetëm nga njerëz me vullnet të hekurt, nga njerëz të rritur e edukuar në familje punëtorësh e arsimdashësish, patriotësh e e fisnikësh, shtëpi ku rreh zemra e bardhë e shpirti i madh i shqiptarisë.

Ja ky është shkurtimisht personazhi, me të cilën ka pse të ndjehet e denjësisht e nderuar në detyrën e vet qytetare gazeta “Bota Sot”. E bashkë me të, ky shoku im i dashur, inxhinieri i nivelit të lartë, Bardh Rajta, që pasi i zbriti kamionit që e ktheu përfundimisht në Dibër si inxhinier të sapo diplomuar, e filloi punën duke skicuar rrugëve nëpër blloqe shenimesh, por që ariti deri në vitin 1985 me kolegët e vet, të transformojë aktivitetin e inxhinierit në një veprimtari të plotë shkencore, mbi bazë të të cilës u projektuan e prodhuan, aty ku nuk gjeje as tel për gardhe, në çdo vit deri në 10 objekte hidrocentralesh me 16 hidroagregate, pas të cilave numuron deri më sot edhe 70 hidrocentrale të tjera si bashkëautor. Një peshë që vështirë nuk e mban njeri tjetër, përveçse Bardhok Rajtës, përveçse “shpina” e një inxhinieri shkencëtar që i ka shkrirë energjitë e aftësitë e veta në funksion të zhvillimit të vendit e shoqërisë.

Këtë doja të komunikoja me miqtë e mi, e mundësisht edhe me brezin e ri, me ata që mund të më lexojnë, për të provuar se puna, puna e vetëm puna, është ajo për të cilen sot ka nevojë më tepër se kurrë ky vendi ynë i jashtëzakonshëm e i bukur, por fatkeqësisht i varfër e në agoninë e gjetjes të shembullit të njeriut të duhur e shqiptarit të ndershëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat