Lypsi që nuk është lypës - Bota Sot
Lypsi që nuk është lypës

Kultura

Lypsi që nuk është lypës

Nga: Albert Z. Zholi Më: 15 shkurt 2019 Në ora: 08:44
Albert Z. Zholi

E hënë e ftohtë janari! Kodrat përreth Athinës janë mbuluar  me borë. Era, që s’dihej  nga  vinte,  të priste si brisk.

Në kryqëzimin e një udhe në Halandri, pronari im ndali  veturën, në pritje  të semaforit  jeshil. Befas, tek xhami u dritares u zgjat një dorë lypsi. Ishte një fëmijë  10-11 vjeçar  që në dorë  mbante  një gotë kaucuku. Ju lutem zotërinjë, më ndihmoni,- foli fëmija  dhe uli kokën.

Më bëri    përshtypje sjellja  e tij delikate. Nga gjuha  e kuptova  që ishte nga  vendi im. Ndjeva se i vinte rëndë  për atë që bënte. Ndryshonte  nga ata fëmijët, që ishin kthyer në lypsa profesionistë. Nga jeni?- e pyes në shqip.

Ai, nuk e priste që dikush t’i fliste në gjuhën  e tij. Uli kokën  me turp, sikur nuk donte që dorën e tij  të zgjatur  ta shihte  një bashkëatdhetar  i tij. Gota e kauçukut i dridhej  në dorën  e plasaritur  nga  të ftohtit. Ashtu kokëulur  u përgjigj:

-Jam me babanë, por ai ka thyer  këmbën  e nuk punon. Nuk më ka nxjerrë babai në udhë, por s’ka tjetër  kush të punojë . Mbushi sytë  ne lotë  dhe  foli me inat, sikur  donte  të mbronte  familjen e tij:

-Babai im është  më i miri në  botë! 

-Po nëna nuk punon? 

-Nëna iku me një grek, e mori burrë, - dhe ia plasi të qarit.

Semafori ndez dritën jeshile. Veç pronarit zgjata edhe unë  dorën  për të ndihmuar  lypsin fatkeq. Pastaj munda ta përkëdhelja  nga flokët.

Ishte djalë i mirë- tha pronari kur nisi makinën,- por ja lypës.

-Nuk ishte lypës – i thashë pronarit- ishte  një  fëmijë  fatkeq.

Ishte rritur para kohe jo vetëm për punë por dhe në mendime.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...