Ja pse serbët i quajmë shkije

Kultura

Ja pse serbët i quajmë shkije

Më: 16 shkurt 2019 Në ora: 08:03
Një shpjegim i perceptimit shqiptar për fqinjët tanë. Ai është bërë nga profesori BARDHYL DEMIRAJ në librin shkencor “SHQIPTAR DHE SHQA. Histori popujsh përmes dy emrave etnikë”

Tregu i librit shkencor ishte pasuruar me një studim të ri etnolinguistik: “Shqiptar dhe shqa. Histori popujsh përmes dy emrave etnikë”, i Bardhyl Demirajt, nga Shtëpia botuese Naimi.

Ai studion emrin shqa me të cilin shqiptarët kanë emërtuar fqinjët sllavë qysh nga kontaktet e para me ta e deri në kohën tonë, kur ky emër ka mbetur tashmë në përdorim të ngushtë krahinor e madje nuk është përfshirë as në fjalorët e shqipes së sotme.

Autori kishte sjellë një material të përmbledhur dokumentar dhe të dhënat dialektore rreth përhapjes dhe përdorimit të këtij emri etnik, së bashku me çerdhen e tij leksikore në të gjitha trevat e shqipes, ku vihen re dukuri fonetike dialektore të vjetra, si ruajtja, përkatësisht zhvillimi i grupit bashkëtingëllor /kl/: shkla (arbërishte e Greqisë, e Italisë, e Ukrainës), shkjâ (geg. veriore), shqa (geg. jugore, tosk.), si dhe kuptime të ndryshme nëpër dialekte (“sllav i Jugut”; “malazez”; “serb”; “bullgar [= maqedonas]”; “sllav ortodoks”; “grek” te arvanitasit e Greqisë) ose në përdorime të kufizuara e të rralla (si p.sh. kuptimi “shërbëtor” në ndonjë shprehje popullore).

Një aspekt i rëndësishëm i studimit është edhe hetimi i prejardhjes së fjalës, nëse është huazim nga greqishtja bizantine (Miklosich) apo latinishtja mesjetare (Meyer), ku mbështetet teza e latinishtes, edhe me një argument të ri të ndërtimit të trajtës së femërores së fjalës (shkinë, shqinë, shqirë, shklirë “sllave”) nga një bazë paradialektore e cila nuk mund të shpjegohet veçse si huazim nga latinishtja.

Image

Studimi ndalet edhe në disa shndërrime kuptimore që ka pësuar emri shqa ndër shqiptarët në hapësirë dhe kohë. Një vëmendje e veçantë i kushtohet përdorimit që ka fjala shkla në ngulimet arbërore në Greqi, ku emri etnik shënon fqinjët grekë dhe ndajfolja shklerisht gjuhën greke.

Pjesa përmbyllëse u kushtohet çështjeve që kanë të bëjnë me historinë e brendshme të fjalës në shqipe, ku ndërthuren vështrimi gjuhësor-historik me atë etnolinguistik, hulumtimi i etnogjenezës së popullit shqiptar dhe i marrëdhënieve të tij me fqinjët sllavë.

Nga analiza e tufës së tipareve identifikuese që përmban shenjuesi shqa ndër shqiptarë vërehet se janë të njëjtat tipare, por të përkundërta, që karakterizojnë shqiptarët, duke u dalluar kështu si entitet etnik-kulturor i veçantë në Ballkan e në diasporën historike shqiptare.

Përfundimi i shtjellimeve thekson faktin se në kohën e dyndjeve sllave në Ballkan, nën rrezikun kërcënues të zhbërjes kulturore-etnike të gjithë Ballkanit, ishte ngjizur ndërkohë vetë etnogjeneza shqiptare, dhe se shënjuesi shqa ndër shqiptarë, qysh para shpërnguljeve arvanite drejt jugut të Greqisë, fitoi edhe kuptimin e “fqinjit joshqiptar” me të cilin shqiptarët e Greqisë emërtuan pastaj fqinjët grekë. /Milosao/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat