Av. Sergjio Mazreku, një kandidat dinjitoz për SPAK

Kultura

Av. Sergjio Mazreku, një kandidat dinjitoz për SPAK

Nga: Dukagjin Hata Më: 16 shkurt 2019 Në ora: 20:07
Av. Sergjio Mazreku

Përzgjedhja e kandidatëve më të mirë dhe më dinjitozë, që do të lëvizin nga pika e ngrirjes reformën në drejtësi është një proces që duhet të zhvishet nga çdo fragment nepotizimi dhe reminishencë e kahjeve të politikës.

Hapja e procesit të ngritjes dhe formatimit të shtrukturës së SPAK-ut, si njësia më e rëndësishme e antikrimit të organizuar dhe korrupsionit të niveleve të larta, çfarë mundëson realisht fillimin e një drejtësie të re, shënon një pikë kulmore në reformën në drejtësi dhe mundëson çuarjen e të drejtës si koncept juridik dhe njerëzor gjer në sferat më të paprekshme të shtetit dhe shoqërisë.

Kandidatët për në SPAK duhet të jenë njerëzit më të pastër të drejtësisë së re, njerëz të pakorruptuar, profesionistë të zotë dhe me kurajo të fortë qytetare e profesionale.

Njëri  ndër këta, që mund ta meritonte një besim të tillë, është av. Sergjio Mazreku. Jo vetëm për aftësitë profesionale, por dhe për shkallën e rezonancës publike që ai ka, për shkak të angazhimeve të tij diturore, me shkrime dhe analiza në mbrojtje të platformave që synojnë ta nxjerrin drejtësinë nga kthetrat e politikës dhe çdo lloj tjetër devijimi.

Serrgjio Mazreku ka mbaruar Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës në vitin 2002, ciklin pesëvjeçar si dhe masterin shkencor, dega  Drejtësi, Akademia e Biznesit Civil Tregtar me rezultate të shkëlqyera. Ka punuar 14 vjet vetëm si Avokat, funksion të cilin vazhdon ta ushtrojë me përkushtim e profesionalizëm.

Sergjio Mazreku i ka kaluar të gjitha testet përzgjedhëse dhe verifikuese dhe është një figurë dinjitoze e jurispondencës shqiptare, qoftë për bagazhin dhe civinë profesionale, qoftë për kredencialet morale. Ai plotëson kushtet për të qenë pjesë e SPAK-ut, në bazë të rezultateve të shpallura nga Operacini Ndërkombëtar i Verifikimit.

Sot nuk janë dhe aq të shumtë në numër ata avokatë, gjyqtarë e prokurorë që përmbushin kriteret e një përzgjedhje dinjitoze për të ushtruar një detyrë të tillë kaq domethënëse për të çuar përpara reformën në drejtësi dhe av. Sergjio Mazreku është njëri prej tyre.

Avokat, publicist, autor librash, humanist në ndihmë të shtresave në nevojë, ai përfaqëson një nga zërat më seriozë të organeve të drejtësisë, në fushën e avokatisë dhe të së drejtës. Kjo për faktin se ai ndodhet gjithmonë në kërkim të përvojave të reja shpirtërore, në angazhime që lidhen me organet e drejtësisë, pjesë e të cilave ndihet si avokat, por dhe në angazhime të tjera që plotërojnë profilin e tij prej njeriu të veprimit, analisti dhe veprimtari shoqëror.

Në librat e tij në fokus janë investigimet për shtetin e së drejtës, për rolin e organeve të drejtësisë në pëshpejtimin e krijimit të një shteti model që të mbrojë dhe përfaqësojë në mënyrë dinjtoze dhe institucionale të drejtat qytetare të çdo individ të shoqërisë sonë.

Me analiza dhe shkrime studimore shteruese ai ka mbrojtur me argumente të fortë reformën në drejtësi, si një nga reformat më të thella dhe më pretenduese të këtyre njëzet e shtatë viteve tranzicion demokratik.

Nuk ka lidhje me asnjë spektër politik, pavarësisht origjinës së tij të djathtë, si pinjoll i derës së Mazrekëve, që lidhet me dy kreyqendra të shqiptarisë etnike, me Shkodrën që është vendorigjina dhe me Elbasanin, ku janë degëzuar shtrirjet e tij në kohë, me familjen historike të Aqif Pashë Elbasnit dhe Luigj Gurakuqit,  stërnip i të ciëve ai është.

Avoakt Sergjio Mazreku është një person human, që ka asistuar me qindra çështje gjyqësore falas për nevojtarët dhe të varfërit. Reflektimet e tij në shtypin e përditshëm për nevojën e reformimit të plotë të organave të drejtësisë, para se kjo reformë të hynte në agjendën e ditës së politikës dhe më gjërë, janë pjesë e kredove të tij intelektuale, profesionale dhe njerëzore.

Gjithashtu është sponsor i disa dokumentarëve historikë, që lançojnë figurat emblematike të historisë së kombit, ku në përvjetorin e njëqind të shtetit të parë shqiptar, Sergjioja ka financuar një pjesë të projketeve të bashkisë së Elbasanit për të përjetësuar në dokumentarë e libra ikonat e saj në këtë qytet e më gjërë.

Sergjioja është gjithashtu autor i tre librave politologjiko-analitikë ku fokuson probleme nga më të ndryshmet e më të spikaturat të politikës dhe tranzicionit të vështirë, libra që kanë pasur jehonë në qarqet publicistike, mediatike dhe politike shqiptare.

Nëse duam vërtet të krijojmë një strukturë solide dhe efikase në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, nëse kompetentët e kanë seriozisht zhveshjen e drejtësisë nga ndikimet e politikës, do ta kishin për nder që t’i jepnin një profesionisti si av. Sergjio Mazreku mundësinë e ushtrimit të detyrës si jurist i talentuar dhe i papërlyer në strukturën e SPAK-ut, pasi individualitete dhe zëra të tillë premtojnë atë që synon reforma në drejtësi, e projektuar nga ndërkombëtarët dhe e mbështtetur fuqishëm nga mbarë opinioni publik shqiptar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat