Zgjoj etje sonte hartës tjetër
Veç sonte të jetoj, kaq robëruar
Vetëtimës së qiellit të vjetër
E nesër le të çmendem përsëri
Pa vetvete pa yll e pa ty esa
Të vijë e të derdhet kujtesa
Ej kërce sonte Polifem, veç sonte
Kërce dehu e mos më tradhto
Flakës së verës së zezë përhiten
Flutura të gjakut të derdhur,
Flatrimit etur vijnë prapë ikin
E deri në vetmi ridigjen hirit
Deri në ag kërce e vdis Polifem
Peizazh mijëvjeçar i syrit
Gjithësi dhembjes së ullirit
2
Të vetmuarit sonte pinë verë e s`dehen
Deri në asht ridigjen nga flakë e hënës
E orët në kisha e sahat-kulla nuk lëvizin
Sheshet të zbrazëta dhe krejt të lagura
Mbi hijen e vetes zënë ritmin e vdekur
Ti ik pas dritaresh me perde tyli të hirtë
Sheh neonet e fluturat nga digjen e bien
Ndez qiririn me dëshirë të mos jesh
Brenda gjakut të këngës që e shkruan
Ej dilni në rrugë e kërceni me shami të zeza
Para hënës së djegur kërceni e vdisni në etje
Sonte dua t`ua njoh vajin t`ua njoh këngën
Sonte peizazhet ndizen flakës së kaltër
E unë rri me kokë në dritare dhe shkruaj
Për të sëmurët nga flenë të qetë sonte
Për të vetmuarit nga pinë verë e digjen
3
Hijes sime sonte si t`i ik, zemër
Si t`i ruaj plagët të fjetura në mua
Dorë e natës të mos i prek sytë
S`dua sonte të mbledh dhembje
E ta shkruaj këngën për vdekjen
Më thuaj sonte katallan i verbër
Si t`i shpëtoj ëndrrat për lirinë sonte
Si t`i lidh plagët me ditët ikur në erë
Fluturat e gjakut t`i rikthej mbi qiri
Eej vdekjen e kam në shuplaka
Një grua të shtrirë buzë uji të pirë
Me mollën e kafshuar mbi kujtim
4
Sonte dua të vdes pak
Të ik nga gjaku i çelur në trëndafil
Zemrën ende gjallë ta vë mbi tërfil
T`ia këpus fletët të dua s`të dua
Dhembjes të ik, i bërë yll mbi krua
Fund fushës nga vjen hija ime me fyell
Nga ti e shkruan pa epjen në qiell
Nga udhët e vetmuara pikin gjak
Të vdes pak sonte dua vetëm pak
Hëna nga rri var në litar mbi sokak
Sonte dua të vdes krejt pak
Për veten vetes t`i marr hak
5
Ma lyeni sonte ballin me qiell
Ylli polar të më bëj rojë mbi sy
E ti natë e gjatë, e prerë për shpatë,
Ma ngjyros të gjelbër lëkurën
Ma ngjyros të verdhë ëndrrën
Ej e ballin ma lyej me gjak qielli
Dua të jetoj me këtë flakë vere të zezë
I pa gojë i verbër e i shurdhër dua të jetoj
Dhe i vdekur t`i prek bistakët e hënës
Mbi gjinjtë tu nga pikin gjak e qumësht
Nga ëndërrojnë agun përmbi valëDri
Ama, kij kujdes, mos më prek zemrën
S`dua t`i çel më plagët e vjetra
Mes teje dhe vetes unë i vdekur
6
Me savanën tënde të zezë, natë
Ma ngjyros sonte shpirtin fluturues
M`i mbush gotat me verë të kuqe
E më harro thellë në thikën e gjakut
Dritës së shpirtit nga fiket në ëndërr
T`i dalë në fund këngës për ujin
M`i jep duart zogj të vrarë në hi
M`i derdh flokët e hënës për fytyrë
M`i afro buzët zjarr, këngën që e dua
Yllin që më vret e dhe zemre më qet
Dredh vithet mbi hijen e katallanit
Me afshin qorr thyeje shtatin në bel
Flakën e shpirtit të ta pi dhe të vdes
Të vdesësh mbi ty do të thotë të këndosh
Për syrin e kaltër dhe të thellë të ilirisë
Për pulëbardhën e detit me guacë të artë
Do të thotë t`i biesh këngës në fund
E të luash me xhitën e shpirtit
Ndërmjet syrit, ëndrrës e qiellit
7
Ti këndon, qan, e çel zemrën
E unë mbyllem në gjak robi
S`kërkova të mbyllem brenda këngës
Nga e pik gjakun tim mbi gotën time
As të harroj s` kërkova veç të vdes
Veç të vdes sonte, katallan i verbër
Futi gishtat në verën e gotës sime
Pas shtatë trazimesh ta pi, e të harroj
Gjaku yt është apo veç gjaku im,zot
Ja sesi toka sillet rreth kokës sime boshe
E unë zgjas duart ta këpus mollën në gem
E unë zgjas duart thellë në natë
E unë këpus duart nga hiri yt e vdes
8
Dorën zgjas për flakë të verës
Zemrën t`ia nxjerr vetes
E nata e lodhur ik zvarrë mbi gjak
E këngëtarja qan me këngë në buzë
Ej dhe te ti lulëzon dhembja, goce
Dhe te ti pikon zjarri i ngrirë i lotit
E unë pranë teje e Polifemit të verbër
Sall desha të harroj se jetoj e asgjë më
E asgjë më, druri im i zi i prerë
As thashë se jam autor i këngës
As thashë se jam dhembja e botës
Sall desha nga muri i gjunjëzuar
Lulen e gjithësisë sime ta shkëpus