Figura dhe vepra e Marinajt në përputhje të plotë me jetën dhe formimin e tij shpirtëror, intelektual, krijues dhe nacional

Kultura

Figura dhe vepra e Marinajt në përputhje të plotë me jetën dhe formimin e tij shpirtëror, intelektual, krijues dhe nacional

Nga: Mikel Gojani Më: 20 shkurt 2019 Në ora: 15:29
Gjekë Marinaj

Në jetën shoqërore, përgjithësisht ndodh, që njerëz të shquar,  të letërsisë, kulturës, shkencës,  të artit e të pedagogjisë, të veçohen nga të tjerët për aftësi intelektuale, për përkushtim  në çështjet madhore, për veprimtari të devotshme dhe  për pathyeshmëri të vullnetit e të idealit të lartë  që si obligim misioni i kanë dhënë vetes  dhe që kanë në shpirt. Të tillë njerëz nuk lindin në çdo kohë, janë  të nevojshëm  për jetën, shoqërinë  dhe kombin në përgjithësi dhe, secili në fushën e vet e njëherësh bashkërisht i vënë vulën fushave të ndryshme të cilave i janë qasur. Njëra prej figurave më të shquara të letërsisë shqipe, por që edhe i ka kaluar kufijtë kombëtar, është edhe emri i shkrimtarit, studiuesit dhe pedagogut të shquar, i cili jeton dhe vepron larg atdheut të vet, në Amerikë, përkatësisht në Teksas të këtij vendi, i cili qysh herët është bërë çerdhe e ngrohtë e figurave më të shquara të kombit të fushave të ndryshme, si të jetës politike, letrare, shkencore, arti e të veprimtarive të tjera.

Në këtë vend ka afro dy dekada që ka gjendur veten edhe shkrimtari, studiuesi dhe pedagogu tashmë  shumë i mirënjohur, Gjekë Marinaj. Vepra e deritanishme e Gjekë Marinajt, është në përputhje të plotë me jetën e me formimin e tij shpirtëror, kulturor dhe nacional. Të konturosh portretin e këtij shkrimtari dhe studiuesi të shquar të botës letrare e shkencore shqiptare, por edhe të asaj universale, do të thotë  ke të bësh  me një personalitet me një kulturë të frytshme dhe tepër kualitative letrare e studimore,  i cili përherë është në ngarendje  që t’i shërbejë letërsisë sonë kombëtare, por edhe të asaj botërore; me pretendimin që të sjell mes nesh më shumë dritë mendimi, më shumë dituri, më shumë vërtetësi...  Marinaj, si gjithherë deri me tash, kërkon të jetë plot energji, tek kryen një veprim fisnik të pasurimit të panteonit të letërsisë, shkencës dhe  kulturës nacionale dhe internacionale, që zë vend e lë gjurmë në kujtesën e brezave bashkëkohorë, e prandaj merr, ose do të marr falënderimet që meriton nga lexuesit që ndjekin veprën dhe shkrimet e tij . Pra, kemi  të bëjmë me një krijues të palodhur të vlerave të pastra nacionale. Si  personalitet, i jetës letrare, publicistike, studimore e pedagogjike,  paraqitet si një bibliotekë novatore, e formuar nga dora e mendja produktive në përputhje me kontekstin e mendimit dhe krijimit kohor. Nëpërmjet kësaj kolane të letërsisë e të artit tonë, atdheu/kombi ynë, përkatësisht letërsia dhe kultura  jonë kombëtare po njihet dhe pasqyrohet anekënd globit. Kështu, pra emri i shkrimtarit Gjekë Marinaj, sot njihet si emër i njërit  prej përfaqësuesve më të denjë të letërsisë dhe kulturës sonë, duke i bërë nam letërsisë, publicistikës, shkencës dhe artit tonë në kohën kur më tepër se kur  është e nevojshme, ngase popujt tjerë më një  letërsi, me një art dhe kulturë janë shumë më të varfër se sa ne, mirëpo kanë arritur t’i arrijnë lartësitë e afirmimit. Ky është edhe synim dhe obligimi që i ka dhënë vetes Gjeka...

Kush është Senada Demushi (Delaj), autore e monografisë “Shtigjeve letrare të Gjekë Marinaj”.

Senada Demushi (Delaj), ka lindur  në Koplik, Malësi e Madhe, më 11.3.2018. Ka përfunduar gjimnazin “Shefqet Hoxha”, në qytetin e lindjes, para se të vazhdonte  studimet universitare. Ka lindur në një familje, ku lulëzonte  tradita, dashuria për letërsinë, këngën folklorike, rapsodët dhe u brumos me tharmin  e të gjithave bashkë, duke e çuar atë më vonë drejt studimeve të larta  në USH “Luigj Gurakuqi|”, dega “Gjuhë-Letërsi” (2002-2008).

E lidhur fort  pas letërsisë, në vitet 2010-2012, kryen studimet pasuniversitare, duke u diplomuar në Master Shkencor për “Etnokulturë e Letërsisë shqipe”. Aty zgjodhi si temë të mbrojtjes  së diplomës pikërisht lëndën  Letërsi e diasporës” dhe vendosi të bëjë  një studime të gjerë mbi poetin  e talentuar Gjekë Marinaj.

I ati i saj, rapsodi i dëgjuar Jonuz Delaj, i kishte  treguar asaj për një djalë malësor, me shumë guxim e talent, për poezinë e tij... “Kuajt”. Më vonë ajo vendosi  që ta zgjerojë më shumë  studimin  dhe të shkruajë  këtë monografi, të cilën ju e keni në dorë.
Senada punon prej më shumë se 5-vitesh si mësuese e Gjuhës shqipe. Është e martuar dhe ka dy fëmijë. Ka mbrojtur edhe 3 gjuhë të huaj, anglisht, frëngjisht dhe italisht, si dhe ka njohje  për shuhen spanjolle e latine. Jeton në Shkodër.

Portretizimi i Marinajt përmes veprës “Shtigjeve letrare të Gjekë Marinajt”, të autores Senada  Demushi, (Delaj)

Për shkrimtarin, publicistin, studiuesin dhe pedagogun e mirënjohur Gjekë Marinaj, janë shkruar libra dhe shkrime të shumta në  gazetat dhe revistat në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, por edhe jashtë këtyre hapësirave, sidomos në Amerikë, ku njëherësh edhe e vazhdon aktivitetin e tij të frytshëm dhe me interes dimensional.  Shkrimtari, publicisti dhe studiuesi, i cili jeton dhe vepron në Amerikë, Adnan Mehmeti, në vitin 2017 ka shkruar monografinë me titull: “Gjekë Marinaj më shumë se poet”. Ndërkaq, për të ndriçuar edhe më shumë figurën dhe veprimtarinë  letrare dhe studimore të Gjekë Marinajt, studiuesja e re dhe me shumë perspektivë, Senada Demushi (Delaj), botoi monografinë tjetër për Gjekë Marinajn me një titull shumë të qëlluar dhe  simbolik, “Shtigjeve letrare të Gjekë Marinaj”.

Në këtë libër, studiuesja  Demushi i është qasur me përkushtimin më të madh duke gërmuar deri në  thellësitë e minierës letrare e studimore të Marinajt, në kërkim të mbërritjes deri te qasjet më të rëndësishme dhe më me interes të figurës dhe veprimtarisë së Marinajt. Dhe, si duket falë këmbëngulësisë së  studiueses Demushi, ia ka arritur që ta konceptojë këtë libër mjaft të çmuar dhe që meriton çdo vlerësim nga lexuesit dhe studiuesit e sotëm.

Studiuesja Demushi (Delaj), gjatë studimeve të saj, duke u njohur me lëndën “Etnokulturë e diasporës”, është njohur nga afër për shumë emra krijuesish shqiptarë, të cilër në mënyrë të dinjitetshme vazhdojnë rrugën etërve të letërsisë  shqipe, të cilët kanë jetuar dhe vepruar në diasporë, duke e shkruar dhe afirmuar letërsinë dhe kulturën shqipe në diasporë, si në Europë, po ashtu edhe në Amerikë. Si pasues të shkrimtarëve të mëdhenj, të cilët kanë  vepruar në diasporë, si Mithat Frashëri, Krist Maloki, Noli, Konica, më vonë  Arshi Pipa, Naum Prifti etj., tash breza të rinj krijuesish të talentuar, që kanë krijuar çerdhe të rëndësishme të letërsisë, shkencës dhe kulturës shqiptare. Me këtë rast, autorja Senada, potencon  brezin e ri krijuesish,  si Gjekë Marinajn, Dalan Luzajn, Petraq Palin,  Rasim Behon , Kolëc Traboinin etj. Në Amerikë; Artur Spanjollin, Gëzim Hajdarin, Shpendi Sollakun, Ornela Vorpsin, Ron Kubatin etj. Në Itali; Alush Avdylin, Naser Janin, Mina Çaushin, Miho Gjinin etj., në Greqi. Ky brez i të rinjsh  me krijimet e tyre përfaqësojnë në  shtypin e kohës në këto vende ku jetojnë dhe veprojnë.

Autorja Demushi (Delaj), shpjegon kureshtjen që ka zgjuar që si studiuese të jetë kureshtare e  veprës së  shkrimtarit Gjekë Marinaj. Ajo sqaron që  njohja virtuale me Gjekë Marinajn është e hershme, gjegjësisht qysh në fëmijëri kishte dëgjuar për këtë emër të letrave shqipe nga babai i saj Jonuz Delaj, të cilit  shkrimtari Marinaj i kishte dhuruar disa libra  me autografe dedikuar babait të saj, libra këto që  autorja ka gjetur në bibliotekën e babait. Dhe, sipas autores, duke u njohur nga afër me shkrimet dhe veprat e  Marinajt, Demushi- Delaj u motivua që t’i qaset me përkushtimin më të madhe  figurës dhe veprës së  këtij shkrimtari, i cili tashmë jeton dhe veprojnë në Amerikë.

Libri “Shtigjeve letrare të Gjekë Marinaj” është i konceptuar në 12 kapituj që përbëjnë një strukturë unifikuese përmbajtjesore.

Në kreun e parë autorja Demushi-Delaj,  prezanton një biografi jetësore të protagonistit të librit, Gjekë Marinaj. Sipas autorë së librit,   Marinaj është i lindur në  Brrut të Malësisë së Madhe  në 26 maj 1965, “mu në mes të jetëgjatësisë  së pushtetit të Enver Hoxhës, Marinaj e mësoi që herët natyrën e jetës  në një regjim  totalitar. Armiqësimi me sistemin totalitar  paguhej me dekada  internim, izolim, ose asgjësim fizik”. Qysh në moshë të re ai filloi të shkruaj dhe me shkrimet e tij t’i kundërvihej asaj ideologjie ekstreme e shtypëse. Hapat e parë  i hodhi  në drejtimin e gazetarisë  duke botuar shkrime në  disa medie të kohës, fillimisht në gazetën  “Jeta e re”, në Shkodër, më pastaj në disa gazeta të tjera, si  “Zëri i Rinisë”, “Luftëtari” dhe “Vullnetari”. Në atë kohë, pas vdekjes së  Enver Hoxhës substanca e  fuqisë së  atij regjimi  filloi të tëhollohej, megjithatë shtypin e kohës e mbante nën kontroll. Meqenëse ishte plotësisht i vetëdijshëm që poezitë dhe krijimet tjera  të “rrezikshme”, për regjimin, sidomos pasojat që i sjellin botimi i tyre, Marinaj i mbante për vete duke shpresuar që një ditë do ta shohin dritën. Kështu, në vitin 1990 Marinaj një cikël të poezive iu beson  poetëve të shquar të kohës, si Ndoc Gjetjes, Rudolf Markut, Nasi Lerës, Bardhyl Londos, Skënder Buçpapajt etj. Atëbotë Buçpapaj dhe Marku ishin redaktorë  dhe Londo kryeredaktor  i gazetës  kulturore e letrare “Drita”, e cili ishte organ i LSHASH.

Poezia “Kuajt” që trandi pushtetin dhe detyroi Marinajn të kërkojë shpëtim

Poezia “Kuajt”, e Gjekë Marinajt, e botuar   më 19 gusht 1090 në  gazetën “Drita” , është një nga poezitë që qëndron edhe sot e kësaj dite pas kaq vitesh në mbamendjen e lexuesve të shumtën, e cila poezi sikur trazoi në atë kohë “arterien e popullit”, por, njëherësh edhe zemëroi në masë të madhe pushtetin e atëhershëm, i cili akoma nuk kishte arritur të lirohej nga ideologjia e së kaluarës. Poezia “Kuajt’, ngërthente në vete në ndjenjë shumë të thellë , shpaloste atë që  ishte akumuluar  për shumë vite dhe dekada  zemërimi dhe pakënaqësia  ndaj atij regjimi i cili mbante të dhunuar dhe të robëruar një popull të tërë.

Botimi i poezisë pasoi me “hakmarrjet” e regjimit ndaj autorit, por edhe ndaj mbartësve të “fajit’, që kishin bërë me rastin e botimit të kësaj poezie. Shkrimtarët përgjegjëses të redaksisë së gazetës “Drita”, u detyruan që t’u përgjigjen urdhrave të organeve të sigurimit, për “gabimin” që kishin lëshuar dhe  për shkeljen e kritereve të politikës  redaktuese të gazetës, po ashtu edhe autori i poezisë, poeti Marinaj, ftohet për t’u paraqitur në organet e sigurimit, përkatësisht në Degën e Punëve  të brendshme të Shkodrës. Marinaj ishte plotësisht i vetëdijshëm se për “gabime”: të njëjta me çfarë ndëshkimesh kishin pësuar krijues të tjerë dhe duke i kuptuar mirë pasojat, ai vendos që me një ilegalisht të kalojë kufirin dhe të gjendej,  fillimisht në Mal të Zi, duke qëndruar në  ambientet policore për dy javë në  Podgoricë, më pastaj transferohet në Serbi, përkatësisht në Beograd. Pas qëndrimit disa javë në Beograd, duke i bindur autoritetet zyrtare të Ambasadës së Amerikës, përkatësisht  ish-ambasadorin e atëhershëm të Amerikës në Beograd, Uarën Zimerman, nga vetë  ambasadori merr lejen e për qëndrim të përhershëm në Amerikë.

Në Amerikë për Marinajn fillon jetë të re me perspektivat e saj

Më arritjen e Marinajt në Amerikë fillon një jetë e re me ambicie të reja në rrugëtimin e jetës. Si çdo fillim që ka vështirësitë e saja, fillimi i jetës së tij në këtë vend të mundësive të mëdha, sikur i gjithë emigrantëve që  është i vështirë, edhe  Marinaj përballet me plot  vështirësi, mungesa e njohjes së gjuhës etj. Megjithatë, duke e kuptuar realitetin që  ai i kishte dhënë obligim vetes që përfundimisht jetën do ta vazhdojë në këtë vend, ambiciet e tij mposhtën gjitha vështirësitë dhe  përpos shumë punëve që kreu, vazhdoi edhe shkollimin, ku ka arritur fillimisht të magjistri  në Shkollën e Arteve dhe Humanizmit (Master of Arts in  Humanities – Studies in Literature (2008) në Dallas. Gjatë kësaj kohe Marinaj, kreu shumë punë dhe shumë angazhime në shërbim të letërsisë, shkencës, artit dhe kulturës.

Marinaj, tashmë një intelektual i formuar, kreu shumë punë, shumë angazhime në kultivimin dhe  zhvillimin  e letërsisë, shkencës, artit dhe kulturës kombëtare në Amerikë.  Themeloi Shoqatën e Shkrimtarëve  Shqiptaro-Amerikanë, për disa vjet drejtori  revistën “Pena”; themelo dhe udhëhoqi  Shtëpinë botuese  “Marinaj Publishing,   ka përkthyer shumë vepra të autorëve shqiptar në gjuhën angleze; është laureat i shumë çmimeve letrare në Amerikë, por edhe në Shqipëri,  Marinaj, është pedagog  i “Gjuhës dhe  Komunikimeve Angleze dhe i lëndës së Letërsisë Botërore ”, në Richland College në Dallas të Teksasit, ku jeton me  bashkëshorten e tij Dusita. Përveç punës si profesor në Kolegjin (Riçland College), Marinaj  është aktualisht Drejtor i Përgjegjshëm  i Shtëpisë Botuese  “Mundus Artium Press” të Universitetit të Teksasit në Dallas, ndërkaq në vitin  2012 ka marrë  edhe titullin PhD  (Doktor i Filozofisë nga Universiteti  i Teksasit, UTD,  

Sipas autores Demushi-Delaj, poezia “Kuajt”, në poezi e cila bëri jehonë të madhe në tërë Shqipërinë, që i solli “fatsjelljen” e Gjekës që të ikë nga atdheu dhe të gjejë strehim dhe të vazhdojë jetën në Amerikës.

Këto janë vargjet e poezisë “kujat”, që morën jehonë të jashtëzakonshme anë e mbanë Shqipërisë, detyruan Gjekën  ta lë atdheun (ose të paguajë me kokë),  dhe sot të gjendet tej oqeanin Atlantik, në Amerikë:

“Tërë jetën duke vrapuar rrimë/ Shohim veç përpara? Ç’bëhen prapa s’duan  t’ia dimë. Ne nuk kemi emër/ Të gjithëve kuaj na thonë./ Nuk qajmë,/ Nuk qeshim,/ Heshtim,/ Dëgjojmë;/ Hamë atë ç’na japin,/ Ecim nga na thonë,/ Asnjë nga ne s’është mendje hollë./ Kush qe kalë mbreti,/ Posti qe i lartë/ Kush qe kalë princeshe/ I bënë shalë të artë/ Kush qe kalë fshatari/ Pak samar me kashtë/ Kush qe kalë i egër/ tërë jetën fjeti jashtë./ Po qemë dhe mbetem  kuaj, para njeriut./ Poezia “Kuajt”, fq. 20-21.

Ishte viti kur njerëzit përjetonin  një atmosferë  mbytëse, absurde, fyese, groteske. Në Shkodër trupat e të vrarëve  në kufi i tërhiqnin zvarrë përpara syve të shqyer të njerëzve. Turmat rrinin në radhë  me shpresën se mund të  blihej një shishe qumësht. Nëpër trena gjatë udhëtimit, njerëzit shkulnin  dërrasat e dyshemesë e ndiznin zjarre. Çdo gjë ishte kundër letërsisë dhe poezisë.  Të zëmë me preokupimet më banale të jetës, dukej se kujtimi i poezisë, i fantazisë, i ndjenjave , i fyente njerëzit. Çuditërisht në këtë atmosferë  aq të kobët, njerëzit thërrisnin në ndihmë poezinë. E vetmja radhë që nuk i fyente  njerëzit  ishte pritja  për të blerë gazetën e shkrimtarëve.  Poezia pati një jehonë të jashtëzakonshme. Nëpër trenat e dgeur ku kishin metur vetëm skeletet metalike, njerëzit  nxirrnin nga xhepat  një letër të  zhubrosur, ku ishte e kopjuar poezia ‘Kuajt”. Ajo ishte një poezi e shtruar në mënyrën më naive. Me një shkujdesje ritmike dhe e paorganizuar deri në fund/ E megjithatë fatin e saj do ta kishin  dëshiruar edhe poezitë më të qëndrueshme antologjike”, shprehet në vlerësimin e ij, studiuesi Dashnor Kaloçi. (gazeta Shqiptare”, 10 tetor 2000, fq.10. I njëjti shkrim  gjendet  edhe në gazetën  “Shqip”, 26 maj 2006, fq. 18-19).

Duke vlerësuar këto vargje studiuesi i mirënjohur, Shefqet Dibrani, duke vlerësuar këtë poezi, shton se “kuajt e këtij vargu poetik janë  figurat e gjalla njerëzore, që me veprimet e tyre  ngjasojnë  më ato të kuajve të rëndomtë...

”Poezia “Kuajt “ përmes  vargjeve të saja pasqyron realitetin me të cilin ballafaqohej populli shqiptar në atë kohë.  Në vargje ngërthehen dhimbjet shpirtërore e fizike që ndjente autori Marinaj, që ishte njëherësh ndjenjë e  gjithë  popullit shqiptar që përjetonte atë gjendje të trishto me esencat e saja tepër tragjike.

“Mos më ik larg” (1995), vëllimi i parë poetik i Marinajt

Pesë vite më vonë të arratisjes së Marinajt nga atdheu, boton librin e parë poetik me një titull mjaft metaforik, “Mos më ik nga larg”. Tash ishte një kohë kur vendi i tij e gëzonte fjalën e lirë, krijuesi nuk kishte më cezurë. Sipas autores Demushi - Delaj leximi i librit është joshës, sepse motivet lexuesi i gjen pa ndonjë lodhje; aty dominojnë malli dhe  dashuria për vendin  dhe njerëzit e dashur. Dhembja e shqiptarëve të vuajtur dhe stërvuajtur  nga pushtuesit serbë  e motivon krijuesin Marinaj që t’i qaset këtyre vuajtjeve, kryesisht të atyre  të popullit shqiptar të Kosovës. Këtë e argumentojnë edhe disa nga poezitë e tij,  si “Kronistët  e shekullit XX”, “Kosovë, lëndimtarja ime”, “Gëzuar Vitin e Ri Kosova ime” et.

Vargjet e Marinajt kanë një ndjeshmëri me një natyrshmëri të thellë ideoartistike. Vargjet, përkatësisht vlerat e ideoartistike të këtij poeti, kritikët letrarë i krahasojnë me ato të M. Camajt, F. Reshpjes, D. Agollit dhe të poetëve të tjerë më elitarë të letërsisë sonë. Sipas autores , “Gjeka është  një poet i lindur, i cili ka dëshirë  t’i largohet  nivelit të krijimtarisë  vargëzuese, duke u mbështetur  në talentin e tij të lindur, në atë që ai besonte  dhe ndiente nga natyra, por edhe duke thelluar njohjet mbi poezinë e botën në gjithësinë e saj”, shprehet Semada.

Vëllimi vijues poetik “Infinit” (2000), të autorit Marinaj, sipas autores përbën një përfaqësim  dinjitoz e cilësor  të poezisë së kultivuar  në Diasporën Shqiptare në Amerikë, në kuadrin e përgjithshëm  të letërsisë  shqipe. Sipas studiuesit Agron Tufa, i cili njëherësh edhe ka shkruar parathënien e këtij libri, ai shprehet  se “kjo është një poezi  e përmbajtur, jo sintementale, pritet për nga plastika e formës , porse  jo nga ekspresioni subjektiv i gjendjes , kërkon qartësi lëndore  kur i referohet një objekti  dhe fton më shumë tek arsyeja  sesa përjetimi i arsyes së vetë ndjenjës. Në këtë poezitë e këtij vëllimi kohët dhe vendet çojnë ndërmjet vetes  një dialog të tendosur: natyra dhe teknika, historias dhe botëkrijimi, arti  dhe përditshmëria – gjithçka që përbën  kulturën  shpërpjesëtuar  në epoka të ndryshme, areale, gjini e zhanre, ato fokusohen  në një pikë  të tillë të optikës poetike se shndërrohen në pjesë  të së tërës”, pohon studiuesi Tufa.

Në vargjet e Marinajt  vërehet një mishërim edhe me Kosovën dhe fatin e popullit shqiptar të këtij vendi, bashkë me krajatat e tij gatë rrugëtimit historik deri me mbërritjen e lirisë në vitin 1999. Autori Marinaj, një cikël në vete ia ka kushtuar Kosovës,  e titullin kuptimplotë “Zero qetësi”.  Poetin Marinaj e djeg malli dhe shqetësimi për fatin e popullit të tij në Kosovë dhe  titulli i poezisë  “Kosova në 1999”,  nënkuptohet se  fjala është për Luftën e Kosovës së kryer  nga barbarët serbë:   “Vallë, Kosova po vdes për të  rilindë”/ Kosova në 1999”/ “Ditët marrin mbrëmjeve  një sy gjumë...” (nga poezia, “Në Prishtinë”).    

Drama e njerëzimit, e projektuar kryesisht në rrafshin moral, është  një nga burimet  më me peshë të shqetësimit  poetik të Marinajt, duke bërë që në vargjet e “Infinitiv” të rrjedhë, jo vetëm shqetësimi i kohës sonë, por edhe i të të gjitha kohërave.

Poeti Marinaj, po ashtu është i lidhur me vendlindjen e tij, dhe vendlindja e tij është pjesë e pandarë e vargut të tij, është një simbiozë nga e cila nuk mund të shkëputet për asnjë çast. “Sikur të mundohesha  ta jetoja jetën pa vendlindjen time, do të ishte  sikur të mundohem të ndërtoj  një pallat  duke filluar nga kati i dytë. Pra, realisht është e pamundur. Imagjinata nuk mjafton. Nuk mund të harroj që Shqipëria  më formoi, më bëri njeri. Amerika më dha mundësinë  të bëhem  një njeri  më i ditur . Shpirtërisht  unë jam vendlindja, fëmijëria ime. Pa to nuk mund të  kisha  substancën e domosdoshme  për të ecur përpara, për t’u kompletuar  si njeri dhe intelektual”, shprehet ndër të tjera Marinaj.

Një pjesë e këtij libri është e konceptuar me  një recension  të studiuesit Luigj Çekaj, i cili flet për vlerat ideoartistike të  vëllimit poetik “Infinit”, të botuar në gazetën “Illyria”. Në vijim, përkatësisht  te kreu i katërt,  autorja flet  për vlerat dhe kontributin e  Gjekë marinajt në fushën e gazetarisë.

Libër me interes të veçantë të autorit Marinaj, autorja  Demushi- Delaj, e  prezanton librin me intervista të titulluar “Ana tjetër e pasqyrës” (2003), brenda të cilit libër autori marinaj ka të përfshirë 31 emra të personaliteteve, të  cilët në politikë mund të përmendim ish presidentin Xhorxh Bush (senior), ish-presidentin dhe ish-kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berishën, botuesin dhe  politikanin, Nikollë Lesin, ish-kryeministrin e Izraelit dhe fituesin e  Çmimit Nobël për Paqe, Simon, Perez, ish- deputetin e ndjerë nga bajza,  Dodë Kaçajn etj. Nga bota letrare autori veçon  shkrimtarin e shquar, Dritëro Agollin, Agim Shehun, Anton Çefën,  etj. Nga fusha e sportit autori Marinaj veçon  futbollistin tiranas S. Demollarin, b. Ceka, S. Këlliç, K. Majaci ose intervista me  futbollistin dhe yllin e futbollit botëror, Pele, por edhe atë kosovar, F. Vokrrin e shumë të tjerë. Kështu që gjeografia e personaliteteve të intervistuara në libër  është e gjerë dhe nga fusha të ndryshme.  

Në vijim autorja e librit, na jep një prezantim të Shtëpisë botuese  “Marinaj Publishing”, veprimtarinë e secilës shkrimtari dhe studiuesi Marinaj e ka filluar në vitin 2000 dhe vazhdon veprimtarinë e  saj botuese, e cila deri tash ka botuar disa libra në  gjuhën shqipe dhe angleze. Sipas autores Senada, qëllimi i Marinajt përmes kësaj Shtëpie botuese ka qenë  nga ndjenja që  Marinaj gjithmonë  e kishte ëndërruar një “mision letrar”, për t’i ardhur në ndihmë  krijuesve në përgjithësi, kryesisht krijuesve në diasporë.  Autorja e librit, po ashtu flet edhe për kontributin e Marinajt në fushën e pedagogjisë. Marinaj, është i angazhuar në kolegjin Richland , i themeluar në vitin 1972, në Dallas, përkatësisht Teksas, i cili ligjëron  lëndët  “Gjuha dhe Komunikimi Anglez” dhe “Letërsia botërore”, lëndë këto që i ligjëron që nga viti 2002. Autorja po ashtu  lexuesve të këtij libri iu jep një të dhëna të rëndësishme që nqë njërën nga ato shkolla ku studiohet vepra e I. Kadaresë, është “Richland College”,  në ballas të Teksasit, ku prej disa vitesh  nxënësit e tij në lëndën e letërsisë botërore kanë të programuar  librin “Ura me tri harqe”, të shkrimtarit Ismail Kadare, të cilin libër e ka shkruar  në fillimvitet e ’70-ta.    

Librat, “Ca gjera nuk mund të mbeten sekret” dhe  vëllimi poetik “Lutjet në ditën e tetë të javës”, libra me interes dimensional

Libri i katërt i Gjekë Marinajt, “Ca gjera nuk mund të mbeten sekret”, është libri i katërt i Marinajt, botuar në vitin 2007.  Sipas autores Senada, ky libër  përmban shkrime  të ndryshme të gjinive  të ndryshme, si reportazhe, vlerësime mbi gazeta e revista me vlera për shqiptarët e diasporës, promovime librash në diasporë, çmime të ndryshme  që marrin intelektualët shqiptarë, si festohen festat patriotike –shqiptare, çfarë bëjnë  më shumë shqiptarët  për njëri-tjetrin në diasporë... Pra, në një farë mënyre, Marinaj, me këtë libër  bën përpjekje  që të na paraqes  tablo të plotë të aktiviteteve dhe veprimtarive   të shqiptarëve  në diasporë, veçanërisht në Amerikë. Kështu përmes këtij libri  autori Marinaj jep mundësinë që  edhe shqiptarët që jetojnë në Shqipëri të njihen pak më shumë  me botën shqiptaro-amerikane  dhe të ndihen pjesë  e tyre. 

Ndërkaq, vëllimi i tretë me poezi i Gjekë Marinajt, mban një titull mjaft  metaforik, “Lutjet në ditën e tetë të javës”,  të botuar më 2008. Sipas studiuesit të letërsisë shqipe, Mujo Buçpapajt,  “poezitë në librin  “Lutjet në ditën e tetë të javës”, e ndihmojnë lexuesin të transofrmojë  vizionin, të shqyrtojë vetveten dhe të arrijë përfundimet e duhura , si jehonë e jetës, e shndërruar shpesh në  melankoli dhe dyshim. Ky cikël përbën një  rifreskim  fondamental të poezisë bashkëkohore, me një përkushtim  substancial  të poetit, plot çiltërsi metaforë dhe shpirt të gjerë  komunikimi. Ky cikël shënon një sfidë  jo vetëm në karrierën poetike të Marinajt, por edhe për caqet që vë  përpara poetëve bashkëkohorë amerikanë dhe evropianë. Të krahasuar  me një stëkë  të ngritur  lartë për garë, ato dallojnë  për strukturën , mënyrën e të shprehurit  dhe imazhet e kërkuara  mes dashurisë dhe dhimbjes, që dalin përtej demokracisë së shpirtit të tij dhe përsosjes ,orale dhe artistike.  Poezia e tij ka fituar admirues të spikatur, sidomos  ata tek ai grupim , që është i dhënë pa poezisë filozofike . Ashtu sikur  Gary Snyder, edhe Gjekë Marinaj sjell në poezinë  bashkëkohore amerikane  dhe shqiptare një prezencë  rë fuqishme autoriale”, shprehet ndër të tjera studiuesi  Mujo Buçpapaj.

Vlerat ideoartistike të këtij libri dhe të veprave letrare të Marinajt përgjithësisht janë të rëndësishme dhe me interesa shumëdimensionale.

Gjekë Marinajt përkthyes i frytshëm dhe me vlera tepër kualitative

Autorja e librit, Senada  në brendinë e këtij libri ka kapërthyer edhe kontributin e Gjekë Marinajt në fushën e përkthimit. Autorja e vlerëson lartë vlerat e Marinajt në këtë  fushë/  Sipas autores  letërsia shqipe dhe përkthimet e saj në gjuhën angleze , për herë të parë zënë vend  në faqet  e revistës  “Translation Revieë” (“kritika e Përkthimit, e cilësuar si revista  më e madhe  në botë  për përkthimin nga gjuhët tjera  në anglisht, “Kritika e përkthimit botohet prej 30 vjetësh  nga universiteti i Teksasit në Dallas të SHBA-së.  Nga kjo revistë janë botuar shkrime  të përkthyera  nga vepra e parë e Marin Barletit “Historia e Skënderbeut (1595),  deri në ditët e sotme, si në përkthimet  e “Këngëve të Kreshnikëve”, “Lahuta e Malësisë’, “Bagëti e Bujqësi”, pjesë nga vepra  e Migjenit, Koliqit etj., e deri te periudhës së  soc-realizmit e deri me sot, si I. Kadare, F, Kongoli, E. Dones, K. Mehmeti, Y. Aliçka, L. Arapi, E. Basha, F. Libonja, T. Laço, D. Agolli etj., të cilët janë përfshirë në një antologji. Si përkthyes Marinaj ka nxjerrë në dritë  disa me përkthime disa vepra letrare, si “Ora e paqes (2005), yë poetit Gjermano amerikan, Rainer Schulte, “Shpella e Platonit”, poezi të kandidatit për çmimin Nobel në Letërsi, Frederik Turner, “Poezia bashkëkohore amerikane”, antologji poetike me nëntë poetët më të mirë  amerikanë,  “Sung across the shulder” (2006), Gjekë Marinaj & Frederick Turner – përkthim i Gjekë Marinajt, “Ngjarje në tokë” , “Occurrene on Earth”, poezi të autorit Preç Zogaj etj.

Veprimtaria e Gjekë Marinajt si përkthyes nuk përmbyllet , mirëpo ka edhe shumë e shumë shkrime dhe botime të tjera si përkthyes, duke e ndërlidhur kështu  gjithë globin ndërmjet letërsisë, artit dhe kulturës universale.

Një kapitull të veçantë autori Gjekaj i kushton Protonizmit, një teori e re letrare, si në gjuhën shqipe, po ashtu  edhe për atë botërore. Janë të rrallë krijues që janë marrë me një rrymë të këtillë mjaft specifike dhe kompleksive, mirëpo Marinaj ka arritur që ta studiojë në mënyrë mjaft të specializuar.

Libri përmbyllet me kujtimet e shkrimtarit Gjekë Marinajt në Shqipëri, kujtime këto që kanë lënë gjurmë në kujtesën dhe memorien e tij, duke shpalosur një jetë me plotë katrahure, mirëpo me pasionin e tij për librin, letërsinë dhe kulturën tonë përgjithësisht dhe atë botërore. Në vazhdën e këtyre përjetimeve autorja na jep disa përjetime që i ka ndier  gjatë një qëndrimi në familjen e Gjekës në fshatin Bajzë, të zbritur nga vendlindja ku kishin jetuar më parë, në fshatin Brrut, në këtë fshat. Autorja pasurohet me rrëfimet që i  shpalosin rreth Gjekës dhe jetës së tyre nga babai i Gjekës Nika dhe nëna Filja, rrëfime tepër interesante dhe që zgjojnë kureshtje të jashtëzakonshme.

Autorja  po ashtu prezanton  një fjalor të fjalëve  të reja shqipe të përdorur  nga Gjekë Marinaj, po ashtu shpalos  edhe përkthimet e autorëve të shumtë të huaj  si dhe poezi të Gjekës të publikuara në shtyp.

Autorja Demushi-Delaj, librin e përmbyll me publikimin e një bibliografie që e pasuron, përkatësisht e koncepton gjithë pasqyrën e lëndës së përdorur për shqyrtim në këtë libër.

Dhe krejt në përfundim lirisht mund të konstatojmë se libri “Shtigjeve letrare të Gjekë Marinaj”, është një libër  shumë i rëndësishëm dhe me vlera të veçanta, i cili libër të shfrytëzohet dhe do t’u shërbejë lexuesve dhe kritikës letrare për të studiuar edhe më thellësisht këtë figurë tepër të rëndësishme të letërsisë, shkencës, artit dhe kulturës kombëtare dhe universale. Autorja Demushi- Delaj, përmes këtij libri dëshmon se posedon një kulturë të formësuar intelektuale dhe i urojmë suksese dhe mbarësi në projektet të vazhdueshme në fushën e publicistikës dhe zhanret tjera të letërsisë, shkencës dhe kulturës kombëtare.  

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat