Një këndvështrim tjetër interesant për Rilindjen Kombëtare Shqiptare

Kultura

Një këndvështrim tjetër interesant për Rilindjen Kombëtare Shqiptare

Më: 22 shkurt 2019 Në ora: 13:31
Foto

(Përkitazi me librin “Lëvizja kombëtare çlirimtare shqiptare (1890 – 1912) “ e autorit prof.dr. Vllado Popovskit, shtëpia botuese ‘55’, Tiranë, 2018. Përkthyes: Resul Shabani)

Monografia “Lëvizja kombëtare çlirimtare shqiptare (1890 – 1912) “ e autorit prof.dr. Vllado Popovskit, është fryt i hulumtimit shumëvjeçar për një segment të rëndësishëm të historisë së Shqipërisë, siç është harku kohor 1820-1912. Rrëfimi i përzgjedhur i Popovskit për ngjarjet – tharmë, që u zhvilluan në arealin shqiptar gjatë shekullit XIX, përbën një kontribut të rëndësishëm për historinë e shqiptarëve në veçanti dhe atë ballkanase në përgjithësi, shkruan, ndër të tjera, historiania, prof.dr. Valentina Duka në parathënien e  këtij libri, që u botuar këtyre ditëve në Tiranë, nga shtëpia botuese ‘55’ dhe në përkthim brilant të Resul Shabanit.

Periudha e marrë në studim, e cila ndryshe quhet ‘Rilindja Kombëtare Shqiptare’, dallohet për intensitetin  ngjarjeve dhe kulturore të zhvilluara brenda arealit shqiptar si dhe për densitetin e ngjarjeve ndërkombëtare të cilat ndikuan fuqishëm në krijimin e shtetit shqiptar. Përpjekjet e shqiptarëve për zhvillimin e arsimit dhe kulturës kombëtare, u intensifikuan më tej gjatë kohës së lartpërmendur, kur figura të shquara patriotike.., ashtu siç thekson prof. Popovski në veprën e tij, u bënë pjesë e rëndësishme e luftës së popullit shqiptar për shkëputje nga sundimi osman, vë në dukje, prof. dr. Valentina Duka.

Shfaqja e procesit kombëtar dhe shtetëror shqiptar në gjysmën dytë të shek. XIX, sipas autorit, buroi nga procesi i formimit të vetëdijes kombëtare dhe patriotizmit të shqiptarëve. Ndërlidhëset dhe instrumentet më të fuqishme në këtë plan, ai i shikon tek traditat dhe zakonet e përbashkëta të shqiptarëve.
Gjuha shqipe, për autorin, është mjeti kryesor lidhës tek shqiptarët pa dallim përkatësie fetare si dhe kontribuuese kryesore në kultivimin e dashurisë për Shqipërinë si vendlindje dhe si mëmëdhe.

Zgjimi kombëtar i shqiptarëve, i cili siç del nga ky libër, por edhe nga e gjithë literatura historiografike shqiptare dhe e huaj, nënvizon Valentina Duka, erdhi fillimisht në mënyrë graduale dhe në vitet e fundit të sundimit osman, ai shpërtheu si rrufe tronditëse. Me bashkimin dhe luftën e tyre shqiptarët xhelozuan fqinjët e tyre, të cilët, sipas Vllado Popovskit, të mobilizuar në kuadër të një aleance të përbashkët, filluan Luftën e Parë Ballkanike, me synimin kryesor – copëtimin e territoreve shqiptare.

Nisur nga përmbajtja e librit, mënyra se si interpretohen e analizohen çështjet themelore të historisë shqiptare të gjysmës së dytë të shek. XIX dhe fillimeve të shek. XX, ne jemi të bindur se me botimin e kësaj vepre në shqip i ofrohet lexuesit shqiptar një këndvështrim tjetër interesant për një nga periudhat më të rëndësishme të së kaluarës së tij, sikurse ka qenë Rilindja Kombëtare, konstaton prof.dr. Valentina Duka. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat