Qytetet antike në Libi, cak i hajdutëve e të harruara nga turistët

Kultura

Qytetet antike në Libi, cak i hajdutëve e të harruara nga turistët

Më: 22 shkurt 2019 Në ora: 14:23
Foto

Grafiti mbulon muret e amfiteatrit grek në Cyrene, qytet i lashtë në lindje të Libisë që tani po përballet me neglizhencën, vandalizmin dhe uzurpimin e banorëve lokalë.

Dyqani i suvenireve dhe kafenetë e braktisura në rrugën malore që të shpie te vendi 2 mijë e 600 vjet i vjetër, janë si paralajmërim se ky vend dikur ishte atraksion i madh turistik, shkruan Reuters.

Lokalitetet arkeologjike të Libisë janë përballur me plaçkitje të shumta që prej largimit nga pushteti të diktatorit Muammar Gaddafi në vitin 2011, kur vendi u përfshi në trazira me administratën kundërshtare që synonte të merrte kontrollin e këtij shteti.

Cyrene është një prej pesë vendeve të Afrikës Veriore që mbrohen nga UNESCO-ja për shkak të vlerave të jashtëzakonshme. Të tjerat përfshijnë gërmadha të qytetit romak Leptis Magna dhe Sabratha, qytete në perëndim të Libisë.

Përveç Cyrenes që gjendet 200 kilometra në lindje të Benghazit, pjesa lindore e Libisë ka qytetin Apollonia vetëm 20 kilometra larg.

Me turistët që nuk duken gjëkundi dhe departamentin e antikiteteve që ankohet për buxhet të ulët, vandalistët kanë përshkëllirë shtyllat e lashta dhe kanë vjedhur artefaktet.

Thesare të vlefshme, siç janë kokat apo edhe krejt torzotë e statujave që shihen nëpër guida turistike të publikuara në vitin 2011, nuk janë më aty.

“Shumë artefakte janë shitur jashtë”, ka thënë Ahmad Hussein, kryetar i departamentit të antikiteteve në administratën paralele që funksionon në lindje të Libisë.

Pasi e kishin të pamundur të ndalnin vjedhjet, departamenti i tij ka regjistruar artefaktet dhe ky proces u ka ndihmuar që disa prej tyre t’i gjejnë nëpër Evropë.

Kishte mbrojtje më të mirë të vendeve të lashta para vitit 2011, por hulumtimi i këtyre vendeve daton që prej pushtimit italian. Pajisjet e kolonialistëve ende gjenden nëpër këto vende. Italianët u larguan nga lindja e Libisë në vitin 1943, kur pësuan humbje në luftë dhe ky rajon u fut nën administrimin e britanikëve.

“Ka pasur shkatërrime të mëdha në vitet e fundit”, ka thënë Ismail Miftah, fermer që jeton afër qytetit Cyrene. “Njerëzit e zakonshëm nuk respektojnë trashëgiminë e lashtë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat