Vlerësohet roli i artisteve në zhvillimin e të drejtave të grave në vitet e ’90-ta

Kultura

Vlerësohet roli i artisteve në zhvillimin e të drejtave të grave në vitet e ’90-ta

Më: 23 shkurt 2019 Në ora: 13:14
Debati

Galeria Kombëtare e Kosovës, në bashkëpunim me British Council, në kuadër të ekspozitës “Perceptimet: BURRNESHAT”, kanë mbajtur një debat për të pasqyruar rolin e grave artiste gjatë rezistencës gjatë viteve ’90’.

Me këtë rast u çmua lart roli i këtyre grave gjatë kësaj periudhe të vështirë për shtetin tonë në edukimin dhe nxitjen e të drejtave të vajzave dhe grave.

Drejtoresha e Rrjetit të Grupeve të Grave të Kosovës, Igballe Rugova, u shpreh se në kuadër të shoqatës “Motrat Qiriazi” ato qysh në vitet ‘90-ta janë angazhuar që të punojnë dhe të kenë prioritet zhvillimin e të drejtave të vajzave dhe grave.

Ajo bëri të ditur se në fillim kanë filluar me kurset kundër analfabetizmit dhe më pas zhvillimin e të drejtave të grave.

Sipas saj, ky angazhim në atë kohë nuk ka qenë i lehtë, sepse gjithçka që ka ndodhur ka qenë në kohën e okupimit.

Ndërsa, artistja, njëkohësisht motra e Igballës, Safete Rogova tha se shoqata “Motrat Qiriazi” qysh në vitet e ‘90-ta kishin prioritet shkollimin e vajzave dhe angazhimin në rritjen e të drejtave të tyre.

“Atë kohë ishte shumë e nevojshme sepse shkollimi i vajzave ishte shumë i vështirë, kështu që qëllimin kryesor e kemi pasur shkollimin e vajzave në fshatin e Hasit. Aty e kemi gjetur përkrahjen më të madhe prej grave dhe aktivisteve”, tha ajo.

Mes tjerash, Rogova tregoi se qysh në atë kohë ka bërë një shfaqje për jetën e vështirë të grave nga Hasi, që siç thotë ajo t’i stimulojë për angazhim më të mirë të drejtave të tyre.

Artistja tjetër, tashmë profesoresha në Fakultetin e Arteve, Zake Prelvukaj tha se dhe shkollimi në vitet e ’90-ta ishte shumë i vështirë, ajo tregoi për ligjëratat e saja në atë kohë për studentët.

Sipas saj, dhe në atë gjendje pa kushte elementare janë munduar që të shpërfaqin dije për studentët.

Kurse, regjisorja dhe skenaristja, Blerta Zeqiri u shpreh se dhe pse në atë kohë ka qenë adoleshente, ka bërë muzikë.

“Atë kohë kam kënduar për problemet e Kosovës, jetën në shkollë, shkollat ishin pa kushte elementare për mësim, pa shkallë”, deklaroi Blerta Zeqiri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat