Shkrimtarja: Im bir, pre e sjelljeve raciste kur ishte 10-vjeç

Kultura

Shkrimtarja: Im bir, pre e sjelljeve raciste kur ishte 10-vjeç

Më: 25 shkurt 2019 Në ora: 18:40
Ismete Selmanaj

Ajo sjell në vëmendje një ngjarje personale, të përjetuar kohë më parë. Kur i biri, vetëm 10 vjeç ra pre e sjelljeve raciste në Itali. Sipas saj, është thelbësore që prindërit të edukojnë fëmijët me frymën e duhur dhe jo me urrejtje, përndryshe ata do të jenë të dështuar në rolin dhe misionin e tyre. 

I ka ndodhur tim biri shumë vite më parë, ishte afro 10 vjeç. Gjatë një ndeshje futbolli në sheshin pranë shtëpisë, disa djelmosha pak a shumë në moshën e tij i thanë “kthehu në shtëpinë tënde shqiptar i ndyrë”. Ishin thjesht fëmijë dhe unë e dija shumë mirë se atë frazë duhet ta kishin dëgjuar shumë herë në shtëpi nga prindërit apo të afërmit e tyre. Kishim pak që kishim ardhur në shtëpinë e re dhe nuk i njihnim mirë fqinjët. E pyeta tim bir për emrat dhe mbiemrat e këtyre fëmijëve. I fiksova mirë në kokë të gjithë këta emra. Pjesa më e madhe e tyre sot janë rritur – dhe i has përqark duke mbjellë urrejtje dhe duke thënë fraza raciste më keq se sa ato që ju thanë asokohe tim biri.

Ndodh ende sot; në Catanzaro gjatë një ndeshje basketbolli “kundërshtarë” që i bërtasin “zezak m…, cigan, skllav” një fëmije. Për solidaritet ndaj shokut të tyre skuadra resht së luajturi. Ndoshta gaboj në konsideratat e mia, por më pëlqen të besoj se këta lojtarë të rinj basketbolli kanë pasur fatin të rriten në një ambient të shëndetshëm, ku një njeri nuk gjykohet nga origjina apo ngjyra e lëkurës. Të jesh prind është “zanati” më i vështirë që ekziston. Të kontribuosh për të rritur fëmijë racistë dhe plot urrejtje “kundrejt” të tjerëve është një dështim total!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat