“Bjeshka e Moknës”, projekti që ndërlidh Kosovën, Malin e Zi dhe Serbinë

Kultura

“Bjeshka e Moknës”, projekti që ndërlidh Kosovën, Malin e Zi dhe Serbinë

Më: 27 shkurt 2019 Në ora: 17:14
Foto

Dragisha Mijaçiq, udhëheqësi i projektit, njëherësh drejtor i “inTER”-it, bëri të ditur se ky projekt kap vlerën prej 60 mijë euro, ku 54 mijë prej tyre janë grante.

Ai tha se me anë të këtij projekti synojnë të bëjnë shtegun “Dinarika” që fillon nga Sllovenia deri në jug të Shqipërisë.

“Ky projekt është grant, fonde të pakthyeshme nga bashkësia evropiane, implementuar nga Këshilli rajonal për bashkëpunim. Projekti është duke u zbatuar nga Instituti për Zhvillim Ekonomik Territorial dhe ne jemi duke realizuar këtë projekt me partnerët rajonalë. Ky projekt zbatohet në 5 qytete: Istog, Pejë, Zubin Potok, Tutin dhe Rozhajë. Projektin e kemi filluar në nëntor të vitit 2018 dhe do ta përfundojmë në qershorin e hershëm të vitit 2019. Pra, ky është një projekt i shkurtë por që përmes tij synojmë të nisim një iniciativë afatgjatë, e cila kërkon edhe intervenime të gjata”, tha ai.

Lumturie Geci, nga Ministria e Industrisë dhe Tregtisë, tha se pritet që të ketë edhe grante tjera, kryesisht në zhvillimin e turizmit.

“Projekti ‘Bjeshka e Moknës’ kontribuon në zgjerimin e ofertës turistike në Kosovë, në tërësi dhe ndikon në zhvillimin e turizmit një hap përpara. Projektet rajonale janë shumë të dobishme pasi që kemi produkte turistike të përbashkëta dhe kultura të ngjashme në mes të popujve të Ballkanit dhe zgjojnë interesimin e vizitorëve nga vendet e largëta”, u shpreh ajo.

Masar Kabashi nga klubi alpin “Podgori”, tha se ky projekt është shumë i rëndësishëm pasi që do të jetë pikë ndërlidhëse edhe me shtigjet tjera që ka vendi.

“Ne si klub, edhe komuna, e përkrahim projektin ‘Bukuroshja e Ballkanit’. Do të jemi mjaft të angazhuar që t’i dalim sa më parë deri në fund projektit dhe t’i zhvillojmë produktet tona që i ka komuna e Istogut dhe që të vijnë turistët ta vizitojnë vendin tonë”, tha ai.

Projekti “Bjeshka e Moknës – perla e pazbuluar në shtegun Via Dinarica” ka filluar në nëntor të vitit 2018 dhe pritet të përfundojë në maj të këtij viti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat