Deti dhe trëndafili

Kultura

Deti dhe trëndafili

Nga: Nexhat Halimi Më: 1 mars 2019 Në ora: 20:46
Nexhat Halimi

Mes rërës së pafund një lule e vetme

E një zog i vetëm mes qiellit të fjetur

Ulliri mbi rrënjën e vet qind vjeçe në erë

E kreh mjekrën time të bardhë

Ti gjuan peshkun e fshehur në jug

E guaca çel fletëzat e unë mahnitem

Zjarri i shpirtit tim të gjelbër nga fluturon

Mes vetëtimës së ujit dhe pikës së gjakut

Nga e cila flutura krijon qiririn e vet

Asgjë tjetër ndërmjet dy kohësh

Deti dhe trëndafili mbi syrin e vagëllimit

Vasha dhe rëra në flakën e gjirit të etur

PATITULL

Nata dem i therur, unë aty mbi gjak të zi

Kaq herë të njëjtin varg e shkruaj për ty

E as pikë e dritës sate kund, as i yti sy

Vetëm natë e therur në zemër, vetëm vetmi

Unë mbi ëndërr, pa veshë e gojë, në habi

Ja, tashmë s`e di as vetë, beso, pse e sesi

Hyra në pyll të panjohur, pa udhë, pa kmesë

Vetëm të bëhem hënë mbi vijë të re të ujit

Recital i zemrës, trëndafil i ndezur në hi

Varg i nxjerrë nga gjaku e ashti i kallur

Dhe, tash ja, për dritë shpirti të mekur vij

Lules së përgjakur, dhembjes sime për ty

Unë vrasësi yt i verbër, unë robi yt i pa gojë

Me pak tokë në grusht, i vdekur e i bardhë.

Asgjë më, sall gur i çarë, i varur në tojë!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat