Kujtimet për të pagjeturit nesër në Filharmoninë e Kosovës

Kultura

Kujtimet për të pagjeturit nesër në Filharmoninë e Kosovës

Më: 3 mars 2019 Në ora: 07:21
Ilustrim

Kujtimet e familjarëve të personave të pagjetur shfaqen sonte në formë vizuele në Filhamoninë e Kosovës. Kësaj radhe, kujtimet e familjarëve do të bëhen bashkë me veprën e Arvo Part-it, në interpretim të Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës.

Koncerti me dirigjentin amerikan Gregory Charette, pritet të jetë më i veçantë se asnjëherë me parë. E kjo për shkak të video-ekspozitës me familjarët e personave të pagjetur.

Interpretimi i veprës "Fratres" nga Arvo Part, nga Orkestra e Filharmonisë së Kosovës do bëhet një me fotografitë e familjarëve të të pagjeturve nga lufta e fundit në Kosovë, projekt i realizuar nga Integra në bashkëpunim me forumZDF.

Regjisori Kushtrim Koliqi, drejtor në organizatën “Integra”, tha se përmes kësaj ekspozite po tregojnë që të gjitha nivelet e shoqërisë janë të brengosur për çështjen e zbardhjes së fatit të personave të zhdukur në Kosovë.

Në një konferencë për media, drejtori i Filharmonisë, Baki Jashari shpalosi detaje të koncerti që do të mbahet këtë të diele.

“Koncerti do të filloi me një video ekspozitë dhe krahas këtij momenti, orkestra harkore e filharmonisë do të luaj veprën emblematike të kompozitorit estonez Arvo Part e cila muzikë besojmë do të bëhet një, bashkë me video projeksionin, ku do të përjetojmë momente jo të lehta lidhur me të pagjeturit”, tha ai.

Në program është koncerti për orkestër të kompozitorit Paul Creston ku në cilësinë e solistit prezantohet Dardan Gjinolli, ndërsa në pjesë ne dytë të programit orkestra e madhe simfonike e Filharmonisë së Kosovës do të realizojë veprën mjaft të popullarizuar të kompozitorit dhe dirigjentit Leonard Bernstein, e titulluar “Vallet simfonike nga tregimet e perëndimit”.

Gjinolli bëri të ditur që Paul Creston po luhet për herë të parë në Ballkan.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat