Jam vetë liria

Kultura

Jam vetë liria

Nga: Agim Desku Më: 6 mars 2019 Në ora: 14:15
Agim Desku

Dje më prangosen

Njëqind fytyrat e zezonave

Për këtë tokë të shqipeve

Në lapidare u ngritët

Më dheun e fisit tim

Krijuat Kalanë e Rozafatit.

 

Sot cilën liri ma mësoni ta dua më shumë

Ah,ende ka dhembje toka që bac Ademi u flijua

Ëndrrat m´i fali t´i ngriti mbi malet e Shqipërisë

Lisat e gjyshërve të mi rikthehen serish në trëndafila.

 

Tani me ngjyrat e flamurit kuq e zi

Po e shkruaj historinë e re të fisit tim

Nepër udhët të lara me gjak

Kaluat mësuesit e mi

Dhe sot e shoh diellin e lirisë

Sa mirë më ngroh.

 

O njerëz merrni frymë si marrin malet e lira

Shikoni oxhaqët sa bukur tymojnë lartësive të Ozonit

Zogjtë më nuk ikin si përhera nëpër vende tjera

Kanë bërë këtu folenë

Sepse dielli i lirisë tani më bukur i nxenë.

 

S´KA MË BOGDAN TË HESHTUR

 

Kjo tokë nuk është ëndërr

As në shitje për asnjë çmim të jetës

Mbi dhembjet e saj ngritën profetët.

 

Serish çelin trandafilat tek ti e shejta ime

Aroma e kopshtit të Edenit s´më le të vdes.

 

Prapë ngritëmi në legjendë të Rozafës

Nëse më bën dritë flaka e zjarreve prekaziane.

 

Jemi vonuar pak të ecim Rrugës se Kombit

Duke pritur kalorësit e betejave të epokës sonë.

 

Ska më Bogdan të heshtur në tokën tonë

As Titanik i dashurive të vrara venedikiane.

 

Jam në rrugë të gjatë ,por të mirë

Deri tek ti poezia ime

Kam frikë se nuk vdesin sot

Vrasësit e marrë të Apokalipsit.

 

Lavdinë e heronjve të mi

Cili do ta ruan më mirë se ti

Apo le të ruhen në plagët jashariane.

Llapushnik,Kisha e Abrahamit

DRITË E DIELLIT

Po nisëm diku

Ku as vetë nuk di

Çfarë më sjell fati

E di që vetëm dritë e diellit

M´i përcjell udhët e mia

Nëse rikthehem serish në Promethe.

KAH PO SHKON SHQIPËRIA IME

Nuk e di nëse jam ende në ëndërr

Si ta di a ka fund ëndrra ime.

 

Njeri nga ne të dy duhet të derdh lot

Nuk besoj se është shkruar më kaq mëkat

Kur më se paku të duam Shqipëri

Edhe atëherë kur na rritë fëmijërinë.

 

Më vjen të bërtasë

Malit që nuk më flet

Dhe sa herë t´i  protestoj vetes

Apo shuhen të gjallët e tu Shqipëri.

 

Jo,lulet çdo vit po çelin trëndafila

Puthjet t´i kam drejtue mes përmes Tiranës

Udhën e Kombit e kemi dëshmitare të fitoreve

Ma shpejt tani bëhemi luftëtar të lirisë.

 

Mos e kërkoni kurrë fajtorin

Ndoshta jam unë mëkatr i dashurive të humbura

Sepse ka pesë shekuj kur kemi harrue të dashurojmë

Shumë herë vdekjet nuk na lanë të jetojmë të lirë.

 

Shqipëri dua çdo varg e fjalë të bukur të ju fal

Kurrë ëndrra ime s´dua t´i ngjajë asnjërës përrallë

Fuqinë sikur djajët të mos na helmonin nepër ëndrra

Më emrin tënd më lidhë jeta dhe e vërteta.

 

Cilit t´i them ngrit kokën lartësive të Ozonit

Ty Shqipëri apo ty shqiptar bir i Gjergjit

Shqipëri më merr një këngë me lahutën e lashtësisë

Ashtu siq dinin dikur zanat dhe shqipet e Malcisë.

FYTYRA

Më ngjanë

Në fytyrë dielli

Kur fal buzëqeshje

Për lule prilli.

 

Nganjëherë ngjanë

Në dritë të Hënës

Kur ju fal buzëqeshje

Yjeve të mbrëmjes.

 

Shpesh herë në jetë

Njeriut

Nuk i dihet fytyra

E vërtetë.

 

Në njëqind grimca atomi

E ndaj fytyrën më miqt e mi

Në u bëfsha edhe fytyrë djalli

Veç mos të kem fytyrë tradhtari.

ËNDRRAT E VRARA

Jam rrëfye në fuqinë tënde

Dritën e diellit e kam pa tek ti

Më ishe besa dhe jeta ime fjalë

Bëra be në ty që s´më le pa liri.

 

Nuk të fal pse jetës i vure pikë

Këngës se zogjve ia humbe meloditë

Pse ëndrrës ia ndërrove emrin tim

E hidhur u bëre më shumë se pelim.

 

Nuk më deshe as si letër të bardhë

Më hodhe mbi det kur ishte valë valë

Besën nuk e ngatërrova më mëkatin tënd

Të merren perënditë me ty fjalë.

 

E gjatë është lista e ëndrrave të vrara

Kur më digjej flakë liria e para

Gotën e dytë e ngrita për lulet e varfëra

Në të tretën e vura veten të di të vërtetën.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat