Si e përshkruan Lasgushi hapjen e Shkollës Shqipe të Pogradecit

Kultura

Si e përshkruan Lasgushi hapjen e Shkollës Shqipe të Pogradecit

Më: 7 mars 2019 Në ora: 18:08
Foto

Në atë kohë poeti ndodhej në Bukuresht dhe e quan veten si “Vepërimi Kombëtar i Shqiptarëve të Rumanisë me Kryeqëndër Kolloninë e Bukureshtit”.

Shkolla Shqipe e Pogradecit, e këtij qytetthi palcërisht shqiptar, i futur në gjirin e maleve si truri në kafkën e njeriut, është një nder jo vetëm për Atdheun po dhe për Pogradecarët në mënyrë të veçantë. Ka qënë një kuxim, në tërë meritën dhe në tërë fuqinë e fjalës, rrëmbimi i flamurit të gjuhës nënore nga ana e pogradecarëve pothuajse njëkohësisht me Korçën – vetëm dymbëdhjetë muaj më von.

Ndinkë Gushua dhe Sotir Gushua, nisjatorët e atdhetarisë në Pogradec, ishin që të dy prej një race thjeshtësisht shqiptare, të hollë dhe viganë nga shtati nga i cili shkak dhe bashkëqytetasit i-u theshin Ndinka-i-Gjatë dhe Sotirka-i-Gjatë, dyke i miemëruar për ndjenjat e tyre sipas një zakoni të ditur të kohës Ndinkë Shqiptari, Sotirkë Shqiptari: Mësonjësi i parë I Shkollës Shqipe të Pogradecit, ka qënë, Koço Sotiri, i vëllaj i dëshmorit Pandeli Sotiri, mësonjësit të parë të Shkollës Shqipe të Korçës.

Është vërtet, siç shënon Ilio Mitkë Qafëzezi-ish-mësonjës dhe ky i kohëve të vona i shkollës fillore në Pogradec-se Koço Sotirit këtu i-u pat ngjitur mbiemri ultësonjës mason për shkak të përhapjes së Ungjijve shqip të Kostandin Kristoforidhit që ay bënte nër popull – atje ku i-a qëllonte… Ky lajm i vjetëruar që na harin gjer më sot në ditët t’ona gojërisht nga kujtesa e Thoma Abramit, kryemësonjësit veteran të Shkollës Shqipe të Korçës, ka qënë gjith aq i vërtetë, sa dhe i bujshëm dhe i potershëm.

Veç që shklekëza e masonërisë nuk e kish mburimin drejt-për-drejt prej Ungjijve të Dërgimtarit Elbasanas, po shumë më fellë. Ajo qe ngrehur nga urrejtja armike ndaj zgjimit kombëtar të Pogradecarëve, që ishte zgjimi prej zgjimit të gjithë një kombi. Masonëri, në gjuhën e Rilindjes Shqiptare, është një kujtim i idhur nga dhembjet e shumta të plagës së madhe së Kombit që thuhet plaga e ndarjes në gjirin e njëshmë të një populli, e përbuzur prej veteranëve me fisnikëri, e shëruar prej dëshmorëve me gjakun e vet të therrorisë.

E përbuzi dhe Koço Sotiri në Pogradec, me bindjen e tij të pathyer, siç e përbuzi i vëllaj Pandeliu me burrëri në Korçë dhe siç e përbuzë që të dy kur vajtnë një herë për t’u çmallur në fshatin e tyre të dashur fort-në Selckën e Lungjerisë – ku bashkëfshatarët, domethënë far e fis e miqërija, nuk i nqasnë po i përzunë prapë nga ardhë, për shkak të apostullatës së të dyve ndaj gjuhën dhe ndaj Kombin e adhuruar.

Dhe u këthyen e iknë që të dy prapë në mërgim e në arratisje që nga kishin ardhur, dhe njëri, Koço Sotiri-Kota – vajti drejt për në burg i dënuar me një-qind-e-një vjet dyke dhënë pastaj shpirtin nga mjerimi rrugëve në Manastir më 1909, kurse tjetri, Pandeli Sotiri-Pandua – gjeti vdekjen e tmerrëshme në Stamboll nga fitilat e armikut më 1894.

Sepse kështu, me kësisoj dëshmorësije, shërohej atëhere plaga e dhimbëshme e ndarjes Shqiptare, sikundër sot e nesër e në gjithë kohën e kohrave. Që të ndritet sa vete më shume fjala e Vjershëtorit të Rilindjes, që është Dhiata e gjithë Dëshmorëve. “Si trashëgim ju lemë shpirtin t’onë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat