Përmbledhje me poezi të zgjedhura

Kultura

Përmbledhje me poezi të zgjedhura

Nga: Anton Marku Më: 10 mars 2019 Në ora: 17:33
Anton Marku

GJENEZA 

Ditën që u zu dielli

për të parën herë

jeta u fërkua me vdekjen

vrimave të zeza

heshtja i shtriu duart

ta prek fundin

vorbujve

e përdrodhi era

si një avull ujërash

të përvëluar

koha e përplasi

në tokën e askujt

 

para syve i kaluan

flluska drite

drithnaja

larg

ca dyer të hapura

fjala

nga lart rrëshqiti

para gjunjëve të qiellit ra

jetës gji i dha.

MOLLË E EVËS 

Mollë e mëkatit

u shkëput e ra

në dorën e saj

ajo

nuk deshi ta kafshojë

por Adami i tha

duart u mbetën

varur degëve

jeta u përdrodh

nëpër dhëmbë

këmbët i mblodhi

dhe u nis botërave

koha filloi

të gërryejë vetveten

orët t’i numërojë.

GJUNJËZUAR 

E djeshmja

nuk po lejohet

të varroset

nga e sotmja

në të nesërmen

shfletoj

kohëra

si në një libër besimi

hijen time

hedh mbi supe

dhe i druhem

e nisem

largësive

fijet e zërit tim

t’i lidh nyje. 

PORTRET 

Kur gjithçka nisi

nuk kishte kufij

as mure,

kishte vetëm fillime

para nesh

u hap

një portë e re

ne hymë brenda

dhe u humbëm

eshtrave të atdheut

fati pa

letrat tona

diçka e padukshme

na barti dimrave

pa na pyetur:

sa do të zgjasë

përjetësia.

DUARTHATË 

Më shumë po dhembin mëkatet

se sa plagët

nga gurët në gjoks

shpirti i mirë

në trupin e keq

vuan

nga fantazmat

do të ikë

mjegullave fshihet

fytyrë e skuqur

duarthatë

e kalon urën

përskaj fajit.

RRËNJË 

Në librat e shenjtë

gjendet apo fshihet

e vërteta?

Çka erdhi

e çka jo

nga qielli?

Cila dorë i shkroi

ato që nuk u thanë?

Si i gjeti rrugët fjala

nga goja në gojë

deri tek ne?

Në këtë,

apo atë botën tjetër

do digjen

të fjeturit?

FJALA 

Vdes

njëqind herë në ditë

e prapë ringjallet

përgjithmonë

përjetësisht

pafundësisht.

QIRIU I BARDHË 

E mira dhe e keqja

takohen shpesh

në secilën hije pak dritë

në secilën dritë pak hije

para mijëra viteve

yjet nisën të puthin

buzët e shpirtrave të etshëm

që nga atëherë

engjëjt u dënuan

të mos mund të ëndërrojnë më

vetëm njerëzve

fati u troket mbi shpatulla

çdo ditë.

KRYQI 

Në këtë botë vdekatarësh

jo të gjithë janë heronj

as shenjtorë

lum ata

që gjenden

aty ku duhet

mos qofsha

në lëkurën e atyre

që zvarriten

pellgjeve.

SHKUARJA

E di

se nuk të mund dot

andaj

nuk ta kam frikën

kurdo që të duash

më merr

por më parë

më le të jetoj

pjesën time të rrugës

ta bëj

duke ecur

kurrizit të jetës

në këmbët e mia.

I PENDUARI 

Tërë jetën bredha kotësirave

derisa të takova

në librat e shenjtë

në lutjet e të premteve

në predikimet e të dielave

në gjuhën time më fole

në më të mirën gjuhë

sa afër të paskam pasur

e nuk e paskam ditur

më fal

për vitet e mykura

që jetova pa ty

vetëm

mes njerëzve si unë.

Anton Marku u lind më 15 gusht 1971 në Gjakovë. Shkollën fillore e të mesme i mbaroi në Gjakovë, ku kreu edhe Shkollën e Lartë Pedagogjike ‘‘Bajram Curri”-dega gjuhë dhe letërsi shqipe. Fakultetin juridik e  përfundoi në Universitetin e Prishtinës ndërsa në Vjenë studimet master në shkencat politike.

Image

Ka 10 vite që jeton dhe punon në Austri. 

Me shkrime letrare ka filluar të merret qëkur ishte nxënës. Shkruan kryesisht poezi për të rritur. Deri më tani ka botuar nëntë libra me poezi, disa prej të cilëve janë përkthyer edhe në gjuhën angleze, gjermane, ruse, arabe, kroate dhe rumune:

1. ‘‘Cikloni i dashurisë’’ (2000)

2. ‘‘Gjurmë mbi hije’’ (2002)

3. ‘‘Dielli i mesnatës’’ (2004)

4. ‘‘Vizioni blu’’ (2010)

5. ‘‘Në duet me vetveten’’ (2012)

6. ‘‘Ishjut e jetës’’ (2018)

7. ,,Du meine Stimme’’ (‘’Ti, zëri im’’, 2018)

8. ‘‘The islands of life’’ (‘‘Ishujt e jetës’’,2018)

9. ‘‘Në secilën hije pak dritë’’ (2019) 

Ai po ashtu është prezantuar edhe në disa antologji në Austri dhe Gjermani, si në: ,,Man fragt mich, ob ich bin (2009); ,,Stadtschattierungen’’ (2015); ,,Words and Worlds‘‘(2016); ,,Liebe’’  dhe  ,,Wir, bewegende Steine’’ (2017); ,,Ausgewählte Werke XXI’’, ,,Anima‘‘dhe ,,Ein Tag meines Lebens’’ (2018); revistat ,,Zwischenwelt’’ 2014), ,,Aktuell’’ (2017),  ,,Literarisches Österreich’’ (2017) dhe ,,Literamus 45’’ (2018), si dhe në disa antologji të krijuesve shqiptarë në mërgim. 

Anton Marku është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, i Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë, i Lidhjes së Shkrimtarëve të Austrisë,i PEN Klubit të Austrisë, i shoqatës ‘‘IG-Autorinnen und Autoren’’, këshillit redaktues të revistës ‘‘Words and Worlds‘‘,  i klubit letrar në Vjenë ‘‘Der Kreis’’, Klubit letrar ‘‘Gjon Nikollë Kazazi” të Gjakovës, i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri ‘‘Aleksandër Moisiu’’ në Vjenë dhe i Shoqatës Ndërkombëtare të Shkrimtarëve “Pjetër Bogdani”, Bruksel. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat