Heroika

Kultura

Heroika

Nga: Atdhe Geci Më: 11 mars 2019 Në ora: 13:20
Atdhe Geci

Poemë për demonstratat e vitit 1981

Tek po pija kafenë e mëngjesit, 
një zë shumëzohej nga qyteti; 
lashë kafenë dhe dola në rrugë 
në Prishtinë, kudo qe kryengritje

Ajo këngë e zëshme e Kosovës, 
ai zemërim gjigant i studentëve, 
bekimin e kishte nga populli, 
nga vuajtja e tij dhe padrejtësia.

O sa heroik ishte himn i rinisë! 
O sa e bukur mu duk Prishtina! 
Me të tëra ato duar të bëra grusht 
E pashë urtësinë e një vullkani.

Unë, më i vogli poet i Kosovës, 
një qytetar i thjeshtë dhe pa tituj, 
mblodha vetë disa pika të gjakut 
që ai mars-prill ´81 të shkruhet!..

2
------------------------------------------

Studentët, loçkat e shpirtit, 
më të mirët e kombit, më të 
dashurit; më të patremburit, 
thyen xhama, pasqyra, orendi, 
goditën figurën e pushtuesit, 
për ta nxjerrë në shesh të 
vërtetën, dhe atë ferr të bërë. 
Në kryengritjet 1968 – 2000 
mbi rininë trime të Kosovës 
u sul e gjithë ushtria e serbit, 
individë të muzgut, karkalecë- 
policë me medaljone krimesh, 
njerëz me urrejtje të përtejme 
specialistë të ndëshkimeve, 
titistë me babë dhe me bir, 
udbëistë të çajtoreve, berberë 
miq të armiqve të sofistikuar, 
drejtorë bankash, komunistë, 
gjykatës me pozita në shtet- 
iu vërsulën rinisë së Kosovës, 
moshës sonë më trimërore...


————----————--———–

Në ato vite të kryengritjeve 
dhe të urtësisë së vullkanit, 
një natë në Prishtinë , në 
Tavnik e në Ferizaj, në Pejë 
e Prizren , në Gjilan dhe në 
Gjakovë, në Tetovë e Ulqin, 
në Prizren e Skënderaj, në 
Preshevë e Kumanovë, në 
Mitrovicë dhe në Medvegjë 
edhe ëndërrat kullonin gjak...

Prej se njihen të mbjellat 
dhe prej se njihen të korrat, 
Kosova të bukurën e saj e ka 
në gjuhë, në armë, në luftë, - 
flisnin gjyshet dhe gjyshërit...

Nëpër traktet e viteve 1981 
të çdoditshme ishin thirrjet; 
vullneti i popullit nuk shkilet, 
vullneti i popullit nuk jepet, 
vullneti popullit nuk shuhet, 
as me tanke, e as me burgje 
Kosova s ́heq dorë nga liria!...


—————————------———-

Në ato vite të pushtimit serb 
shqiptarët ishim të kërcënuar 
natën, ditën, në rrugë, në punë;
sulmoheshin shkollat shqipe, 
mielli dhe buka; mësuesi 
dhe libri, emri dhe mbiemri, 
identiteti, sulmoheshin veshjet, 
kostumi dhe veturat, punët e 
ditës, ndenjat e vona, njerëzit 
e zakonshëm, të mbjellat dhe 
të korrat, të drejtat për festat 
fëmijët na i arrestonin, sa herë 
I kremtonim festat e betejave...

Në ato vite të pushtimit serb 
serbët pakicë na gjenocidonin,- 
të përkrahur nga Beogradi, 
shtienin në çdo gjë shqiptare, 
vrisnin që të shpërnguleshim 
nga tokat tona stërgjyshore. 
Në ato vite të gjenocidit serb 
në sofër të familjes shqiptare 
mungonin fëmijët, shija dhe 
ngjyra e një Kosove të lirë!


———————------—————

Në Kosovën e atyre viteve 
Prishtina, kryengritësja jonë, 
u ngrit lotët t ́i kthejë në gurë, 
në grushta, në armë, në beteja!

Zullumi këputet prej së trashi 
-shkruan në librin e urtësisë 
Prishtina , trimja e Kosovës, 
pështyn ekranin e televizorit, 
natën e zezë pis dhe ngrihet 
shtypjen me grusht ta mbysë!..

Vlimeve të mëdha të Kosovës 
kryengritësja kudo na thërriste 
të bëhemi me më shumë duar 
dhe më me shumë grushta!...

Preshevë, Shkup dhe Tetovë, 
të mblidhemi në sheshet tona, 
që Kosovën ta bëjmë të lirë, 
të bukur dhe të përbashkuar!..


———————------————

Kosovë, bëje dorën grusht! 
Është çasti i sprovës sonë, 
mbaje sqimën, mos u tremb! 
Prishtina sonte s ́ ka gjumë, 
ajo na do të jemi në betejë 
dhe kudo ku ka një prangë 
të shtjejmë mbi pushtuesin...

Unë, më i vogli poet, më 
i vockli, një banor i Kosovës 
i mblodha ca pika të gjakut 
kjo poemë të mos humbasë.

Kosovë, sonte nuk jam poet, 
sonte jam i njëjtë si gjithë të 
tjerët, kam aq gjak në trup 
që të jem së bashku me ju...

Prishtinë, e bukura e atdheut, 
këngën mos e le të të ikë, 
mbaje për zemre, shtrëngoje, 
është gjakja jonë e shpirtit!


-------------------------------------------

Kosovë, te ti jam më afër ajrit, 
Më afër ujit më afër frymës, 
Më afër betejave dhe flamurit, 
dhe më afër dheut dhe atdheut!..

Këngë të lirisë, këngë trazirash, 
Kryengritja fillon tek shtëpitë 
Në shesh i kemi djemtë e lirisë 
Bijtë e dardanisë së lashtë, bijtë 
e Çamërisë; labeatët e Ulqinit, 
Këtu kemi Shkupin e Prevezën 
dhe Preshevën deri në Nish!...

Prishtina sonte nuk ka gjumë, 
Ajo është e tëra në sheshet e saj, 
populli ynë është atdhetar, 
Tokat e tij ai nuk di t ́i falë!..

Armik, kot qahesh për fitoren 
tonë, zullumi këputet prej 
së trashi, atë e thotë populli 
se ti preke atë që s ́ preket, 
dhe shkele atë që s ́shkilet?!


----------------------------------------------

Nuk njoh dashuri më të madhe 
Se liria, se dheu i atdheut 
U ngrita nga birucë e burgut 
Ti mar tokat që ti m ́i more! 
Se prej këtu e këtej unë jam 
zot i tokave të mia, i qiellit tim
Shqipërinë kam dhé e atdhe 
përderisa të ketë diell dhe yje!...

Kosovë Dardane bjeri heshtjes
që heshtë, këndo me fuqinë që
ke; në dhomë, në banjo, balkon
këndo në të gjitha shtëpinë 
mbushi rrugët me veten tënde
të dëgjoj toka e të dëgjoj qielli
këndo tek të mbjellat tua, bërtit,
dhe mbushe gojën me thirrje 
ngrite zërin e përbashkimit tënd
nëpër qytete dhe fshatra, këndo
me sa fuqi ke , dhe shpërndaji 
këngët; Shqipëri është Kosova! 
Shqipëri janë Iliriadë e Çamëri!

Armik i kombit tim, pushtërues; 
Ti preke barkun e butë të grave 
tona, pikën më të ndjeshme të
të së bukurës. Zullumi këputet 
prej sëtrashi! E ka thënë populli! 
Liri e Kosovës quhet Shqipëri!..
Liri e Kosovës ka emrin, bashkim!...

9
----------------------------------------------

Në të gjitha kohërat dhamë gjak
në beteja luftash e burg të gjatë 
gjak dhamë për tokë, e për qiell
gjak dhamë për Mars e për Prill; 
në Trojën e parë Trojën e ndanë, 
në Trojën e dytë Trojën e vranë 
në Trojën e tretë fqinjët na ranë 
Në të gjitha kohërat gjak dhamë 
të lirë të rrojmë në vendin tonë 
gjak dhamë për tokë e për qiell 
gjak dhamë të rrojmë më mirë!.. 
Në të gjitha kohërat gjak dhamë 
që zot të jemi në atdheun tonë 
që diellit t ́i themi mirëmëngjes 
dhe lirisë t ́i themi, këtu të kem!..

Atdhe Geci - Prishtinë–mars-prill, 1981

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat