Vetëm për një hajk…

Kultura

Vetëm për një hajk…

Nga: Lulzim Logu Më: 11 mars 2019 Në ora: 19:26
Lulzim Logu

Dikur Safo pat’ shkruar se “dhimbja është gjithmonë parathënie e krijimit tronditës së bashku me vetminë”…

Mu kujtua çuditshëm kjo fjali aq përcaktuese për momentin emocional, teksa përpija në një lexim ritmik dhe përplot shije poezitë hajku të librit më të ri të Mustafa Spahiut, të sapo ardhur një mbrëmje dimërore në inboxin tim.Një nga ato mbëmje me borë dhe një tis të dendur mjegulle, që të krijon melankoli dhe të mbush nostalgji dhe njëfarë dhëmbshurie ndjellëse për gjërat e veçanta dhe të bukura , për çastet e rralla jetësore.Një tufë me hajku, të cilat kanë grintë, imazh dhe dritë përshkruese për natyrën dhe karakterin njerëzor, gdhëndur me durim të gjatë prej mjeshtri, një mur poetik i qëndrueshëm dhe jetëgjatë, të cilit mund ti kthehesh kohëpaskohe, ashtu si një muri, vepër arti, që na shoqëron çdo ditë në udhëtimin tonë njerëzor, diku në rrugën e përditshmërisë apo në një ekspozitë të pashlyer nga kujtesa…

Këto hajku përtej shijes komplekse, ngarkesës tematike dhe thellësisë figurative, të krehura me finesë dhe njohje adekuate gjuhësore, përzier në raporte aq të sakta ideore dhe kohore në laboratorin krijues të autorit, ndihmuar nga përvoja e gjatë dhe vetmohimi individual për ti besuar pafund krijimit si muzë dhe destinacion i fundëm, kanë aromë të letë dehëse dhe të përkundin shpirtërisht gjatë leximit, si nanuritje e ëmbël, natyra dhe shpirti i thyer njerëzor, luajnë një vals për të mos u harruar.

Tashmë poeti e ndjen fuqishëm hajkun si gjini, ndihet komod në ritmin e tij dhe ka saktësuar notat dhe uljengritjet e duhura të tij, ngjashëm me ato të stinëve dhe ngjyrave:

Zanat e bjeshkës

M’i sjellin luleshtrydhet

Vetëm për një hajk...

Vetëm për një hajk ndoshta duhet nje stinë, një natë, dhimbje dhe dashuri bashkë, përjetim dhe dakortësi me rregulla, thyerje dhe ringjallje, pjesë këto të një procesi serioz krijues, i cili e dallon krijuesin e spikatur nga amatorë debutues, që aq shpesh ngurrojnë dhe mbesin rrugës së vështirë të hajkut, aq të kërkuar tash dhe të dashur edhe nga shumë krijues shqiptarë.Mustafa Spahiu ja ka dalë të ndjejë dhe kuptojë lojën poetike të hajkut, ta formësojë atë natyrshëm dhe në mënyrë harmonike si dhe ti japë ngjyrat e duhura, që ai të shkëlqejë në mesazhin e tij:

Vështroj gjetheve

Yjet janë të gjelbërt

Nëpër qiellin blu. ..

Male, lumenj, zogj, degë që shperthejnë kufijtë e pranverës, luhatjet e shpirtit që vuan dhe metamorfozat e njeriut në kohra të ndryshme janë motive dhe segmente që përshkruajnë brendësinë e hajkuve dhe ruajnë në një ekuilibër delikat vëmëndjen e lexuesit dhe e përfshijnë atë emocionalisht:

Sytë e Sharrit,

Hapen para agimit.

Pranvera me zë...

Vetmohimi dhe sfida ndaj fatit dhe çastit aktual dhe individual njerëzor, nevoja për tu bërë bashkë me lexuesin dhe miqtë e vet e shpie autorin drejt një dialogu, ku vetë hajku është kodi zbërthyes tematik dhe artistik, si në një këngë të bukur ku melodia e krijuesit dhe zëri i këngëtarit ndertojnë një dialog kah publiku.Vertetësia dhe sinqeriteti, kundrejt sforcimit dhe shtirjes, padyshim se garantojnë produkt dhe sukses.Mendoj se Spahiu ja ka dalë të fitojë një dialog të mirëpritur me lexuesin e tij, falë ndjenjës së shlirë, detajeve befasuese, sërvirjes modeste dhe fisnike drejt tij me përulësinë e atij që e di se çfarë do të thotë vetmi dhe vuajtje, por edhe qendresë dhe dinjitet, besim për ti shkuar çdo kauze deri në fund, gjithmonë kah e verteteta.Pikërisht ky fakt ndjehet si britm ndjehet si britmë në librin e ri të autorit, shndrrohet në një dimension shpirtëror dhe mesazh, i cili pret përgjigjen bash nga lexuesi i tij besnik:

Shndërrohem në shi

Gjakut të gjithësisë  

Rrufeja s’ndalet...

Natyrisht se  rrugës së gjatë të hajkut, këtij monopati të vështirë për tu ngjitur , gjithmonë me rriskun për të mos rënë, Mustafa Spahiu ka akoma punë, sidomos në drejtim të harmonizimit fonetik, të zgjerimit tematik dhe të shmangjes të një farë lokalizmi gjuhësor, që sadopak ja kufizon komunikimin e një rrethi më të madh dhe më të shumëllojshëm të lexuesve përtej vendlindjes, por edhe kufirit gjeografik.Kjo do ta bënte më solid dhe gjithëpërfshirës hajkun e tij, me një pasaportë më dinjitoze, e cila i hap udhë drejt një suksesi më kumbues.

Gjithësesi duhet konkluduar me bindje hapin e madh të Spahiut me këtë libër, që gradualisht bashkë me librat e tjerë shënon një kuotë serioze krijimtarie, maturi dhe peshë ndër krijuesit më të mirë të kohës.Vetëm për një hajk ja vlen sakrifica e çdo lloji, një hajk i vuajtjes, vetmisë dhe dhimbjes, por edhe i shpresës:

Oh, këtij shtegu

Shumë kanë rrugëtuar.

Vehem në gjurmë. ..

Mustafa Spahiu ka vendosur një gjurmë të rëdësishme në sagën e bukur dhe të rëndë të hajkut!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat