Hapeni Kutinë e Pandorës

Kultura

Hapeni Kutinë e Pandorës

Nga: Agim Desku Më: 12 mars 2019 Në ora: 21:12
Agim Desku

Cili njeri do t´i besonte  ferrit tim

Shekujt njeri pas tjetrit ma çmenden jetën

Kohë e gjatë ishte edhe për ëndrrën time

Me heshtje mendoja t´i flas të vërtetës.

 

U vonuan për ta hapur kutinë e Pandorës

Vrasësit për asnjë çmim nuk kanë fytyrë

Sikur të kishte pëlcitje të atomeve evropiane

A thua a do të kishim një tjetër mot nga ky që kemi.

 

Në ty Evropë të ka mbetur çelësi i Pandorës

Hapëni aq sa në zemër ju rrinë lutjet e perëndive

Njeriu dhe toka nuk janë krijue për t´u ndarë nga njeri-tjetri

As për të qenë larg gjuhës skur nënat të thërrasin.

 

Lirinë s´mund ta imagjinoj kur e di se si ndjehen malësorët e mi

Dikur të sharë e sot ende jetojnë si refugjatë të ndarë

Në çdo shekull fisit tim i duhet t´i rilind një Gjergj i ri

Ai apo unë të jetojmë afër tokës si Gjergj Elez Ali.

KRYEZOTI

Kur zotnat krijuan botën

Kush i fali liri njeriut të sotëm

Më shumë se Kryezoti im.

 

Në shtatë faqe të tokës

Isha i vetmi i mallkuari i ferrit.

Por, jetën e Gjergjit e përjetova

si çlirimtar.

 

Me plagët e atdheut

Përherë u burrëruam.

 

Kurrë nuk u pajtova

Me vdekjet e parakohëshme

As si humbës betejash i tokës sime.

 

Nëse i lindim ndonjëherë zotnave

Sytë e shqiponjës na bëjnë dritë

Ndersa vetë dielli edhe në dhembje

Na rritë.

 

Edhe në u vërbërofsha një ditë

Fajtore janë fjalët e zemrës

Pse nuk dija të luftoj  si kryezoti im.

 

Sa afër isha ta ruaj yllin e Davidit

Kur dashuritë m'i shndërruan në plagë vdekjepruese.

 

Kurrë nuk u mora me fytyrat që e tradhtuan atdheun

Mua mëshitën tek perandorët e tyre

Tokën ia falën vrasëve të Apokalipsit.

 

Edhe në ëndrra rikthehu Kryezoti im

Se nuk jetohet as nuk vdiset pa ty.

 

EKSODI 1999

-Ringjallje

 

Bllacë

Vendnumëroj heshtazi

A thua Zotit i linda për se dyti

Pa ditur se ashti im qëndron.

 

Rafalet nuk më shpojnë trupin

Mjaton gjaku im rebel ta skuq detin

Koka më mbetët binarëve të trenit

I rikthyer në udhën Via Egnatia.

 

Sonte më mallkojnë nëtët e ferrit

Menduan se do të krenohen pa lirinë time

Gabuan se nuk vdiça si palaço mjeranësh

Nëse këngën për Gjergjin e desha ndonjëherëë.

 

Ajo më shpetoj të bëhesha i dehur demonësh

Sot për hirë të Bllacës vendosa ta vras ferrin

E ndaluam frikën për një tokë pesë shekuj të ndarë

Ecim pa u ndalur në asnjërën kohë shtrigash.

 

Vrasjet m´i keni borxh të dielave me diell

Nuk luftohet me sy dhelpërash as më dhemb ujku

Ma pastro zemrën se luftove për tokën e lirë

Atëherë cili është fitimtar e thot e shejta ime.

 

ANA TJETËR E MEDALJES
-Në përvjetorët e Titanikut

 

Këmishën e natës nuk e vesha
Sa mëkat për lirinë time
E pafalshme nëse nuk e ruaj besën
A ruhet fjala në etjen e valëve venedikiane.

Po e kthej ditarin e jetës në retrospektivë
U treta në lotët e fjalës sime.
Shih Marigoja çendisi flamurin e atdhedashurisë
Sa bukur të dytë valojmë

Unë në Prishtinë
E ti në Vlorë.

Asnjë buzëqeshje ma s'na ndihmonte
Pēr një çast u përbetuam në Zotin e fjalës
Edhe ne do të jemi fundi i Titanikut
Apo do të shndërrohemi në simfòni betoveniane.

Tani shfletoj ditarin e jetës
E quaj të marrë detin kryeneq
Kur ç´më bëri fund e krye të krisur
Një luftëtarë ndoshta pak të dehur.

S'ka më dashuri sipas detit
Çdo gjë u vra kur u përmbys Titaniku
Asgjë nuk më mbeti nga krahët të fluturoj me pulëbardhat
Ah,përse urrejtje keni ju valët mbytëse.

Serish ka plagë ana tjetër e detit
Ka frikë nga bajlozët që s'dinë tjetër
Veç të vrasin dritën e diellit

Të dielave i jam lutur hyjnive
Më ndërroni me anën tjetër të detit
Vetëm vrasës Titaniku mos më bëni.

E PABESUESHME

Nuk më del ofshama vetvetiu

Kur fjalën e vranë pas shpinës  se saj.

 

E pabesueshme qenka e vërteta e syve t'mi

Ecja nepër dhembjet e atdheut të plagosur

Që kurrë nuk harrohen për mua as për ty

Fjala ime e bukur.

 

Sonte s'dua të eci kur s'ka dritë hëne

As nëpër plagët që më s'kanë shërim atdheu

As t'i heshti jetës se vrarë

Sonte nuk ju besoja syve se në cilin skaj të botës ndodhem.

S'mund ta marr me mend

Musafir i fjalës që kurrë s'ka shërim

Dhe në shoqëri  me rrugët e jetës erdha deri këtu .

 

E pabesueshme nëse fjala të zhduket

Më mirë të kisha parë në endërr.

 

Pse e vërteta kur ta shohin sytë

Dhemb më shumë se jeta.

 

Dhembja ka një histori të veçantë

Kur ende jetojnë tradhtitë

në njeriun e sotëm.

 

E pabesueshme ,por e vërtetë

Njeriu o bëhet dhembje

O në dhembje vdes.

 

I kisha lutur perënditë

T'i zhdukin vetëm tradhtitë

Nga dhembjet e fjalës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat