Prof. dr. Riza Sadiku la gjurmë të mëdha në fondin e artë të historiografisë kombëtare

Kultura

Prof. dr. Riza Sadiku la gjurmë të mëdha në fondin e artë të historiografisë kombëtare

Nga: Tomë Mrijaj Më: 13 mars 2019 Në ora: 20:37
Prof. dr. Riza Sadiku

Dje, me datën 12 mars 2019, në orët e para të mëngjezit pushoi së rrahuri zemra e patritotit dhe studiuesit të shquar Prof. dr. Riza Sadiku, i cili, ishte i rrethuar në këto momente hidhërimi nga familja, të afërmit dhe miqët e tij të shumtë.

Kjo është një humbje e madhe për familjen, miqët, shokët dhe kolegët e tij të Arkivit të Shtetit të Kosovës, me të cilët ai punoi një jetë të tërë, në shërbim të çështjes kombëtare, historiografinë në vendlindje dhe diasporë.

Me profesorin e nderuar Riza Sadikun, shpesh flisnim në telefon për simpoziumet e ndryshme me tematikë historike dhe kulturore, që zhvilloheshin në trojet shqiptare dhe diasporë. Ai ishte shumë i apasionuar pas historisë, arkivave të Kosovës, figurave të shquara të botës shqiptare, brenda dhe jashtë kufive të Atdheut. 

Profesori, kishte një njohje shumë të mirë të ngjarjeve të rëndësishme të historisë së popullit shqiptar dhe kërkonte vazhdimisht që ato të zbardhën nga historiografia, duke u pastruar kështu nga pluhuri i harresës së qëllimshme prej disa dekadash, të bëra me paramendim nga sistemi komunist në Shqipëri, Kosovë dhe veçanërisht në Maqedoni, të banuar nga një numër i madh shqiptarësh etnik në trojet e tyre të lashta. 

Kjo për faktin e turpshëm se shumë nga këto personalitete të botës shqiptare si patriotë dhe luftëtarë të lirisë, demokracisë dhe pavarësisë, nuk kanë varre, ku sot brezat e të rinjve tanë të vendosin lule si përkujtim apo të zhvillojnë simpoziume nderi dhe vlerësimi në përkujtim jetës, veprës dhe sakrificave të tyre sublime atdhedashëse.

Për Profesor Sadikun, bashkimi i trojeve shqiptare dhe forcimi i shtetit amë, nën shembullin e demokracive të Europës Perendimore ishte një ëndërr dhe dëshirë, të cilën ma shprehte sa herë që bisedonim për çështje të ndryshme kombëtare.

Një jetë në shërbim të historiografisë kombëtare


Prof. dr. Riza Sadiku, lindi në fshatin Tuhinë të Kërçovës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen – normalen në Shkup, kurse Fakultetin Filozofik, grupin e historisë e mbaroi në Prishtinë, në vitin 1975.

Ai gjatë vitit 1985 mbrojti tezën e magjistraturës me temë: “Luftat Ballkanike dhe Çështja Shqiptare në shtypin serb”. 
Në vitin 2003, prof. Sadiku mbrojti tezën e disertacionit të doktoraturës me titull: “Kontributi i Lidhjes Kosovare në ndërkombëtarizimin e çështjes shqiptare 1949-1999”. 

Gjatë vitëve 1975-1977, ai punoi si profesor i lëndës së historisë shqiptare në shkollat e mesme bujqësore dhe ekonomike të Prishtinës. 
Nga viti 1977-1995 ishte bashkëpunëtor i lartë profesional në Muzeun Historik të Kosovës, ku filloi të botoj artikuj të ndryshëm me tematikë historike, të cilat u mirëpritën shumë mirë nga kritika historike, shtresa e intelektualëve dhe hisorianët e mirënjohur në trojet etnike.
Sikurse shumë intelektualët të tjerë, që provuan kalvarin e shtypjes dhe persekutimin nga makina ushtarake e kolonizatorëve serb, edhe punonjësi i historisë kombtare shqiptare Prof. Sadiku u përndjek vetëm pse ishte shqiptar dhe historian.

Në mënyrë që historia e jonë e lavdishme plot vuajtje, sakrifica, martirizime, keqtrajtime, shypje me gjak dhe mbijetesës stoike shumë shekullore të shkruhet nga historianët dhe intelektualët kosovarë, serbët ndoqen taktikën e eliminimit, keqtrajtimit dhe pushimit nga puna të qindra dhe mijëra intelektualëve të kohës, të cilët u ishin bashkuar zërit të ndërgjegjes kombëtare, për liri dhe pavarësi të plotë nga pushtuesit shumë shekullorë serb.
Ditën e mësuesve më 7 mars të vitit 1995 rregjimi serb e largoi nga vendi i punës si punonjës i arkivit të shtetit të Kosovës. 

Edhe pse i papunë në shtëpi Prof. Sadiku punoi në heshtje dhe interesohej vazhdimisht për dokumentet, arkivat, fotgrafit, letra, dorëshkrime dhe gjithçka tjetër që lidhet me historinë e popullit tonë martir. 

Ai kishte shpresën dhe besimin se një ditë Kosova do të fitonte pavarësinë. Dhe ajo ditë e mrekulleshme erdhi. 
Pas çlirimit të Kosovës, më 6 shtator 1999 rikthehet edhe një herë në vendin e punës në Muzeun e Kosovës, si koordinator (shef) i sektorit të Historisë. 

Më vonë ai punon si këshilltar profesional i muzeologjisë, ku realizoi me sukses 25 projekte hulumtuese dhe mori pjesë aktive në organizimin e mëse 20 ekspozitave me tematikë të muzeve regjionalë, memoriale dhe dhomave përkujtimore nga fusha e historisë, në kuadrin e grupit të bashkëautorëve dhe si autor. 
Prania në Muzeun e Kosovës do t’i krijonte prof. Sadikut mundësi që të merret me punë të mirëfilltë shkencore dhe hulumtuese, të cilën e fillon qysh nga viti 1977. 

Si e njoha mikun tim të dashur Prof. dr. Riza Sadikun?

Para shumë viteve e takova Prof. dr. Riza Sadikun, në aeroportin J.F.K. në New York. Unë po përcjellja një mik, që kishte ardhur për vizitë në SHBA. 
Sapo mbërrita midis shumë njërëzve, që po lëviznin në drejtime të ndryshme, më ra në sy një pasagjer me një numër të madh valixhesh. 
Në moment iu drejtova mikut tim me fjalët: “Sa familjarë i mirë qënka ky udhëtar me gjithë këto valixhe që ia sjell familjes së tij?” 

Miku që e njihte pasagjerin e panjohur për mua, mbas një buzëqeshje shtoi: “Udhëtari është shqiptar. Valixhet që ju shihni nuk kanë asgjë personale. Ato janë të mbushura me materiale dokumente, të cilat i ka mbledhur me shumë vështirësi në shtete të ndryshme të Amerikës për Muzeun Historik të Kosovës. Personi që i mban ato për t’i kthyer në vendlindje është studiuesi dhe punëtori i palodhur i Muzeut të Kosovës Prof. dr. Riza Sadiku.” 

Më pas iu afruam Profesor Sadikut, u përshëndetëm dhe nga ajo ditë mbetëm miq të mirë. Ai ka bërë edhe udhëtime të tjera në Amerikë dhe gjithnjë është kthyer i mbushur me materiale historike arkivore të dhuruar nga komuniteti shqiptaro-amerikanë.
Duke e parë me një admirim dhe respekt të veçantë Prof. Sadikun, thashë me veten time: të kishte shumë njerëz të tillë Kosova e Re, do të radhitej shumë shpejt me shtetet e përparuar me muzetë e tyre të pasura, që janë pasaporta identiteti për çdo komb. 

Në vizitën e fundit në New York, Profesori i nderuar Riza Sadiku më dhuroi me autograf librin historik voluminoz prej 456 faqe, kushtuar organizatës nacionaliste, me titull: “Lidhja Kosovare 1949-1999”, botuar në Prishtinë në vitin 2006. 

Sërisht para disa viteve, Profesori ishte mik në New York, pranë arkivës së Lidhjes së Tretë të Prizrenit (1962-2010) në mërgim, ku Kryetari Ismet Berisha dhe unë si Sekretar i Përgjithshëm, i ofruam me bujari dokumente dhe burime historike autentike, që i interesonin Muzeut Historik të Kosovës.
Me Profesor Sadikun, jemi pjesëmarrës në nëntëmbëdhjetë simpoziume të së Djathtës Shqiptare në Mbrotje të Shqipërisë Etnike (“Troje e Arbërit”) si dhe në stafin e redaksisë së botimeve të përvitshme (që po bëhen mbas tubimeve historiko-shkencore), për shumë figura të shquara të nacionalizmit shqiptar në trojet etnike. 

E në mënyrë të veçantë, duhet thenë se penda dhe mendja e begatë e Profesor Riza Sadikut, gjithnjë ka lëvruar figurat e harruara të nacionalizmit shqiptar, të cilat kanë qenë lenë në pluhurin e harresës për 50 vjet të rregjimit komunist në Shqipëri dhe trojet shqiptare nën ish Jugosllavi. 
Ai punoi me plot enërgji pa u lodhur në veprimtarinë patriotike të mërgatës shqiptare nëpër botë.

Dhe pikërisht për këtë Prof. dr. Riza Sadiku, meriton Mirënjohjen e të gjithë bashkatdhetarëve, për punën e madhe plot vlera historike, në dobi të çeshtjes së madhe kombëtare!
Edhe pse sot nuk gjindet më fizikisht në mesin tone, jeta dhe vepra e tij e pasur intelektuale e bën atë të pavdeshëm, duke e radhitur denjësisht në panteonin e figurave të shquara të kombit tonë.

Në emër të Kryesisë së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit me qendër në New York, kryetarit zotit Ismet Berisha dhe në emrin tim si Sekretar i Përgjithshëm i saj, i përcjellim familjes së Prof. dr. Riza Sadikut ngushëllimet tona më të sinçerta, për humbjen e parakohshme të njeriut të tyre më të dashur. 
I lehte i qoftë dheu që e mbulon dhe shpirti i tij pushoftë në paqë! 


"Lidhja Kosovare" - një vepër e munguar në historiografinë shqiptare

Për brezat e rinj shqiptarë, e në veçanti të atyre kosovarë, kjo vepër e Prof. dr. Riza Sadikut do të mbetet si një zbulim i pa njohur në historiografinë shqiptare i një aktiviteti 55-vjeçar, të zhvilluar në mërgim nga organizata patriotike Lidhja Kosovare, e cila ishte krijuar me amanetin dhe porosinë e gjeniut të kombit Mit’hat Frashërit (Lumo Skendo), si një degë e organizatës politike kundërkomuniste gjithëkombëtare, me emrin kuptimplotë: “Balli Kombëtar”.

Mendoj, se pikërisht këtu qëndron merita e autorit dhe vlera e madhe e veprës studimore voluminoze, e punuar me një kujdes dhe përkushtim shumëvjeçar dhe e pershkuar nga fillimi e deri në fund nga një ndjenjë përgjegjësie serioze të lartë morale dhe patriotike, për të thënë gjithçka të vërtetë dhe vetëm të vërtetën, të bazuar në fakte dhe dokumente autentike historike.

Kësisoj mjafton t’i referohemi burimeve dhe literatures së pasur të shfrytëzuar me imtësi nga autori, ku dëshmohet sasia e madhe e materialëve të vjelura, që janë ofruar në veprën e mirëfilltë historike, si: dokumente, raporte, proklamata, kujtime, thirrje etj., për të ndërkombëtarizuar çeshtjen shqiptare në përgjithësi dhe ate kosovare në veçanti.

Përmes një metode faktografike dhe krahasuese në kohë dhe hapësirë historike, janë shfrytëzuar gjithashtu me dhjetra artikuj të gazetave, që botoheshin jashtë atdheut, gjatë periudhës së regjimit komunist, si në: Itali, Australi, Francë, ShBA, Turqi, etj., dhe me dhjetra libra, studime, broshura, simpiziume ose përkujtimore të figurave të shquaratë të nacioanlizmit shqiptar në emigracion, shkruar nga autorë të ndryshëm për të njejtën temë.
E gjithë kjo punë e madhe hulumtuese voluminoze, është bërë me qëllimin e fortë patriotik të autorit Prof. Sadiku, për të nxjerrë në dritë historinë e lavdishme të Lidhjes Kosovare (1949-1999), duke sensibilizuar kësisoj mbarë opinionin publik ndërkombëtar për çeshtjen shqiptare dhe atë kosovare në veçanti, nën rregjimin shovinist serbosllav në ish Jugosllavi.

Nëse do ta shohim në esencën e vet të gjithë aktivitetin e pasur patriotik të organizatës thellësisht patriotike Lidhja Kosovare, del se ajo është një ndër antarët më të vjetër të “Bashkimit Federal të Grupeve Etnike Europiane” dhe pjesëmarrëse aktive pothuajse në të gjitha kongreset e saj, që nga 19-20 nëntori i vitit 1949, që u mbajt asokohe në Versajë të Francës e deri në Kongresin e Nacionaliteteve Europiane, mbajtur në Budapest, më 9 maj 1991.
Në historinë e organizatës në fjalë, sot me krenari shohim se Lidhja Kosovare ka marrë pjesë në 41 kongrese, sikurse dëshmojnë edhe burimet autentike arkivore historike të nxjerra sot në dritë nga autori.

Kanë qenë këto aktivitete të gjithanshme të organizatës nacionaliste Lidhja Kosovare, të zhvilluara pandërprerje për 50 vjet me radhë, që na japin krenarinë e të qenurit vijues të tokës së Arbërit dhe Dardanisë martire. 
Të tillë mund të përmendim organizimin e mitingjeve të shpeshta, protestave e demostratave me simbole të mirëfillta kombëtare me tematika thellësisht patriotike para selisë së OKB-ës në New York, para Shtëpisë së Bardhë në Washington D.C., në Chicago, Detroit, në qytete e shtete të ndryshme, deri në Australinë e largët, me mbledhjen e ndihmave materiale dhe financiare për UÇK-në e plot të tjera; që u bënë kësisoj një kontribut i madh në luftë për fitoren vendimtare të Lirisë dhe Pavarësisë së Kosovës.

Mbledhja dhe dhënia e gjithë informacionit kaq të pasur, të shoqëruar edhe me mëse 100 fotografi origjinale dhe të pabotuara ndonjëherë për aktivitetin e organizatës Lidhja Kosovare, nuk ka qenë aspak një punë e lehtë për Prof. dr. Riza Sadikun, sepse autorit i është dashur të hulumtojë me kujdes në shumë biblikoteka dhe arshiva private dhe shtetërore në vende të ndryshme; me shumë organe shtypi të botuara gjithashtu në vende dhe periudha të ndryshme kohore; të kontaktojë me shumë protogonistë veprimtarë dhe drejtues të organizatave për të mbledhur dëshmi dhe fakte reale.
Historia e organizatës Lidhja Kosovare, ka qenë një temë sa patriotike aq edhe e vështirë, për t’u mbrojtur si tezë diplome, për vetë aktivitetin e dendur të një periudhe të gjatë 50-vjeçare të organizates në fjalë, jo vetëm në favor të çështjes kosovare por gjithëshqiptare; që kërkonte studime, hulumtime, ballafaqime, analiza, dëshmi dhe prova të pakundërshtueshme. 

Por, Prof. dr. Riza Sadiku, me këmbënguljen, pasionin dhe vullnetin e tij të admirueshëm, ia doli me sukses të plotë në krye kësaj pune, duke na dhënë një vepër, që do të zërë një vend nderi në fondin e artë të historiografisë shqiptare.
Të gjitha këto kanë patur një kosto të konsiderueshme financiare, të cilën e ka mbuluar nga xhepi i tij personal dhe një grup miqësh dhe dashamirësh të kësaj organizate. 
Kjo nuk ka qenë një sakrificë e vogël, por përkundrazi mjaft e madhe dhe e vështirë për t’u përballuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat