Çka thotë liria? - Bota Sot
Çka thotë liria?

Kultura

Çka thotë liria?

Nga: Atdhe Geci Më: 14 mars 2019 Në ora: 11:48
Atdhe Geci

P O E T I

Në poezi është gjaku im,

Kosova e gjitha kohërave.

sa herë qan a ngec historia,

veton dhe bubullon poezia.

 

Midis ajrit, frymës dhe ujit,

midis bimëve dhe bëmave,

jeta jonë jo rrallë pluskon

në heshtje dhe pa beteja.

 

Koha neve na do si do vetë,

jo ashtu si e ( duam ) ne,

ëndrrës zëshëm i thërras,

po edhe ajo më del e zënë.

 

Dhjamin dhe metaforat zih

asnjë lloj i artit s´i duron,

poezia ndjehet e trishtuar,

kur poeti emra shenjëzon!..

 

 

I BURGOSURI I IDESË

 

Jam zë i fjalës së plagosur,

jam zë i fjalës së ndëshkuar

dhe jetoj ku jeton Çamëria

dhe jetoj ku jeton Shqipëria.

 

Në flakët që vetëm rriten,

goditem nga valë të ashpra,

nga përsëritjet monotone

të akteve të konferencave.

 

Jam zë i fjalës së betejave,

jam vetja ime e paluajtshme,

në këtë tokë të përjetshme,

sa jam i lashtë, aq jam edhe i ri.

 

Në luftën që kemi përpara

kam plot të pashpërthyera,

jam arti që nuk mburrem

jam arsyeja që nuk jepem...

 

ÇKA THOTË LIRIA?

 

Zemrën e kam të fortë,

po trupin në pesë pjesë,

Evropat mua më ndanë,

kur Evropa s ́ish e drejtë.

 

Kosovës shumë po flitet

se bisedat s ́ janë mirë,

Kosovën e duam tamam

pa pranga e pa mynxyrë.

 

Imja është kjo tokë, imja,

që nga pellazgët e lashtë;

Shqipëri është Çamëria

shqiptarë janë dhe arvanitët.

 

Zemrën e kam të fortë,

por trupin në pesë pjesë;

më shumë se një shekull

jam nën degë të rrufesë!..

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...