Për një libër që lexohet me një frymë - Bota Sot
Për një libër që lexohet me një frymë

Kultura

Për një libër që lexohet me një frymë

Më: 19 mars 2019 Në ora: 15:26
Ilustrim

Ato hasen madje edhe në botime do si do, aq sa, edhe ju – specia e rrezikuar e lexuesve të mirëfilltë, të trembeni prej tyre. Por ‘Kosova, lufta dhe paqja’, e meriton këtë.

Vërtetë bëhet fjalë për një libër të jashtëzakonshëm?

Më shumë se tridhjetë intervista, të realizuara vite më parë, na e rikujtojnë me aq besnikëri rrugën sfiduese nëpër të cilën ka kapërcyer përpjekja jonë për shtet-ndërtim. Të intervistuarit nga Shkëlzen Gashi, tingëllojnë kaq “ekzotikë”. Mbase, duke qenë të sfiduar skajshëm, i nxjerrin në shesh segmentet që lidhin fijet e ngjarjeve më të rëndësishme, në historinë e re të Kosovës. Janë shkruar me dhjetëra mijëra vepra zhanresh të ndryshme, e që për objektiv kanë pasur këto periudha kohore, të ngjeshura me ngjarje të mëdha, por shumica prej të cilave, i kanë mbytur ‘fijet e ngjarjeve’ me patetizëm folklorik, e me romantizëm banal. Të tillat ngjajnë me “supën e ngrohur për të dhjetën herë”. Për më shumë, rrezikojnë ta ndriçojnë fare pak, ose atë që do të duhej të ishte synim thelbësor i autorëve – të vërtetën.

Me të drejtë, lexuesit nuk duhet t’i besojnë  historisë së shkruar nga fitimtarët dhe këtë mësim na e kujton mrekullisht ky libër. “Personazhet” e intervistave, duke qenë përballë Gashit (i cili përveç që është shkëlqyeshëm i informuar rreth zhvillimeve të cilat shndërrohen në tema të intervistave në fjalë, manifeston një sens të hollë kritik në gjithë gjykimet), herë me vetëdije e herë pa vetëdije, nxjerrin në shesh të dhëna për të cilat opinioni publik ka nevojë të di.

Siç tregon vet, në vitin 2004-tër, ai ka realizuar serinë e parë të intervistave, që për temë qendrore kanë Marrëveshjen e Rambujesë. Albin Kurti, Fatmir Humolli, Arsim Bajrami, Adem Demaçi, Ramë Buja, Edita Tahiri, Jakup Krasniqi, Enver Hasani, Bujar Bukoshi, Mehmet Hajrizi, Blerim Reka, Fadil Hysaj dhe Hydajet Hyseni, prandaj, shfaqin opinionet e tyre pro dhe kundër ngjarjes në fjalë, e kështu dalin në shesh anomalitë e procesit.

Në serinë e dytë të realizuar në vitin 2005, Gashi “i sfidon” Azem Vllasin, Bajram Rexhepin, Melihate Tërmkollin, Adem Demaçin, Sylejman Selimin, Nexhmedin Spahiun, Rexhep Selimin dhe Mahmut Bakallin. Kësaj radhe, nuk ka një temë bosht që i lidhë intervistat.

E treta, është realizuar në vitin 2006. Kësaj radhe ai i interviston: Lutfi Hazirin, Shkëlzen Maliqin, Jakup Krasniqin, Enver Hasanin, Kaqusha Jasharin, Ylber Hysën, Smajl Latifin, Enver Hoxhajn, Muhamedin Kullashin, Adem Demaçin, Veton Surroin dhe Shinasi Ramën. Çështja e negociatve për statusin politik të Kosovës me Sërbinë, çështja e decentralizimit dhe statusi i të ashtuquajturave ‘zonave të mbrojtura’, që përfshinin kishat dhe manastiret, bashkë me territoret përreth tyre, janë disa nga temat që trajtohen brenda serisë.

Fotografi nga libri

Rambujeja, ndodhia në të cilën, sipas linjës zyrtare të politikës, zë të ngjizet qenësia e Kosovës, është parë përherë si ngjarje e madhe, por kurrë e çliruar nga mitizimet. Edhe në serinë e intervistave që përfshihen në këtë libër, pjesëmarrësit dhe nënshkruesit e kësaj gjysmë-marrëveshjeje, fillimisht nuk e pranojnë se ajo përbënte një hap tejet të rrezikshëm, ndonëse për rrethanat, mbase i domosdoshëm. Sikur nuk e duan ta kuptojnë që pasojat e saj na kanë përcjellë edhe në dekadat vijuese. Por, për herë të parë, shumica prej tyre, përkatësisht ata që ishin përkrahës dhe nënshkrues të saj, pranojnë si me përdhunë që “elita” e asokohshme, nga ideali për çlirim dhe bashkim me viset e tjera shqiptare, zbret në një marrëveshje që s’ofronte veçse një status të padefinuar. Për më keq, i lihej një shteg Beogradit zyrtar, që edhe më tutje të mund t’i përziente kartat për Kosovën. Pala pro marrëveshjes, “mandatin” e tyre as që e vë në diskutim, por, siç e përshkruan edhe Besnik Pula: <<Shkëlzen Gashi ua përkujton të intervistuarve, nganjëherë edhe nëpërmjet një imponimi të dhunshëm e traumatik, se qenia publike e politike e tyre nuk është me mandat nga Zoti, as nga dora e padukshme historisë, por nga qytetarët që ata pretendojnë t’i përfaqësojnë.>>

Kjo mendësi identifikohet në shumë intervista. Veçmas te ato të realizuara me disa nga ish krerët e lartë të UÇK-së.  Për shembull, Jakup Krasniqi, njëri prej të intervistuarve, nuk pranon t’i ngarkohet asnjë pikë faji Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, ndonëse disa herë me radhë, ishte shndërruar në burimin e përçarjes me entitete të tjera politike dhe ushtarake.

<<…por duhet të përgjigjeni edhe ju.(- këmbëngulë Shkëlzen Gashi);

Duhet të përgjigjen ata që nuk janë marrë seriozisht me përgatitjen dhe financimin e UÇK-së.

Pse s’mund të jetë këtu edhe Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së?

Ndoshta Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së nuk është i pafaj…

Pse “ndoshta”? Pse për Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së “ndoshta”, kurse për të tjerët s’vlen kjo “ndoshta”? (Për më shumë, faqe – 94).>>

Për të qenë më objektiv dhe për ta nxjerr në shesh një pamje sa më të plotë të fotografisë, Gashi i interviston të gjitha palët të cilat në një mënyrë, a në një tjetër, ishin involvuar në proceset politike e ushtarake të kohës. Intervista me Bujar Bukoshin, në këtë kuptim, përbënë një perspektivë tjetër të të rrëfyerit. Ndër të tjera, gjatë intervistës ai thotë se: <<10 milionë DM kesh i kam dhënë për UÇK-në.>>  Për ta zhbiriliruar deri në fund këtë situatë, Gashi vijon ta bombardojë me pyetje të tjera:

<<Të kanë kërcënuar ndonjëherë?

Kanë dashtë të më vrasin.

Bën vaki që këto para ua ke dhënë për të shpëtuar?

Jo, jo dhe jo.

Atëherë pse ua ke dhënë këto para?

Kam bërë një kompromis, por jo pse jam frikësuar. Nuk e di pse s’friksohem. Kushedi. Kam bërë biseda maratonike me Hashim Thaçin dhe Xhavit Halitin në Tiranë. Për shembull, një bisedë ka zgjatë 9 orë. Ata vetëm paratë i kërkonin…. (Për më shumë, faqe – 128).>>

Shumica e intervistave përshkruhen nga një tension i lartë, e për rrjedhojë edhe dinamik i bashkëbisedimit. Të pakta janë ato që nuk e kanë këtë karakteristikë. E tillë është edhe ajo me Hydajet Hysenin.  Ja një fragment i shkëputur:

<<Doni të thoni që s’kanë mbetë pikërisht pse e keni nënshkruar Marrëveshjen e Rambujesë. Mosmbetja e trupave serbe në Kosovë është meritë e Milosheviç-it, sepse ai nuk e ka nënshkruar Marrëveshjen e Rambujesë më 18 mars1999 dhe është dashtë të ndërhyjë NATO, e pastaj Miloseviç-i dhe Parlamenti i Sërbisë ta nënshkruajnë Marrëveshjen e Rambujesë 7 ditë para se të ndalen bombardimet e NATO-s, pra me 3 qershor 1999.

Mund të jetë edhe kështu.

Jo mund të jetë, por kështu është. (Për më shumë, faqe – 191).>>

Por ka edhe të atilla që përshkruhen nga momente të sikletshme:

<<Ne kemi bërë rezistencë politike, pra kemi qenë kundër suprimimit të autonomisë – në kohën sa kam qenë kryetar, si udhëheqësi e Kosovës kemi qenë kundër Serbisë…

Pse e keni bërë këtë? Jeni patriot ju?

Po, sigurisht që jam. (Intervistë me Azem Vllasin, faqe – 203).>>

Se prototipi më i shpeshtë i politikanëve tanë, është, ndër të tjera, edhe i paskrupullt, këtë mbase e dimë që të gjithë. Por Gashi ua nxjerr këtë karakteristikë në sipërfaqe, me një lehtësi për t’u admiruar:

<<Na keni premtuar se do të emetoni edhe euro me simbole të Kosovës…

Kjo është premtuar për të fituar shumicën.>> (Melihate Tërmkolli, faqe 235).

Në tërë këtë “kolazh” intervistash, është njëra që, megjithatë, tingëllon më ndryshe se sa të tjerat. E kam fjalën për atë me Mahmut Bakallin. Ajo është një ndër intervistat më të gjata të përfshira në libër, por që shquhet për “notat e qeta” e pa sforcime. Politikani i rryer, i qetë e babaxhan, përgjigjet shtruar, pa u ngutur, duke u munduar të mos lë asgjë pa përmendur. Për shkak të rolit të tij dhe impaktit në periudha të caktuara historike, kjo mund të radhitet pa mëdyshje, si një ndër intervistat më interesante në përmbledhje.

ad finem

Në libër janë botuar edhe tri intervista me Adem Demaçin. Natyrisht, përfshirja e kryeheroit, përbënë një kapital në vetvete. Nga ana tjetër, mungesa e disa të tjerëve, as që vihet re. Figurat si Ibrahim Rugova e Hashim Thaçi, edhe pse nuk janë intervistuar nga Gashi, janë të pranishme në njëfarë mënyre. Karakteret e tyre projektohen nëpërmjet gjuhës së të tjerëve. Përndryshe, sipas Gashit, ata nuk kishin pranuar të intervistoheshin.

Kuptojmë, ndër të tjera, që përveç frontit kryesor: çlirimit përfundimtar të Kosovës nga Jugosllavia, përkatësisht Serbia, përgjatë viteve 80-të, 90-të, qenë shkaktuar fërkime e konflikte të vogla, gjithsesi serioze, ndërmjet grupeve të ndryshme politike, e për rrjedhojë edhe formacioneve ushtarake. Më konkretisht, këtu hasim rrëfimet e dëshmitarëve të drejtpërdrejtë të këtyre fërkimeve. Raportet ndërmjet: LDK-së dhe UÇK-së; LKÇK-së dhe UÇK-së; FARK-ut dhe UÇK-së; Bujar Bukoshit dhe Ibrahim Rugovës; Shtabit Qendror të UÇK-së dhe LKÇK-së, Komandantëve të disa zonave dhe Delegacionit të Kosovës në Rambuje etj, etj, etj, ndriçohen na rrëfimet e vet përfaqësuesve dhe pjesëmarrësve në proceset që ndodhën atëbotë.

Pa asnjë dilemë, cilido që e përfundon së lexuari këtë përmbledhje intervistash, s’do të mund ta shmangë pyetjen: Si arritëm deri këtu? Ata që i besojnë mitit se drejt lirisë dhe pavarësisë jemi nisur të bashkuar, “në një tank”, do ta kuptojnë se për shkak të mospajtimeve ndërmjet grupeve e rrymave të ndryshme politike, atë e kemi shpërbë në disa vetura, pastaj ato, për të njëjtat arsye, janë zhbërë e shndërruar në disa triçikleta. Imagjinoni, i gjithë fati i shoqërisë, për faj të politikanëve dhe përfaqësuesve ushtarakë, të ketë qenë i vendosur mbi disa triçikleta?! Kështu duket fotografia e plotë e dekadave më të jashtëzakonshme nëpër të cilat ka kaluar përpjekja jonë për shtet-ndërtim. Ky libër voluminoz, i cili lexohet me një frymë, na e përkujton në mënyrën më besnike këtë. Kushdo që dëshiron t’i kuptojë shkaqet e vërteta të ngecjeve dhe krizave që po vazhdojmë t’i përjetojmë si shoqëri, duhet ta lexojë patjetër. Rekomandohet për gazetarët, studiuesit e shkencave politike dhe analistët. Është i domosdoshëm, ndërkaq, për ata që guxojnë ta marrin përsipër detyrën e negocimit të fatit të Kosovës.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...