Liria e shpirtit

Kultura

Liria e shpirtit

Nga: Engjëll I. Berisha Më: 20 mars 2019 Në ora: 13:35
Engjëll I. Berisha

Duke lexuar poemat për dashurinë, do të thosha për të vërtetën nga poeti universal, Ion Deaconesku, “Poema për Natashën”, e forcojmë bindjen se pavdekësia e shpirtit tejkalon të gjitha idetë që kemi për trupin. Derisa substanca e trupit edhe mund të ndahet nga ne, pasi që trupi edhe ashtu është i shkatërrueshëm, ndjenja e dashurisë është ngjizje e pakrahasueshme me të gjitha virtytet tjera. Dhe mjafton kjo teori të na bindë se vetëm shpirti jep dashuri të vërtetë. Natasha, gruaja e poetit, vdes dhe dashuria ndaj saj i bëhet poetit motiv me poema të panumërta, duke e kthyer dhimbjen e tij në hapësirë universale. Ajo i bën dritë dhe poezia e tij, tani ka një ndriçim për jetën.

Poema për Natashën, i shërben mendimit se gjithçka nisë nga ndërgjegjja, sikurse tek autori Deaconesku, prej një marrëdhënie apo mendimi individual, e tejkalon heshtjen e shpirtit e bëhet emocion ekuilibrues në mes të vërtetës dhe lirizmit. E vërteta është se poeti kishte shumë dashuri dhe e ruan si vlerë, ndërsa lirizmi kalon nga dialektika poetike për të komunikuar me jashtë me refleksin e imazhit prej nga fatkeqësia sado shqetësuese nuk e shkëput vetveten nga forma e dashurisë, edhe si forcë, si sprovë, si realitet dhe së fundi përmbush konceptin e të vërtetës humane. Jeta na jep sprova, por, gjithmonë diçka na pengon të shprehim ndjenjën e thellë dhe kjo e mbyll shkëlqimin e së bukurës. Poemat përkushtuese, lirisht mund të them këto perla, shumë rrallë të lexuara ndokund me kaq melodi vërtitëse, për ta paraqitur dhimbjen individuale, si dritë të bardhë, nga një botë e bukur, prej të cilës pret për çdo moment të rilind diçka e bukur si Natasha. Kur është kështu, ia vlen të mendosh se nuk e kemi të gjithë aftësinë të kapim ato që jep e bukura, sikurse shpesh na mungon aftësia edhe ti refuzojmë, ato që jep pamja tjetër, shëmtia. Dhe, kur jemi te dashuria, pyes veten si mund të qëndronim ne përballë një ekzaltimi për ta matur karakterin tonë në gjykim të së vërtetës. Por, pa dyshim se poetit Deaconesku, i ka ndihmuar masa e shpirtit të tij, ai shpirti i tij krejt poetik, e shumë i pastër nga natyra e tij njerëzore, për ta dhënë  mesazhin e paqes që e bën në secilin varg e në secilën kaptinë të krijimtarisë së tij. Ndonëse vdekja është kufi ndarës, poeti shpesh e kundërshton këtë ndarje fizike, provon ta rrënojë, dhe ta fisnikërojë botën e absurdit kur  lehtas i këputë zinxhirët lidhës, dhe kërkon ta bëjë një nyje më të fortë të zemrave që duhen.  “Nata në mes nesh”, poezi që në fillimin e librit, paraqet gjendjen shpirtërore, pra të atij kufirit, që vetëm sytë nuk shohin dhe vetëm koha mbase, nuk ka peshore ta matë çastin ekzaltues. “Duke na ndarë njëri prej tjetrit / një tjetërsoj kufiri po lartësohet / ndërmjet syve dhe kohës në peshore”.

Sipas Fridirih Niches, arti na shpëton nga vetvetja. Pse në këtë rast na duhet ky citim? Arti vërtetë na shpëton nga trishtimi, e na lehtëson ti mbijetojmë situatat. Përderisa në historinë e artit, emblemë e të gjitha virtyteve mbetet motivi i dashurisë. Poetin e shpëton komunikimi kreativ, shumë fluid, i përzemërt dhe unë do të thosha me mendje krejt njerëzore, duke metaforizuar në këtë rast me metodën krahasuese se teoritë na mësojnë se drejtësinë nuk mund ta ndajë një njeri i padrejtë.

Konstatimi se shqetësimi i shpirtit i nxjerrë të gjitha, dhe se gjithmonë shkaku i nxjerrë idetë, kjo ligjërim e shpirtit të poetit Deaconesku, përherë e mban dritën ndezur në komunikim me njerëz që e rrethojnë, me përkushtimin ndaj prindërve si virtyt i lartë i tij, me natyrën, me shumë pyetje, aty këtu me lot, me flatra drejt qiellit sikurse me poezinë përtej botës, “ Poeti s’do ti harrojë kurrë / rrënjët e zjarrit / dhe të dritës së fjalës / sytë e tij që kullojnë mahnitje / shohin përtej botës / edhe shqetësimin e agimeve / në bregun e zemrave / ankorohet përjetësia “.

Poeti rumun, Ion Deaconesku, është doktor i filologjisë, anëtarë i Unionit të Shkrimtarëve të Rumanisë dhe anëtar i International Association of Rumanian Ëriters and Artists (USA). President i Akademisë Internacionale “Mihai Eminescu” në Krajovë. Ka shkruar, romane, poezi, , kritikë letrare si dhe është përfshirë në dhjetëra antologji botërore.

Shtëpia Botuese IWA “Bogdani” e nderon me çmimin ndërkombëtarë në ditën e poezisë, më 21 mars 2019, në një Akademi në Kolegjin AAB në Prishtinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat