Teatri i Kukullave nga Tirana në Ulqin - Bota Sot
Teatri i Kukullave nga Tirana në Ulqin

Kultura

Teatri i Kukullave nga Tirana në Ulqin

Nga: Gjekë Gjonaj Më: 21 mars 2019 Në ora: 09:22
Gjekë Gjonaj

Fëmijët e vegjël të qytetit të Ulqinit shumë kohë do ta mbajnë mend  mbrëmjen e 11 marsit të këtij viti. Pikërisht atë mbrëmje të bukur  salla e Qendrës Kulturore të Ulqinit  u mbush pothuaj plot e përplot me  fëmijë të vegjël. Ata ishin aq të lumtur , saqë vrap njëri pas tjetrit  nxitonin për  t’u ulur  nëpër karriget  e sallës së  QK-ës. Bashkëbisedonin me njëri tjetrin.  Qeshnin dhe prisnin me padurim që shfaqja “  Dasma Shqipëtare”  të fillonte. Kjo shfaqje, e cila   erdhi për publikun e vogël si muzikal nën regjinë e Paolo Comentale dhe nën interpretimin e  shkëlqyeshëm të  Shegushe Bebetit, Jorida Marsit dhe  Elidon Alikës,  i lumturoi  këta spektatorë të vegjël, por të çiltër. Teatri i Kukullave nga Tirana  bëri  bashkë  prindërit  dhe fëmijët e këtij qyteti. Ishte kjo një shfaqje që kishte munguar prej vitesh në këtë qytet. Një eksperiencë e re, e bukur dhe  sigurisht mjaft emocionuese.  Një ekpseriencë e paprovuar më parë, e veçantë për mënyrën e realizuar , ndërsa shihje fëmijë që  gëzojnë dhe shoqërojnë me kureshtje gjithë shfaqjen.

Pavarësisht se  zhurma ishte e pranishme në sallë, ndërsa u afroheshe për t’i pyetur ata nuk nguronin të tregonin kënaqësitë e tyre, që kishin ardhur në këtë shfaqje. Kishte edhe nga ata të cilët ishin të shoqëruar nga prindërit apo familjarët e tyre, por të gjithë ishin njësoj, të lumtur.

Edhe pse ndoshta ky publik i vogël  por i mrekullueshëm i fëmijëve mund të mos ketë parë ndonjëherë më parë teatër kukullash në një sallë teatri  dëshmoi se  e do  këtë gjë.   Fëmijët sa kohë që zgjati shfaqja jetuan me artin dhe kulturën. Arritën ta përjetojnë, ndiejnë e shijojnë atë. Të njihen me muzikën, elementet muzikorë. Morën emocione  nëpërmjet artistëve të mrekullueshëm  në skenë, e jo nëpërmjet teknologjisë.

Fëmijët vërtet u kënaqën shumë. E duartrokitën shfaqjen.  Ata jo vetëm se përfituan nga rasti  që t’i shohin kukullat  drejtpërdrejt, por duke parë elementet e futura në këtë shfaqje të kërcimit folklorik tradicional  shqiptar , ishte një mënyrë shumë e mirë  për të mësuar  se cilat janë këngët shqiptare, vallet shqiptare, kostumet shqiptare   dhe trevat shqiptare. Kjo ishte edhe një risi e kësaj shfaqje  e cila  shpresoj se do të zgjojë interesim  po kaq të madh edhe në qytete të tjera.  Dhe vërtet, është e pabesueshme mjeshtëria me të cilën aktorët e Tiranës atë mbrëmje   i dhanë jetë kësaj shfaqje,  duke u futur  në depërtimin e imagjinatës dhe vëmendjes së  fëmijëve parashkollorë e të nivelit fillor.

Prurjet e këtilla skenike në Ulqin janë shumë të rëndësishme, të dobishme dhe të domosdoshme, nëse dëshirojmë që brezin e ri ta edukojmë në një frymë të re artistike. Sepse pikërisht kukullat e kanë magjinë e vet që ta krijon në momentin që ti e shikon apo në momentin kur ti e prekë dhe behet më e prekshme dhe më e gjallë.  Magjia e teatrit  u jep mundësi fëmijëve që për një çast të largohen  nga ekrani i televizorit, telefonit, tablatet  dhe të shkëputen nga interneti. T’i shohin kukullat drejtpërdrejt ( live)   në skenë. T’i prekin  ato. Të kënaqen  me personazhet  dhe t’i shijojnë nga afër.

Thuhet se teatri me kukulla  ka lindur që në prehistori kur njerëzit e shpellave arritën të vërenin një fenomen që i mahniti dhe i bëri kureshtarë; atë të shfaqjes së hijeve në mure. Kështu filluan të krijonin forma të ndryshme me anë të duarve dhe lindën në këtë mënyrë shfaqjet e para me kukulla. Kukullat janë pjesë e historisë dhe jetës sonë të përditshme. Në forma të ndryshme ato arrijnë të joshin mosha të ndryshme, ndërkohë që përfaqësojnë zakone dhe tradita të vlefshme e edukative. Janë zbavitëse dhe magjepsëse. Fëmijët arrijnë të besojnë dhe po ashtu të gjejnë veten te kukullat. Ata arrijnë të futen dhe të eksplorojnë një botë kreative që kukullat i krijojnë. 

Rëndësia e shfaqjeve të këtilla konsiston edhe në faktin se   edukimi  i fëmijëve përmes  teatrit të kukullave u mundëson atyre të marrin  porosinë shumë më direkt se sa përmes televizorit. Prandaj  pa tjketër dhe pa hezitim  duhet   mbështetur   nismëtarët e këtij bashkëpunimit të parë  premtues  mes Teatrit të Kukullave nga Tirana dhe Qendrës Kulturore të Ulqinit . Kjo rrugë e filluar bashkëpunimi hap shtigje  që në të ardhmen të sjellin në Ulqin edhe shfaqje të tjera të bukura me kukulla.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...