Flakadan i përjetësisë që hapi dritaren e lirisë

Kultura

Flakadan i përjetësisë që hapi dritaren e lirisë

Nga: Luljeta Haliti Më: 27 mars 2019 Në ora: 10:46
Haki Bajrami

Fushë-Kosova në fundmarsin e vitit 1999 digjej flakë nga forcat paramilitare dhe militare serbe. Në atë kohë këtu u vranë, u masakruan dhe u zhdukën pa gjurmë shumë shqiptarë, në mesin e të cilëve, më 26 mars të vitit 1999, në fillim u rrëmbye e pastaj u vra edhe veprimtari shumëvjeçar i jetës arsimore e kulturore të Fushë-Kosovës, Haki Bajrami. Hakiu me shokë bashkë me shkollarët dhe qytetarët e Fushë-Kosovës, e bëri këtë qytet kështjellë të pamposhtur para politikës agresive e vrasëse të forcave okupuese serbe. Vetë ai u bë flakadan i përjetësisë këtu e 20 vjet më parë, duke hapur dritaren e lirisë, e cila peshon e ndriçon në nënqiellin e vet gri.

Haki Bajrami u lind më 16 prill 1960 në Fushë-Kosovë. Ishte pinjoll i një familje atdhetare me traditë trimërie, që ishte gjithherë në shënjestër të UDB-së serbe. Në familjen Bajrami ishte fëmija i katërt me radhë i babë Shabanit e nënë Xhemiles. Shkollën fillore dhe gjimnazin i kreu në vendlindje, ndërsa studioi Gjuhën dhe letërsinë shqiptare në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës.

Me punën e vet shumëvjeçare në fushën e arsimit, me veprimtarinë e përditshme politike dhe kulturore, Haki Bajrami ishte shembull ndër përfaqësuesit e denjë të brezit të intelektualëve të viteve '80 e '90 të shekullit të kaluar, të cilët punuan pa kursim për çështjen tonë kombëtare. Ai jetës kulturore të Fushë-Kosovës i kontribuoi shumë, sidomos nëpërmjet veprimtarive që zhvilloheshin në teatrin "Qëndresa" dhe në klubin letrar "Naim Frashëri", në krye të të cilëve ishte një kohë të gjatë.

“Veprimtaria atdhetare, arsimore dhe kulturore ishin tri shtigje jete e pune për Haki Bajramin. Ai jetonte me to dhe për to. Për fat të keq, këto shtigje iu mbyllën më 26 mars 1999, kur Hakiu kapet nga forcat okupuese serbe në udhëkryqin e Fushë-Kosovës, bashkë me disa qytetarë tjerë dhe të njëjtën ditë pushkatohet. Pushkatimin me vetëm një plumb në zemër e ka vërtetuar edhe autopsia mjeko-ligjore.

Ky plumb ishte kundërpërgjigje e egër e armikut për mosnënshtrimin e Hakiut për asnjë moment, madje edhe në ato çaste të jetës së fundit të tij, derisa po e torturonin bashkë me burra të tjerë në udhëkryqin e Fushë-Kosovës”, kishte shkruar shkrimtari dhe publicisti Shefqet Rexhepi me rastin e 15-vjetorit të rënies së Hakiut.

Profesori i historisë, Daut Bugujevci, i cili po ashtu kishte kaluar nëpër atë purgator dhune në udhëkryqin e Fushë-Kosovës, tregonte pas lufte për qëndrimin e panënshtruar të Hakiut. “Kam qenë shumë i sigurt se edhe nëse asnjëri nga ne që u kapëm aty nga forcat serbe nuk shpëton, Hakiu do të jetë i pari që do të marrë plumbin e armikut. Sepse, ai edhe në ato çaste të rënda asnjëherë nuk u nënshtrua para xhelatëve serbë. Fjala burrërore e tij kumboi fuqishëm, ashtu si në skenën e teatrit kur interpretonte rolin e heroit që nuk e pranonte nënshtrimin. Edhe tani më duket se po i dëgjoj fjalët e tij: Mund të më vrisni, por nuk mund të më detyroni as të brohoras parullat e as të këndoj këngët tuaja çetnike”.

Shembull i arsimtarit të përkushtuar dhe krijuesit të pasionuar

Haki Bajrami ishte shembull i arsimtarit të përkushtuar, i cili te nxënësit ngjalli frymën kombëtare dhe dashurinë për atdheun e lirinë e tij, si dhe për historinë e kulturën e shqiptarëve në të gjitha trojet tona etnike. Duket se ai me shumë dëshirë e nisi dhe vazhdoi rrugën e tij të ndritshme për të përhapur dritën e diturisë dhe për t'i frymëzuar brezat e rinj me ndjenjat më të larta të dashurisë për gjuhën, për historinë, për atdheun dhe për idealet çlirimtare të popullit tonë.

Unë si ish-nxënëse e tij në Shkollën Fillore të Fushë-Kosovës që sot mban emrin e Selman Rizës kam të drejtë ta them këtë. Sepse, edhe sot më duket se po e shoh me atë qëndrimin e tij stoik para nxënësve dhe më bëhet se po e dëgjoj atë zërin e tij kumbues duke folur se si duhet atdheu e liria e tij dhe duke recituar vargje të poetëve tanë, me të cilat na e nxiste dashurinë për krijimtari letrare dhe për veprimtari teatrore. Ishin të shumta porositë që nxirrte për ne nxënësit nga secila orë mësimi.

Më shumë se një çerek shekulli ai u angazhua me tërë qenien e tij fizike e intelektuale, në maratonën e gjatë të rezistencës së shumë brezave, duke lënë gjurmë nderi e krenarie, shpirti e fjale, pa ikur asnjëherë nga sheshi i betejave.

Kam bindjen e fortë se ai luftën me armikun e kishte paramenduar me armë në dorë, ngase shpesh e përsëriste se të vdesësh për atdhe e liri është si të lindësh përsëri. Mirëpo, rrethanat e kohës bënë që ai në vend të armës të përdorë penën e guximin intelektual, për ta mposhtur zgjedhën okupuese serbe. Në këtë ballafaqim, vrasja e Hakiut sypatrembur ishte shenjë e pashlyer e pavdekësisë, ndërsa rënia e guximshme - shenjë e madhështisë së tij.

Ai me tërë fuqinë rinore u bë një flakadan i përjetësisë, duke nxitur dashuri për atdheun, për historinë e kulturën e shqiptare. Duke gërshetuar me mjeshtri vlerat e arsimit e të kulturës për çlirim kombëtar, ai mbolli dëshirën e flaktë për liri te brezat e etshëm për liri e dituri.

Haki Bajrami ishte edhe një krijues i pasionuar letrar, poet i mirë, por edhe dramaturg e regjisor i dalluar. Poezitë e përmbledhura në vëllimin “Dritarja e lirisë”, botuar në 15-vjetorin e rënies, siç vlerëson shkrimtari dhe publicisti Hamza Halabaku, shquhen për një notë të protestës për gjendjen e vështirë në të cilën ndodhej Kosova nën pushtimin serb, në vitet e fundit të shekullit të kaluar, për dramën e madhe njerëzore dhe peshën e robërisë, për qëndresën përballë stuhive dhe rezistencën që u bëri populli shqiptar dhunës dhe torturës barbare.

“Motivet që gërshetohen në këto poezi kanë ngjyrat e shpirtit luftarak që do lirinë, janë zë kushtrimi për luftë frontale kundër armikut, janë kurajo qëndrese për mosnënshtrim me asnjë kusht. Krijimtarinë letrare të Hakiut në këtë përmbledhje poezish e përcjell një ndjenjë e lartë patriotike. Nga vargjet del se liria e Kosovës për autorin ishte diçka e shenjtë që nuk falet, por fitohet dhe për te e vlen të flijohet”, vlerëson Halabaku.

Artdashësit e skenës teatrore Haki Bajramin e kujtojnë nga interpretimet e roleve në dramën "Mësim nga historia", në dramatizimin "Fanar në furtuna", në recitalin skenik "Biografia e agimeve të kuqe", në shfaqjen "Lule pavdekësie" dhe në dramën "Plumbat e shkronjave", në të cilat u shqua jo vetëm për prirje teatrore, por edhe për punë këmbëngulëse për krijuar vlera kulmore artistike.

Hakiu bëri një përshtatje të tekstit të dramave "Shënjestra e syve" të Sylë Osmanajt dhë "Pahintikë në ëndërr" të Xhabir Ahmetit, si dhe përshtati për skenë vargjet e Hydajet Hysenit: "Pushka amanet", pastaj bëri dramatizimet për shfaqjet poetike "Lahuta e shqipeve" të Behram Hotit dhe "Liria në kthetrat e korbave" të Sadri Ahmetit. Ndërkaq, bëri regjinë e recitalit skenik "Pushka amanet" dhe të dramatizimeve "Zgjohu Kosovë" dhe "Liria në kthetrat e korbave".

Unë si ish nxënëse e tij, Hakiun e pata edhe regjisor në skenën teatrore dhe sot ruaj kujtime të mira krenarie për shfaqjet e realizuara në teatrin “Qëndresa” në Fushë-Kosovë dhe për ovacionet e duartrokitjet që i merrnim nga publiku që mbushte sallat.

Turpërohem unë nga turpi i atyre që duhet të turpërohen

Por sot kur më rastisë të kalojë afër ose të hyjë në shkollën ku Haki Bajrami kontribuoi më shumë se një dekadë e gjysmë, turpërohem nga turpi i atyre që duhet të turpërohen – udhëheqja e shkollës, e cila këtë dëshmorë të lirisë e vrau për së dyti. Udhëheqja e kësaj shkolle kurrë nuk gjeti një kënd diku në korridor për ta vendosur së paku një kornizë me portretin e tij dhe të nxënësve të saj të vrarë nga agresori serb. Kurrë udhëheqja e shkollës nuk e pa të arsyeshme t’i ftojë familjarët e tij në ndonjë solemnitet në shkollë.

Një portret, fotografi në kornizë, pronë e familjes, u bart nga nxënësit deri te varrezat me rastin e rivarrimit të Hakiut. Nxënësit që e bartën atë në emër të shkollës, pa ndonjë qëllim e dërguan në shkollë dhe dikush nga arsimtarët në praninë e nxënësve që e dorëzuam e mori dhe e vari në mur në sallën e arsimtarëve. Për habinë e shumëkujt ajo fotografi pas dy ditësh u zhduk në mënyrë misterioze. Askush nuk dinte ç’u bë me të.

Atëherë kur isha ende shumë e re nuk e kuptoja pse po ndodhte ky injorim deri në denigrim të një personaliteti me të cilin do të ishte pak të krenohej vetëm shkolla , por me kalimin e kohës e kuptova. Ata që do të duhej t’u dilnin përballë policëve dhe zyrtarëve serbë që i përzunë nxënësit e arsimtarët shqiptarë nga shkolla tash e tri dekada më parë, strukeshin si minjtë, ndërsa atë që e bëri Hakiu atëherë duke shkuar fytas me policët e zyrtarët serbë për të mos lëshuar lokalet dhe oborrin e shkollës, ata ia përshkruajnë vetvetes pa fije turpi. Por çka t’i bësh, ja që nga turpi nuk po vdiste askush.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat