Nxënësi problematik

Kultura

Nxënësi problematik

Nga: Zymer Mehani Më: 3 prill 2019 Në ora: 23:55
Ilustrim

A-së i thotë ZH,
B-së i thotë XH,
Veshit i thotë hundë,
Gojës i thotë sy!

Gomës i thotë laps,
Lapsit i thotë gomë,
Dhomës i thotë shtallë,
Shtallës i thotë dhomë!

Motrës i thotë tete,
Vëllait i thotë shok,
Ai mendon me këmbë
Dhe ecën me kokë!

Çantës i thotë xhep,
Xhepit i thotë çantë,
Nuk është si të tjerët,
Është nxën's i veçantë!

I çuditshëm është,
Tepër i lazdruar,
S'i lë bashkë dy gurë,
I paedukuar.

Shokët i trazon
S'e dëgjon mësuesin,
Me gurë e me rrasa
Gjuan autobusin!

-Mirëdita,- s'thotë kurrë,
Gënjeshtrën ka mik,
N'mësim s'është i rregullt
E prej orëve ik!

Të shkruajë hiç s'di,
S'di as të lexojë,
Si çakallë mulliri
Kurrë s'pushon me gojë!

Prindërit s'i dëgjon,
As mësuesin e vet,
Është shkatërraq, i gjori,
Dallohet n'qytet!

Kurrë s'rri në një vend,
E takon çdokund,
Bredh e sorollatet,
Hundën fut gjithkund!

Faje ai bën shumë,
Si di e si mund,
Gju'n gurin, fsheh dorën
N'qytet e n'katund!

Pa ndalë bën probleme,
Sherre kur pa nda,
Me keqardhje them:
Mjerë shpia që e ka.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat