Mbi disa pikëpamje të prof. Arshi Pipës* - Bota Sot
Mbi disa pikëpamje të prof. Arshi Pipës*

Kultura

Mbi disa pikëpamje të prof. Arshi Pipës*

Nga: Leonora Laçi Më: 9 prill 2019 Në ora: 17:51
Leonora Laçi

Profesor Arshi Pipa ka pasur një veprimtari të gjërë në fushën e studimeve historike, filozofike, letrare, gjuhësore dhe të përkthimeve.

Këtu do të ndalemi mbi disa pikëpamje që na demonstrojnë largpamësinë e tij për çështje të ndjeshme.

  • Vizioni i prof. Arshi Pipës për Vatren dhe përparimin e komunitetit shqiptar në ShBA;

Në numrin janar- mars të vitit 1987 Revista “Koha e Jonë”, e përkohshme politike -kulturore- shoqërore, botuar në Paris-Francë nga Lec Shllaku, profesor Arshi Pipa i ka kushtuar një shkrim gjithëpërfshirës veprimtarisë së Federatës Pan Shqiptare “Vatra”. Shkrimi fillon me kronologjinë historike të saj që nga themelimi, veprimtarët kryesor e deri në kohën kur profesor Pipa kontribuoi dhe vetë në të, kur ishte dhe kryetar i saj për një periudhë kohore, në fillim të ’90. Ky shkrim titullohet “Për shpëtimin e Vatrës” Punimi i Arshi Pipës ndahet në disa çështje kryesore, por unë mendoj të ndalem vetëm tek thelbi i vizionit të tij për një diasporë sa më të përparuar.

 (…)Asht fjala për nevojë të vërtetë, për atë për të cilën ne shqiptarët kemi nevojë ma shumë se të gjitha grupet ethnike historike. Asht fjala për nevojen e kulturës. Kemi plot nji shekull në këtë vend. Dhe çka kemi prodhue në fushën e kulturës? Dy tri pika uji në nji det. Ku janë librat dhe revistat shkollare, çpikjet dhe zbulimet, çmimet dhe fitoret me të cilat t’i bahemi të njohun botës? Ku janë njerëzit tanë me pozita Kyçe n’administratë, ndër partitë politike, në themelimet shkencore, n’universitete, në ndërmarrje industriale, ndër shoqni tregtare, ndër bankat, ndër sindikatat? Ku janë personalitetet tona në fushat e shkencës dhe t’artevet, të letërsisë dhe të muzikës, të theatrit e të kinemasë? Gjatë nji shekulli nuk kemi qenë të zotët të nxjerrim, bahen a s’bahen nja dhjetë të dokturuem me PhD. Nuk kemi ende nji revistë shkollare. Vazhdojmë të mburremi me emnat e Nolit e të Konicës. Nuk jemi ende të zotët të nxjerrim nji përfaqsues tonin në lamën politike, dhe duhet t’i vardisemi njenit e tjetrit, të cilit çashtja shqiptare i levertisë vetëm me ba karrierë. Dhe kur ndonjiherë qëllon e na del emni në shtyp ose në radio, nuk asht për lavd, por për turp, për veprimtari mafioze o për vëllavrasje. Kjo asht, mjerisht, gjendja, dhe kjo gjendje duhet ndryshue nga themeli në qoftë se duem të na njihet emni për të mirë. Dhe kjo nuk asht e mundun në se nuk jemi të zotët me përballue me guxim problemin tonë kryesor. Në kohnat e para Vatra ka qenë nji vatër patriotizmi e kulture dhe këtë qëllim e ka krye me nder e lavdi. Sot patriotizmi e kultura qëndron në zotësinë e saj me u ba nji vatër kulture, ky asht misioni i saj, kjo arsyeja e qenies së saj. Vatra duhet të bahet organizuesja e kulturës shqiptare n’Amerikë, madje në çdo vend tjetër jashtë atdheut. Tradita e saj, prestigji i saj, e auktorizojnë atë për këtë punë”- kështu përfundon fragmenti i shkrimit të Prof. Arshi Pipës, një nga personalitetet më të shquar të diasporës shqiptare në ShBA, dhe këto rreshta janë diagnoza për shërimin e Vatrës dhe shpëtimin e saj. Vatra në rrethana të reja, duhet të kalojë në plane afatgjatë e që komuniteti të udhëhiqet nga ajo.

  • Arshi Pipa ka qenë vazhdimisht kritik sa i takon fushës së gjuhësisë;

Deklaratë e gjuhëtarëve të Shkodrës, Revista Albanica, Special issue, Ëinter 1992, number 3-4, fq 121-123, Arshi Pipa.

Në Kongresin e vjetit 1972 problemet e drejtshkrimit qëllimisht u ngatërruen me njësimin e gjuhës letrare kombëtare. Ndërsa konvergjenca për njisimin e drejtshkrimit pat fillue për së mbari te Komisia Letrare e Shkodrës, çashtja e njisimit të gjuhës ishte komplekse dhe nuk mund të zgjidhej me nji të rame të sëpatës(…) Që Kongresi i Drejtshkrimit vendosi në bazën e gjuhës letrare të njisueme toskënishten letrare, kjo nuk përban delikt, mbasi toskënishtja asht dialekt i gjuhës shqipe. Delikti i ktij kongresi qe ndalimi i plotë i gegënishtes letrare. Nji s’komunikim i tillë qe jo vetëm i gabuem, por edhe antikombëtar.  Gjuhetarët shkodranë kuptojnë drejtë zhvillimet demokratike të kohës, ata nuk janë as arkaikë as të ngurtë. Me tolerancën e kulturën që i karakterizon qysh motit, ata shprehin mendimin se në të ardhmen duhet të thirret nji Kongres i Tretë, për me shqyrtue problemet e gjuhës letrare kombëtare në këto pika themelore:

  1. Gjuhes letrare “e njësuar” duhet të rishikohet. Fjala asht për me realizue ktë njisim, për me e bat ë pranueshëm për të gjithë. Kjo gjuhë standarte do të jetë gjuha zyrtare e administratës, e shkollës, e shtypit, e radios.
  2. Krahas të shkruhet gegënishtja letrare. Do të jetë kjo një koine gegënishte me rregulla të përcaktueme. Kjo gegënishte të ketë si bazë veprën Ortografi e gjuhës shqipe, botue në Prishtinë 1964, tue u konkretizue në dy drejtime kryesore: me botimin e vepravet t’autorëve madhorë gegë si: Fishta, Mjeda, Koliqi, Migjeni, Camaj, etj dhe me futjen e detyrueshme të ktyne veprave në programet mësimore të shkollavet.
  3. E ardhmja e letrarishtes shqipe do t’i lehet momentit të favorshëm historik, caktue nga pasha artistike dhe nga vlera shkencore e botimevet, dhe mbasi të jenë sigurue mjetet kryesore gjuhësore për ktë punë, ashtu si i rreshtoi Çabej në diskutimin e tij të vjetit 1952: leksion i gjithmbarshëm i shqipes, monografi të dialekteve kryesore n’atdhe dhe në diasporë, fjalor etymologjik, atlas gjuhësor, histori e gjuhës shqipe, gramatikë historike e shqipes, fjalor gjeografik i toponimevet, etj. Ndërkaq të vazhdohet me afrue gegënishten me toskënishten aty ku asht e mundëshme, simbas parimit të paralelizmës së formavet gjuhësore.

 Firmue n’emën të 420 nënshkruesve nga David Luka, Arshi Pipa, Mentor Quku.

  • Bashkëthemluesi i revistës Albanica për nxitje të mendimin kritik në fushën albanologjike;

Në revisten Albanica të cilën e themeloi sëbashku me Anton Logoreci-n e Martin Camaj-n, e cila doli vetëm dy numra pasi u ndanë nga jeta bashkëthemeluesit Anton Logoreci dhe Martin Camaj dhe revista u ndërpre, kjo revistë numrin e parë e pati në dimrin 1990 dhe përfundoi në 1992. Siç shkruan dhe vetë ai se kjo revistë përfshinte kulturen shqiptare në përgjithësi, duke u krahasuar me revistën e Konicës ku numrin e parë të saj e pati në 1897 e largët. Ashtu si Konica që kishte dëshirë të shihte një Shqipëri në gjirin e Evropës edhe A.Pipa në një kohë tjetër kërkonte shkëputjen totale nga komunizmi stalinist dhe rihyrjen në familjen Evropiane. Paralelizmi i dy kohëve të vazhdonte në revistën Albanica duke respektuar dhe shqiptarët e tjerë si ata të Kosovës.

  • Totalitarizmi shqiptar sipas Pipës;
  • Ideologjia

 A.Pipa e ilustron ideologjinë komuniste me përjetimin personal-: “Pas daljes time nga burgu më 1956, e kisha shumë të vështirë të siguroja jetesën. I kercenuar nga uria, vendosa të takoja Ramiz Alinë, Ministrin e Arsimit, që kishte qenë student imi në Liceun e Tiranës me 1943-1944. Pritja ishte qytetare dhe menjëherë pas kësaj më caktuan mesues të gjuhës shqipe në një shkollë fillore. Librat në përdorim ishin të renduar nga letërsia e Partisë. Gramatika duhej të mesohej nga shartimi i këtyre në mendjet  brishta të nxenesve (...) Politika e gjuhës që fillonte në shkollën fillore me prostituimin e gramatikës me ideologjinë staliniste, ishte kurorëzuar me pseudokryeveprën e quajtur “Shqipja letrare e unifikuar” që ishte në fakt gjuha e fitimtarëve komunistë toskë e imponuar mbi gegët e mundur. (Arshi Pipa, Stalinizmi shqiptar- anatomia e një patologjie politike, IKK dhe Princi, Tiranë:2007, 217-218).

Arshi Pipa do i hyjë më thellë studimit mbi “ideologjinë”, e vazhdon mendimin diku më tutje:- Sa herë që një ngjarje nuk i përshtatet pikëpamjes së tyre ideo-politike apo ideo-shkencore, ata ose e shpërfillin atë tërësisht apo e shfytyrojnë atë deri aty sa ta bëjnë të panjohur. Një ideologji e huaj, e importuar, e imponuar në popull me brutalitet maksimal, komunizmi mbeti deri në këtë ditë më i huaj se kurrë. Ndryshe nga shumë vende të tjera të sunduara nga komunistët që komunizmi ka thithur diçka nga karakteri kombëtar, Shqipëria nuk merr parasysh të tilla karakteristika të veçanta. Komunizmi shqiptar është thjesht një kopje e bolshevizimit, pa asnjë origjinalitet të vetin. Si një ideologji tërësisht totalitare, Stalinizmi depërton në të gjitha sferat e veprimtarisë njerëzore, si politika, etika, ekonomia, filozofia, arti dhe shkencat dhe çdo formë tjetër të menduarit dhe praktikë. Fjalori Stalinist përfshin bashkime që thekson parësinë e ideologjisë mbi të gjitha këto sfera dhe forma. Dy prej tyre shumë të përdorshme janë “ideo-politike” dhe “ideo-shkencore.”

  • Roli i intelektualit në komunizëm

Ndërsa Arshi Pipa në analizat e tij për këtë temë shkruan: “Tani pak fjalë për intelektualët. Ata që nga fillimi i kanë treguar komunizmit një fytyrë të ftohtë, duke i provokuar komunistët deri në tërbim. Shumë shfaqje gjyqesh në Shqipëri kumbojnë nga emrat e doktorëve dhe avokatëve, profesorëve dhe shkrimtarëve, teknikëve dhe inxhinierëve, që nuk janë përkulur para regjimit despotic. Shumë prej tyre u pushkatuan apo u varën dhe një pjesë e madhe janë zhdukur dhe janë duke u zhdukur në birucat komuniste dhe në kampet e skllevërve të punës. Historia e tyre është një kapitull më vete e komunizmit shqiptar, më e turpshmja dhe më e shëmtuara. Shqipëria mund t’i falë ndoshta komunizmit shumë krime, por jo atë të privimit nga energjia mendore dhe shpirtërorë e bijve të saj, kapitalit më të çmueshëm të kombit(...)Udhëheqësit komunist përpiqen t’i joshin intelektualët në rangjet e tyre. Duke qenë të paktë ata që u afruan me ta, ata iu drejtuan dhunës. Duke vrarë dhe burgosur një numër të konsiderueshëm të tyre, ata i detyruan të tjerët të nënshtroheshin apo të topiteshin. Ndërkaq, ata vazhduan me shpejtësi të ethshme të ngrinin inteligjencen e tyre. Këtu, deri tani, ata kanë ndeshur në dështime. Përveç një numri fanatikësh, shumica e intelektualeve të rinj i bëjnë një shërbim thjesht verbal ideologjisë komuniste; sytë e tyre janë kthyer drejt Perëndimit. Trashëgimia e brezit të kalaur të intelektualëve, të gjithë të nginjur me civilizimin perëndimor, është shumë e gjallë për brezin e ri të bëhet fanatike e një ideologjie e cila është e huaj për gjendjen shpirtërore dhe traditat e popullit shqiptar. ( Arshi Pipa, Stalinizmi shqiptar- anatomia e një patologjie politike, IKK dhe Princi, Tiranë:2007,40-41).

  • Tjetërsimi i njeriut

Në poezinë Kanali, A.Pipa përshkruan më së miri situaten vetjake në të cilën gjendet dhe kjo është një dëshmi që duhet marrë në konsideratë, dhe konkretisht shkruan:- A mund të quhen njerëz? Qe, shikoj/ fëtyra dheu ku syt e shojtun ngrohen/kur shofin bukën: faqe qi gropohen e nofulla qi dalin si patkoj/ kambët si mbajnë e krahët u rrëzohen/ si dortoleca lkunden qi vendoi/mbi hunj kopshtari. Njerëz kta ksisoj?/ Shauretën janë qi nga vorret çohen/ Njerëz kanë qenë. Sot janë veç zhele mishi/ automa kockash, nji bërsi, nji pleh/ku veç prej emnave dallon e njeh.( Arshi Pipa, Libri i burgut, Rilindja,Tiranë:1994, 64-65).

  • A.Pipa është botues i shumë artikujve në gjuhë të ndryshme, artikuj për stalinizmin shqiptar, artikuj të karakterit gjuhësorë, po ashtu ka botuar shumë vepra, përkthime dhe studime në italisht dhe anglisht.

Arshiu do të botojë në vitin 1944 vëllimin poetik “Lundërtarë” që për autorin është libri i parë i një vargu tri unazash që përfshin, sipas autorit “Hî dashunije” dhe “Libri i fatit.” “Lundërtarë” dhe “Libri i dashunisë dhe i fatit”(dorëshkrim) u përfshi në vëllimin e parë të veprës së Arshi Pipës, botuar, pas vdekjes, nga shtëpia botuese “Plejad”, Tiranë, 2010, 142 f. Pas botimit të vëllimit poetik “Lundërtarë”, në mars të vitit 1944 nisi botimin e revistës së tij të përmuejshme “Kritika”. Qarkulluan vetëm katër numra deri në qershorin e atij viti. Revista pati jehonë, pasi morën pjesë si bashkëpunëtorë shumë personalitete me emër të kulturës shqiptare, si: Selman Riza, Mitrush Koteli, Myzafer Xhaxhiu etj.

Revistat ku janë botuar artikujt e tij; Kritika, Fryma, Bota e re, Telos, Kuerteri Evropiano Lindor, Fokusimi i Punës në Evropën Lindore, Dielli, Albanica, Shqiptari i lirë, Flamuri, Zani i katholikevet shqiptare në mërgim, Koha e Jonë; Paris etj.

  • Libra të botuar:

  Arshi Pipa, Fjalori Enciklopedik Shqiptar, Vëll.III, Tiranë, 2009, f.2022-2023.

 Përmbledhja e veprës letrare në shqip në katër vëllime u realizua nga shtëpia botuese “Plejad”:

Vëllimi I: Lundërtarë dhe Libri i dashunis dhe i fatit, Tiranë, 2010, 142 f.

 Vëllimi II: Autobiographia, 1998, Tiranë 2010, 101 f. anglisht. Në shqip poezinë “Veneriada”, f.96-98;

Vëllimi III: Lyrika latine (përkthyer në shqip dhe paraqitur nga Arshi Pipa). Është shkruar në Sarajevë në vitin 1958,Tiranë, 2010, 296 f.

Vëllimi IV : Lyrika evropiane moderne (përkthyer në shqip nga autori), Tiranë, 2010, 148 f.

  • Ka botuar një radhë studimesh, si:

1. Montale and Dante, 1968 (Montalja dhe Dantja).

2. Contemporary Albanian Literature 1991 (Letërsia bashkëkohore shqiptare);

  • Në fushën e historiografisë letrare shqipe përmendet triologjia:

1“Albanian Folk Verse structura and genre”, 1978 (Poezia folklorike Shqiptare. Struktura dhe gjinitë)

2. Hironymus de Rada (Jeronim de Rada)

 3. Albanian Literature: Social Perspectives (Letërsia shqiptare. Përspektivat shoqërore). Kjo triologji u përkthye në shqip dhe u botua në Tiranë, në tri vëllime me titull “Triologjia Albanica”, Princi, Tiranë, 2013. http://ëëë.unishk.edu.al/fileadmin/user_upload/Doktoraturat/aimir_osmani.pdf

  • Vepra të tjera të karakterit historik:

1.Studies on Kosova. A collection of essay by various authors, prepared for publication by A.Pipa. East European Monographs, No.155, Boulder:1984.

2.The Politics of Language in Socialist Albania. East European Monographs, No.271, Boulder:1989.

3.Albanian Stalinism (Stalinizmi shqiptar- anatomia e një patologjie politike, IKK dhe Princi, Tiranë:2007). East European Monographs, No.287, Boulder:1990.

4.Subvension drejt konformizmit, fenomeni Kadare, Neë-York, 1987, përktheu në shqip Bardhyl Shehu, (Tiranë, 1999).

  • Studim filozofik:

Skicë e një konceptimi mbi jetën- Mbi gjeniun, (traktat filozofik- i shkruar më 1955 në Burgun e Burrelit,  Botimet Princi, Tiranë:2011

  • Vepra letrare në shqip:

1.  Lundërtarë, Tiranë:1944 (ribotim, Tiranë:2010)

2. Libri i burgut, Rilindja, Tiranë:1994

3. Rusha, Tiranë: 1995, (Mynih:1968)

*Artikulli që iu dergua Federatës Pan Shqipare Vatra me rastin e festimeve te 110 vjetorit të Gazetës Dielli.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...