Destan Han Ajazi, gjurmë jete në panteonin e fisnikërisë…

Kultura

Destan Han Ajazi, gjurmë jete në panteonin e fisnikërisë…

Nga: Gëzim Loka Më: 9 prill 2019 Në ora: 22:58
Gëzim Loka

Atje në Lurën e peizazheve dehëse të natyrës dhe gjurmëve të shkruara në kohë të burrave të shqiptarisë, ka lënë shenjat e tij modeste në kohë dhe Destan Han Ajazi, biri i Lurës, mësuesi i përkushtuar, drejtuesi i pjekur i shkollës dhe njeri i odave të kësaj treve fisnike, i fjalës së drejtë, gjykimit të shëndoshë dhe gjyqeve që ndahen hollë, “në majë të gjilpërës”, siç thonë lurainët.

Njohja me njerëz të tillë, me kohë, me kalimin e viteve dhe ecurinë e ngjarjeve, të kthehet në një nevojë, ngaqë ata gjithmonë kanë diçka të re për të thënë, të futin me hir a me pahir në qasjet e tyre për jetën. Kjo ndodh me bashkëfshatarët e tu, me miq të vërtetë, por mbi të gjitha me njerëz të vërtetë, që në çdo rast kanë diçka për t’i ofruar shoqërisë dhe vetë kohës së tyre.

Ka çaste në jetën e njeriut, kur zemberekët e orës duket se kanë ngrirë, e ashtu befas, me praninë e tyre, me këshillat  e tyre, me vetë mënyrën se si e jetojnë ata jetën, njerëz si Destani të vijnë në ndihmë, të bëjnë ta jetosh jetën më thjeshtë dhe denjësisht, jo vetëm për vete, por mbi të gjitha për ata që të rrethojnë dhe që e tejkalojnë cakun e familjarëve të tu.

Këtë po mendoja, ndërsa po hidhja në kompjuter shënimet e gjurmëve të një jete të jetuar bukur, të jetuar për të tjerët, pasi vetëm kjo pjesë përbën lajm dhe meriton të bëhet pjesë e shkrimtarisë dhe pse jo e historisë, kur flitet për dikë si Destan Han Ajazi, një jetë e jetuar me dinjitet në shërbim të komunitetit.

Ai është një njeri i thjeshtë, pa zhurmë e bujë, pa skupe dhe artifice. Është fjalëpak e punëshumë, njeri i selitjes dhe mbledhjes së vlerave, pjesë e burrave të Karareve të Dheut  të Lurës, ku burrat ulen në kuvend duke menduar shtatë herë e duke prerë një herë. 

Destan Han Ajazi lindi në fshatin Arrëmollë Lurë Dibër, më 3 mars 1949 dhe shumica e kohës së tij rrodhi në vendlindje, atje mes erës së luleve, të bredhit e pishave, mes fëshfërimës bethoveniane të gjtheve e cicërimave mahnitëse të zogjve, nën ritmet gjumëndjellëse të Mallës dhe shënjimeve të vetë historisë të prushëruar luriane.

Pasi mbaroi shkollën e Mesme Pedagogjike në Shkodër, pasi kthehet në vendlindje, në shtator të vitit 1968 nis punën si mësues në Macukull të Matit. Nga nëntori i vitit 1970 deri në shtator 1976 do të jetë mësues në fshatin e tij të lindjes në Arrëmollë, periudhë gjatë të cilës kreu dhe studimet e larta në degën kimi-biologji dhe u diplomua në shtator të vitit 1977.

Nga shatori 1976 deri më 1 mars 1979 ushtron detyrën e drejtorit të shkollës 8 vjeçare Gurë Lurë, ku pati rezultate të shkëlqyera në procesin mësimor edukativ dhe në këto vite të drejtimit të tij kalueshmëria në shkollë ishte në masën njëqind përqind. Falë këtyre rezultateve, të ardhura si rrjedhojë e përkushtimit të tij  maksimal, zgjidhet deputet i legjislaturës së Nëntë të Kuvendit Popullor për vitet 1978-1982.

Në punën  e tij si drejtues në organet  e pushtetit vendor, si i zgjedhur në krye të këshillit të bashkuar Lurë, në detyrën e kryetarit të këtij këshilli, do të shfate veti organizative, përgjegjshmëri dhe përkushtim, për të bërë më të mirën e mundshme për bashkafshtarët e tij.

Nga viti 1984 deri në shtator 1993 punoi si drejtor shkolle në Pregjë Lurë, ku kontributi i tij për ruajtjen e vlerave të shkollimit dhe edukimit, sidmos pas rrëzimit të regjimit monist, ku pati tendence anarshie dhe kaosi, janë të padiskutueshme.

Nga nëntori 1993 e deri në 1996, për shkak të lëvizjes familjare me banim në Kodër Kamzë Tiranë, do të punojë si mësues bio-kimie në shkollën e mesme të Prezës.

Gjithë kjo përvojë mbresëlënëse, e dredhur në vite të gjata pune e përkushtimi të pashembullt, më shumë duke kërkuar nga vetja se nga të tjerët, nuk mund të mos zgjonte respektin e banorëve të komunitetit, të kolegëve dhe eprorëve të Destanit.

Gjatë kohës së shërbimit të tij si mësues e drejtor shkolle është dekoruar nga organet më të larta eprore me titujt mësues e drejtor shembullor, përvoja e tij është bërë një shkollë për t’u ndjekur nga kolegët e tij.

Një jetë e jetuar bukur, me nder e dinjitet, plot miq e shokë, plot komunikime mirësie, që nga ish nxënësit dhe ish kolegët e tij, që e marrin në telefon që nga Italia e Gjermania gjer në Amerikë dhe Australinë e largët, gjer tek ata që kanë pasur rastin të provojnë ndihmën e tij, dashurinë dhe mirësinë e pakufishme ndaj njerëzve që e rrethonin kudo, në përditshmërinë e tij.

Puna mes njerëzve, me lodhjen, sakrificat, përkushtimin ishte dhe mbeti një shkollë e hapur për këtë bir të Lurës, një shkollë ku ai vazhdon të mësojë përditë artin e komunikimit me njerëzit, artin e ndihmës dhe dashurisë, që është arti më i vështirë dhe që kërkon më shumë të hapjesh se sa të marrësh nga shoqëria.

Destan Han Ajazi ka rreth dymbëdhjetë vjet që jeton e punon familjarisht në Angli, në Londër, në tokën e mundësive, ku aq shumë shqiptarë e kanë nisur nga niveli zero dhe kanë bërë preokupi e janë integruar shpirtërisht dhe nga ana ekonomike e sociale. Atje Destani iu mëson fëmijëve shqiptarë gjuhën e nënës, duke mos e ndërprerë për asnjë çast pasionin e tij për mësuesinë, pasion, që vazhdon të ushejë rrënjët e tij si individ. Kur e  kontaktova, ai u zotua se do të jepte kontribut për krijimin e shoqatës “Lura” dhe të botimit të gazetës “Lura”.

Familja e tij përbëhet nga bashkëshortja Lemja, ish mësuese dhe ajo, nga dy djemtë Ariani e Dritani dhe dy vajzat. 

Destan Ajazi është profili i një intelektuali të lidhur fort me njerëzit, një profil  humanitar, që vazhdon të lerë gjurmë në rrugëtimin e tij, duke të bërë për vete me aktet fisnike e njerëzore të modestisë e shpirtbardhësisë, një idealist, i cili e kupton profesionin e mësuesit si një profesion që nuk mbaron me daljen në pension, por vazhdon  si mundësi shërbimi e përkushtimi, për këdo që ka nevojë për të, për vendin e tij, për njerëzit e thjeshtë, për të gjithë ata  që kanë ngut e padurim, për mesazhet e një jete të jetuar bukur dhe me dinjitet.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat