Pseudodeputeti

Kultura

Pseudodeputeti

Nga: Zymer Mehani Më: 11 prill 2019 Në ora: 20:29
Zymer Mehani

Tungjatjeta, deputet
Dje bari e sot si mbret
Dje n’katund e sot n’qytet
Dje përroskë e sot si det

Qumshti i nënës t’qoftë haram
Se gabove u fute n’klan
Ti çorroi sytë politika
Ku t’mbet besa dhe etika?

Pse harrove ti qëllimin
Na bëre t’humbim besimin?!
Në Kuvend flet vend pa vend
Pse u bëre pizëveng?!

Pse n’Kuvend shtyh’ni me b’rryla
Ku t’mbet nderi e fytyra?
Në foltore del shet mend
Lart ngre zërin don t’na çmend!

Pse krekosesh si gjel deti?
Mos kujto se nuk je mbreti!
Theve besen e k’tij mileti
Dije mirë- ia ke bërë veti!

Turfullon, gjoksin qet para
Porsi derri nëpër ara
Mendt i mban veç te paraja
Hajmendet ç’na zu belaja!

Flet pa rend e mendjen-murë
Dukesh krejt-karikaturë
Dallovere bën “si burrë”
S’ke as dije as kulturë

Si biban e sikur gjel
Në foltore sa herë del
Dukesh si dinosaur
Votën time s’ta jap kurr’!

Me fjalë t’pista bën debat
Duke prishë tëndin surrat
Fryhesh bëhesh si quran
T’gënjen mendja- s’je azgan!

E merr botën nëpër gojë
Më shumë veten e vë n’lojë
Gjithsecilit i puth dorën
T’ka ardhë koha, kqyre orën!

Deputet, more mjeran
Lumë si unë që afër s’t’kam!
Me hajni, korrupsion
Ty askush nuk ta kalon

Gojë-mjaltë e gjuhë-shpatë
Xhepat plot, por zemrën-thatë!....

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat